Biznesi 50 milionë euro i universiteteve private; kush e mori tregun e atyre që u mbyllën

Publikuar tek: ekonomi, më 10:55 18-12-2016 Biznesi 50 milionë euro i universiteteve private; kush e mori tregun e atyre që u mbyllën

Dy vite pas mbylljes së gjysmës së universiteteve private nga ana e Ministrisë së Arsimit, ato që rezistuan, në pjesën më të madhe, kanë përmirësuar bilancet dhe kanë rritur fitimet e tyre.

23 shkollat e larta tashmë nuk po diskutojnë më rënien e xhiros vjetore, por janë futur në luftën e egër për të marrë sa më shumë studentë. 11 universitetet më të mëdha private qarkulluan 35 milionë euro në 2015 dhe fituan rreth 6 milionë euro, ndërsa tregu (përfshirë dhe 2 universitete OJF) vlerësohet se i kalon 50 milionë euro.

Edhe pse në total, numri i studentëve në privat është ulur, universitetet që mbetën kanë shtuar studentët që mësojnë në këto ambiente mesatarisht me 100 nxënës për një shkollë. Të vetmit që kanë pësuar rënie të numrit të tyre në vitin shkollor 2014/2015 ishin Universiteti Europian i Tiranës, Universiteti i New York Tirana dhe Ivoclar & Vivadent. Ndërsa Universiteti Mesdhetar, Tirana Business University, Canadian Institute Of Tenchnology dhe Wisdom kanë dyfishuar numrin e studentëve. Gjithsesi, listën e shkollave më të mëdha vijojnë ta kryesojnë Albanian University (ish-UFO), që shtoi 563 studentë në vitin akademik 2014/2015 dhe Universiteti Europian i Tiranës, që gjithsesi pa një tkurrje me rreth 600 studentë për të njëjtin vit akademik.

Në vlerë absolute, shtesën më të lartë të studentëve në 2014/2015 e kishte Universiteti Mesdhetar, me 655 të tillë, i ndjekur nga Albanian University me 563, Marin Barleti me 500, Metropolitan me 482, Tirana Business University me 311.

Rilulëzimi i universiteteve private, tregu arrin 50 milionë euro

Për vitin 2014 dhe 2015, bilancet e universiteteve që konkurrojnë me njëri–tjetrin mbi bazë të numrit të studentëve dhe cilësisë së diplomave janë përmirësuar në mënyrë konstante. Xhiron më të madhe e zë Albanian University, me 15 milionë dollarë, i cili pasohet nga grupi Turgut Ozal, që ka në pronësi dhe Universitetin Epoka me 13 milionë dollarë dhe UET, me 7.8 milionë dollarë të ardhura.

New York, që ka një numër të vogël studentësh, por tarifa të larta krahasuar me mesataren, ka siguruar në fund të 2015-s 3.8 milionë dollarë të ardhura.

Universiteti Aldent ka shënuar rritje të fortë të të ardhurave, me 58%, në rreth 2.3 milionë euro.

Në total, 11 universitetet më të mëdha në vend (të regjistruara si biznese) qarkulluan 35 milionë euro në 2015-n, sipas xhiros së deklaruar në bilanc (shiko tabelën) me një rritje prej 11% me bazë vjetore dhe fitimet në total arritën në rreth 6 milionë dollarë. Këtu nuk përfshihen të dhënat e Universitetit Mesdhetar (Qendrës Mesdheu) dhe Zojës së Këshillit të Mirë, të cilët janë ndër më të mëdhatë, por janë të regjistruara si organizata jofitimprurëse dhe nuk dorëzojnë bilanc në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Duke marrë në konsideratë që në arsimin e lartë privat ishin regjistruar në vitin akademik 2014/2015 rreth 25 mijë studentë dhe një tarifë minimale prej 2000 eurosh për student, tregu i universiteteve private llogaritet të qarkullojë të paktën 50 milionë euro në vit.

Të zhytura në kredi e detyrime

Pothuajse të gjitha shkollat private kanë një kredi në bankë për të shlyer, dhe përveç huas së marrë për investime, e cila mbulohet nga interesa të ulëta, shumë prej tyre kanë detyrime në formën e overdrafteve apo kredive konsumatore të marra për situata emergjente. Si çdo biznes, edhe universiteti ka problemet e tij. Rastet më të shumta në mangësinë e të ardhurave janë nga vonesat në arkëtimet e pagesave të studentëve, të cilat më pas krijojnë dhe zinxhirë në vonesat e pagat e punonjësve në këto shkolla. Por një nga arsyet e këtyre kredive për disa nga universitetet janë dhe investimet që kanë dashur të bëjnë në ambiente më të mira. Këto në vite të ndryshme, kanë përmbysur dhe bilancet, të cilat mund të siguronin fitime të mira.

Si çdo shoqëri tregtare, shkolla të ndryshme kanë probleme të ndryshme. Situata financiare ka bërë që një pjesë e mirë e tyre të kenë shuma të konsiderueshme parash për të dhënë për qiratë ku kanë pasur godinat. Një universitet nuk ka paguar rreth 580 mijë euro qira, dhe në listë me të janë dhe tre të tjerë. Po ashtu detyrime janë akumuluar dhe për paga punonjësish dhe reklama.

Po sa rrezikojnë detyrimet të ardhmen e tyre? Që një biznes të jetë i shëndetshëm financiarisht, nuk duhet që totali i borxheve që ka, i cili përfshin detyrimet afatshkurtra dhe afatgjata, të jetë mbi 1.5 herë më i lartë se vlera totale e kapitalit të tij. E po ta marrësh në këtë lloj renditjeje, sërish universiteti më i mirë nga kjo pikëpamje është Albanian University. Detyrimet e kësaj shkolle janë më të vogla se kapitali dhe kanë koeficientin 0.4. Grupi shkollor Turgut Ozal, edhe pse nuk pati një fitim të lartë për vitin 2015, rezulton po ashtu me një raport të mirë të vlerës së detyrimeve ndaj kapitalit prej 1.17, ndërsa i treti është Aldent, me koeficientin 1.32, i ndjekur nga New York (1.64). Universiteti Europian i Tiranës ka vlerën më të lartë të detyrimeve përballë kapitalit të siguruar në këto vite. Sipas të dhënave të bilancit 2015, UET ka kredi prej 1.1 miliardë lekësh në Bankën Credins dhe Fondin Besa. Në total detyrimet e UET janë 9.7 herë më të larta se vlera e audituar e kapitalit nga eksperti kontabël, pas tij vjen Luarasi me një raport detyrime/kapital 6.23.

Henri Çili, administrator i UET, shpjegon se detyrimet e larta lidhen me një kredi që është marrë për financimin e kampusit të ri në Sauk. Pavarësisht se bilanci 2015 tregon një raport të përkeqësuar të detyrimeve, Çili thotë se pagesa e kredisë është e garantuar nga pasuritë e paluajtshme të grupit, konkretisht godina B e ndërtesave ekzistuese, e cila është dhënë në shfrytëzim. “Të gjitha pasuritë imobiliare dhe kapitalet e tjera janë të mbledhura në një grup të ri UET Enterprise Consulting dhe financimin e kampusit të ri në Sauk, projekt-idenë e të cilit e ka bërë Bashkim Zahaj, që do të bëhet kryesisht nga të drejtat pasurore mbi asetet që tashmë grupi ka (godina B e vendndodhjes aktuale) dhe do të përmbushë gati 75% të kostos”, thotë Çili.

*Marrë me shkurtime nga Revista Monitor

Speciale-12-Numri-i-studenteve-sipas-universiteteve-privrate.jpg

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.029776096343994
array(1) { ["section"]=> string(94) "biznesi-50-milione-euro-i-universiteteve-private-kush-e-mori-tregun-e-atyre-qe-u-mbyllen-63012" }