Biznesmeni penëfortë shkruan për 7-Marsin: Për mua kjo është edhe dita e këpucëve (RRËFIMI I VEÇANTË)

Publikuar tek: fcb-bomb, më 12:53 07-03-2017 Biznesmeni penëfortë shkruan për 7-Marsin: Për mua kjo është edhe dita e këpucëve (RRËFIMI I VEÇANTË)

Biznesmeni i njohur shqiptar Altin Bamllari, i njohur gjithashtu edhe për penën e tij të fortë përshkruese, sjell një rrëfim të veçantë sot më 7 mars, në ditën e mësuesit që për të është edhe dita e këpucëve.

“Sot është 7 Mars, dita e mësuesve. Për mua, edhe e këpucëve. Sepse kur isha fëmijë, ballkoni i shtëpisë sime i ngjante një ngastre të mbjellë plot me këpucë. Mund të numëroje pa frikë 50 palë të tilla, ndoshta edhe më shumë. Të gjitha made in Albania. Ngjyra-ngjyra, të reja e të vjetra, të riparuara e të shqepura, ato ishin këpucët e nxënësve të prindërve të mi. Dy klasa nga tridhjetë, që vinin me aq dëshirë për të uruar mësuesit e tyre.

Ishte një reng i mamasë, që gjoja për t’u ndierë më mirë, i bindte fëmijët t’i hiqnin këpucët tek hyrja. Megjithëse qëllimi i saj ishtë të mos prishte qilimat, ata, si për inat, e kthenin shtëpinë përmbys edhe me çorape. Çorapet ua kalonin dhjetëfish për nga larmia këpucëve. Pambuku, nailoni, sintetike, leshi, me vija, me lule, të arnuara e gishta përjashta, ato lëshonin ca aroma këmbësh të parrëfyera.

Atë ditë shtëpia jonë mbushej plot e përplot dhe një Zot e di se ku uleshin gjithë ata fëmijë. Qeshnin e thumbonin njëri-tjetrin, recitonin poezi, ia merrnin ndonjë kënge e, pasi kishin pirë ca likerna pa alkol e mbllaçitur karamelet Zana, i futeshin për shtatë palë qejfe ëmbëlsirës. 5 tava me pengjire (një lloj revanie) përgatiste mamaja për atë ditë. Sa shumë më pëlqenin shikimet e tyre me bisht të syrit nga unë, teksa përtypeshin mbi pjatat e vogla prej qelqi. “Djali i m’suses, djali i m’susit”, dëgjoja pëshpërimat e tyre, ndërkohë që kërkoja vjedhurazi fytyrën e ndonjë vajze të bukur.

Pastaj, si me magji, dikush mes tyre u bënte shenjë që vizita kish mbaruar e ata dilnin çakërqejf, vishnin zhurmshëm këpucët e largoheshin si të dalldisur.

Pas kishin lënë rrëmujë, tufat me lule mbi tavolinë, ndonjë statujë qeramike a qelqurinë dhe zërat e tyre të lumtur. Unë qëndroja për pak kohë në ballkon e më vinte aq keq vinte aq keq që ai i ngjante një ngastre të korrur, ku s’kish ngelur asgjë, përveç ndonjë lidhëse të këputur këpucësh”, shkruan Altin Bamllari.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Deputeti i shumëpërfolur rikthehet në bankat e shkollës, jep një mesazh të fortë për mësuesit (Foto)
Lëvizja suprizuese, gazetarja e njohur disa ditë më parë në çadrën e Bashës, sot firmos për partinë e Blushit »
Article Logic
Execution time: 0.022347927093506
array(1) { ["section"]=> string(104) "biznesmeni-peneforte-shkruan-per-7-marsin-per-mua-kjo-eshte-edhe-dita-e-kepuceve-rrefimi-i-vecante-71059" }