Bleona, 'brand'-i që të gjithë e duam. Si u shndërrua në këngëtaren e njohur botërore

Publikuar tek: kulture-art, më 10:30 20-06-2016 Bleona, 'brand'-i që të gjithë e duam. Si u shndërrua në këngëtaren e njohur botërore

Ajo ka qenë gjithnjë një njeri i qartë, pa dilema. Në çdo fazë të jetës e ka ditur se çfarë ka dashur. Synimi i Bleona Qeretit ishte një dhe i vetëm, të bëhej artiste e madhe. E nisi mbarë, pasi në moshën 5-vjeçare hyri në Shtëpinë e Pionierit. Ndoshta ishte pikërisht ky momenti deçiziv, ku ajo përqafoi për herë të parë botën artistike, për të kërkuar më pas shumë më shumë, gjithë jetën. Në intervista ajo është shprehur se edhe kur t’i mungojnë energjitë për të shpërthyer në skenë siç bën sot, ajo do të punojë me artistët e rinj, duke i dhënë atyre nga eksperienca e saj, e dashuria e madhe për këtë fushë.

Po si u bë ajo Bleona, këngëtarja e njohur botërore? Sigurisht që në Shqipëri nuk do ta kishte aq shumë të vështirë, pasi këmbëngulja nuk i mungonte, as talenti jo e jo, dhe ishte, më saktë është shumë e bukur. Ndaj duket se ëndrra e saj ka fluturuar përherë tej oqeanit, pikërisht atje ku ndodhet sot. Por udhëtimi i parë i vërtetë i Bleonës jashtë shtetit, ndodhi kur këngëtarja ishte vetëm 12 vjeçe. Ajo mori pjesë në festivalin e fëmijëve në Prevenza të Greqisë, e sigurisht duke ja njohur sot karakterin këmbëngulës, nuk çuditemi që u kthye me çmim.

“Bota i takon atij që guxon”, - Chaplin - kjo është motoja e Bleonës. Por teksa me ëndrra shkonte çdo ditë e më lart, realiteti i asokohe në Shqipëri i ofronte një pamje krejt tjetër, ndoshta më të zymtën e çdo kohe.

“Në vitin 1992 më pushojnë babin nga puna. Ishte koha kur Ylli Bufi tha: ‘Kemi dhe 6 ditë bukë’. Kështu që unë shkoja në rradhë të siguroja bukë dhe që atëherë instinkti i mbijetesës kishte më shumë prioritet se çdo gjë tjetër”, - kujton artistja.

Megjithëse fëmijërinë e saj e quan më të bukurën, Bleona kaloi ditë të vështira me familjen e saj, kur deri në vitin 1996 mbaheshin financiarisht nga daja. Ajo kishte aftësinë e jashtëzakonshme ta shkëpuste pasionin e saj të madh, nga realiteti i zymtë ku po jetonte. Në vitin 1993 ajo u bë pjesë e teatrit “Skampa” dhe mori rolin kryesor si këngëtare në spektaklin e ri. Aty nisi që me artin e saj të siguronte edhe të ardhurat e para. Më pas erdhi pjesëmarrja në Festivalin e dhjetorit, për tek i cili u nis si gjithnjë e vetme.

Pastaj vijmë tek momenti i karrierës së Bleonës, të cilin brezat që kanë jetuar në atë kohë e kujtojnë më së miri të gjithë. Një vajzë e bukur që këndonte “Lermëni” dhe kërcente në skenë, veshur më kostumin blu te cilin e kishte marrë nga garderoba e TVSH-së, rekuizitë e "Miss Europa". Më vonë, në intervista, ajo tregoi se organizatorët e festivalit ia kishin ndaluar atë veshje, por Bleona bëri me kokën e saj. “E vesha pa pyetur njeri dhe regjisorja Vera Grabocka mund t’i kthente edhe kamerat në tavan, por nuk e bëri. Këtu filloi mirënjohja për Grabockën”, - shprehet ajo.

 Ndërkohë dukej se në jetën e vajzës çapkëne po skalitej qartazi fati i saj prej artisteje. Vargjet e këngës “Lermëni” na tregonin gjithçka çka do të shihnim më vonë nga Bleona. E siç ishte Shqipëria e trazirave në vitet 1996-2000, ashtu ishte dhe rruga drejt suksesit për Bleonën. Ajo nisi koncertet e para jashtë. Përçau me këmbëngulje në tregun e Kosovës, e më vonë erdhi videoklipi i parë. “Era” u xhirua në '97-tën, kur në Shqipëri bëhej luftë civile. Viti 1998-të solli edhe albumin e parë të këngëtares që s’kish si të titullohej tjetër përveçse “Kam qejfin tim”.

Teksa Bleona u regjistrua në Akademinë e Arteve, një vit më vonë erdhi edhe albumi i dytë “Nëse më do fort”. Këta u pasuan nga albume të tjerë “S'më bëhet vonë”, “Ik mëso si dashurohet”, nga videoklipe e nga koncerte me nga 20-30 mijë vetë që dilnin për ta parë Bleonën nëpër sheshe. Turet nëpër Europë u shtuan dhe albumi i radhës “Ti nuk di as me ma lyp” u shit në 300 mijë kopje ne nje kohe qe me shqiperi mbizoteronte pirateria!

Këtu këngëtarja kuptoi se Shqipëria nuk i mjaftonte. 2004-a qe viti kur nisi rruga e saj në Amerikë, e nuk është ndalur deri më sot.

“Ika nga Shqipëria, sepse kisha frikë nga përsëritja! Unë bëra gjithçka në Shqipëri, nuk ngeli gjë tjetër pa bërë”, - pohon ajo.

Për Bleonën asokohe ëndrra amerikane, ishte thjesht një ëndërr. Xhirimi i videos "Boom Boom" në Miami në 2005 ishte vetëm një dëshirë e realizuar për të marrë sadopak ndjesi nga ajo që merrnin këngëtarët botërorë që punonin me skuadra të huaja, pa e menduar kurrë që një ditë edhe ajo do të ishte pjesë e artistëve dhe 'brand'-eve botërore.

Ndaj më ëndrrën amerikane ajo vazhdoi të punonte për Shqipërinë, me pjesëmarrjen në festivale ku asnjëherë nuk dilte pa çmime. Kujtojmë këtu çmimin e medias në "Kënga Magjike 2005", apo çmimin e karrierës në "Festivalin e Videoklipit Shqiptar" në 2006. Në vitin 2007 erdhi albumi “Mandarinë”, promovimi i të cilit u bë në Kosovë. Ndërkohë udhëtimet vazhdonin, ajo prezantohej me jetën e të famshmëve të botës, me emrat më të suksesshëm amerikanë, për të kuptuar se ku dëshironte të ishte dhe se asaj nuk i takonte një jetë familjare prej gruaje shtëpiake. Dashuria dhe adrenalina e Bleonës ishte krejt tjetër.

“Për mua është më e rëndësishme adrenalina që marr nga procesi "into making it" se sa shijimi i statusit të një peshku të madh në një liqen të vogël”.

Aty Bleona vendosi të nisë një luftë të re, krejt e vetme. E këtu hyri sërish në lojë tipari kryesor, arma më e fortë e karakterit të saj, këmbëngulja. U njoh me emra të njohur, të cilët e çuan tek ca emra të tjerë. Këto ishin vitet deçizive të jetës së saj, përgjatë të cilëve këngëtarja shqiptare u prezantua edhe me konceptin "brand".

“Asokohe nisa të bëj pushime në “Saint Tropez”, përkatësisht në varkën e Roberto Cavalli-t. Aty njoha një jetë të re, me avionë privatë e jahte luksoze. U dashurova pas gjithë kësaj, e njëherësh kuptova që me karakterin që kam nuk do të kem kurrë mundësi të jem "gruaja apo e fejuara", pra "+1"-shi i dikujt tjetër... Kështuqë më duhet të bëhem vetë një njeri që të kem varkën time, avionin tim.

 bleona2.jpg

Një ëndërr akoma më e çmendur se fama në Amerikë. Me këtë mendje kthehem në Tiranë dhe i them Nazmiut më duhen 5 milionë dollarë të iki në Amerikë dhe t’i futem punës seriozisht. Nazmiu qeshi dhe tha: 'Unë nuk i kam aq lekë, por po të gjej 1000 euro dhe të çoj tek doktori se nuk qenke mirë…'”.

Por Bleona edhe pa 5 milionë dollarët që i duheshin, u nis drejt Tokës së Premtuar dhe nuk vonoi koncerti që ndryshoi përgjithmonë jetën e saj. Në vitin 2008-të ajo këndoi për Donald Trump  ne clubin privat " Mar-A- Lago" dhe i kërkoi ta prezantonte me Timbaland. Pikërisht këtu zë fill një periudhë disavjeçare takimesh e njohjesh, duke investuar në “Bankën e Favoreve” më shumë se sa në para, vila e makina.

“U ritakuam me Trump në zyrën e tij në janar të 2009-tës, ku unë i kërkova të më prezantonte me Timbaland. Në shkurt Trump më prezantoi me David Foster. David më mori në ‘Grammy’ dhe më prezantoi me Timbaland”.

U duk se kaq u desh për të prekur famën, por jo. Me gjithë vetëbesimin e saj, këtë herë as këmbëngulja nuk i bëri punë. Bleona arriti të futej në studion  "hit factory " ku be ate kohe punonte muzikanti I famshëm  që mund ta shndërronte në yllin e ëndërruar për të marrë një "JO" të thatë…

“Timbaland më fton në studio dhe më thotë 'What's your story?I thashë 'ti duhet të më bësh albumin (në atë kohë unë flisja me 'you need'  me vend te - "can you" qe amerikanët e kanë pak a shume urdheruese fjalën 'you need' - ti duhet), ndërkohë që unë e bëja, sepse anglishten nuk e dija mirë.

Timbaland më tha: ‘Emri yt nuk është Justin Timberlake! I can't help you (nuk mund te të ndihmoj)’. Gjithe ato sakrifica qe kisha bere per te arritur deri atje dhe ai më refuzoi. Po nuk e dhashë veten... I thashë: ‘Do apo s’do ti, do punosh me Mua nje dite sepse unë do bëhem ‘star’, ketu ne Amerike no matter what! (pavarësisht të gjithave)’. Dola nga studio me lot në sy..."

Edhe Bleonën jo gjithnjë e ka ndihmuar puna dhe përkushtimi. Ka ndodhur që bukuroshes në momente të caktuara, fati t’ia kthejë mundin, duke ia shumëfishuar forcën për të ecur përpara. Nuk dimë të themi se çfarë ndodhi në kokën e të suksesshmit Timbaland një javë prej ditës kur refuzoi artisten tonë, por mendimi i tij ndryshoi, e bashkë me të edhe rrjedha e karrierës së saj.

“Pas një jave unë isha në Milano në një koncert për shqiptarët. Ai më mori në telefon dhe më tha: ‘Unë them bëj një këngë të dëgjoj çfarë ‘sound’-i ke, ti shkon për shopping?’, se nuk e kishte idenë që unë i bëja lekët nga koncertet që bëja për shqiptarët. U ktheva dhe i bëra 8 këngë ndërkohë që ai kërkoi vetëm 1..... dhe ai nuk reagoi më”.

Një tjetër tipar që e dallon Bleona Qeretin nga njerëzit e tjerë, është fakti që ajo nuk pret. Nuk e përqëndron kohën dhe jetën e saj tek një përgjigje e mbetur pezull. Ajo vazhdon më tej, duke bërë gjithnjë shumë më shumë. Teksa një artist tjetër do thoshte çdo ditë po pres një përgjigje të rëndësishme, Bleona ka ecur shumë milje tutje. E nëse e keni parë në vende luksoze teksa relaksohet, qëllimi i fundit i saj ka qenë të bëjë pushim… Bleona bënte "pushime luksi", por me një synim të fshehur, shumë të rëndësishëm.

“Gjatë verës 2009-të shkova në Kanë në Festivalin e Filmit dhe vazhdoja të bëja koncerte për shqiptarët, por lekët që fitoja nga këto koncerte i harxhoja në Kanë, Sardegna e St. Tropez duke zgjeruar kështu rrethin e njohjeve me ‘jetset scene’ dhe miliarderë. Kur merrnin vesh që isha këngëtare, filluan të më ftonin në party-t e tyre… Tashmë unë jo që vetëm bëja 'jetën e tyre', por dhe filluan të më paguanin. Një nga festat që mund të përmend është ajo e vitit 2010-të për Patrick Heineger, ex Ceo i Rolex-it në Cala di Volpe në Sardegna. Atëherë nuk kishte media sociale dhe 'Instagram'. Ndërkohë të gjitha festat dhe koncertet që bëja në Europë ia dërgoja Timbaland-it me foto gjithë kohën. Ia çava telefonin! E kështu në fund të 2010-tës pasi ai kishte marrë foto koncertesh e festash për 1 vit e gjysmë rresht  dhe ne takoheshim për një "hi-bye" sa herë unë shkoja në Amerikë, ai me tha: "Me sa duket ti nuk e ke ndërmend të ikësh që këtu, keshtu që dua nuk dua unë, me duhet të të jap një këngë”.

Në vitin 2010-të Bleona debutoi me këngën e saj të parë në anglisht “Show off”. Ashtu si dikur, kur pas këngës në skenën e Festivalit në Tiranë ajo e kishte bërë pa e kuptuar pjesën më të madhe të rrugës për t'u bërë një yll i Shqipërisë, historia u përsërit. E pamë çdo ditë e më shumë në tapetët e kuq më të rëndësishëm të botës si ai i “AMFAR”, lexuam për të shkrimet e para në mediat e huaja dhe njerëzit nëpër botë nisën të prezantoheshin me bukuroshen shqiptare që ne e njihnim mirë.

“Në vitin 2011-të ishte prezantimi i parë me 'AMFAR', që është eventi më i madh i kinemasë kundër sidës. Çdo vit nga 2011-2016 kam qenë pjesëmarrëse në 'AMFAR' me emrin në listë si Bleona. Ndërkohë qe të tjerat qe nxjerrin foto me rejetet sociale shkojnë si plus 1 dhe po te shikosh listat emri I tyre nuk figuron askund!!

Kështu erdhi viti 2012-të dhe gjërat kishin marrë rrjedhën e tyre. Ajo publikoi këngën e saj të dytë me producent Timbaland - “Pass Out”, ku ai ishte mendja dhe zëri në pjesën rep të singëllit. Në këtë kohë besojmë të gjithë e kujtoni koncertin e saj në qendër të Tiranës, ku artistja këndonte veshur kuq e zi. Bleona e promovoi këngën e re në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Itali, Gjermani me një tour madhështor me 30-50.000 mijë vetë në çdo koncert. Ishte rikthimi i saj i parë në Shqipëri, si këngëtare me famë ndërkombëtare. Nga kënga e fundit në gjuhën shqipe, tanimë kishin kaluar vite.

“Kishin kaluar tashmë 5 vjet që nga “Mandarina”, po për 11 ditë e kam organizuar gjithe tour-in vetë. Pa asnjë suport mediatik, vetëm me 'Facebook'. Këtu kuptova që forca ime si artiste është në skenë.Mendova të bëj të njëjtën gjë në çdo vend të botës dhe të rekrutoj sa më shumë fansa”.

Por puna e saj nuk u përqendrua vetëm tek kënga. Në këtë periudhë Bleona pati edhe debutimin e saj si aktore. Ajo u shfaq në filmin “True Justice” krah Steven Seagal me rolin e Lunës.

“Mbas këtij momenti unë i thashë "mirupafshim" jetës private përfundimisht dhe fillova të kuptoj që unë mund vertete t’ia dal. Harxhova shumë kohë vetëm duke reflektuar. Kush janë pro-të dhe kundra-t e mia...Çfarë kam unë të veçantë që duhet të më pranojë dhe të më dashurojë Amerika dhe pastaj bota? Unë nuk isha 18-vjeçe! Nuk isha e lindur në Amerikë, nuk isha zezake, as çifute dhe babain nuk e kisha miliarder. Pika ime e fortë ishte 'look'-u europian alla Monica Belluçi e Sophia Loren që ishin personazhe të pranuar nga amerikanët. Dhe personaliteti im i çmendur (alla Gaga) si Bleona që më njihni ju. Pra unë isha Gaga me 'look' të Monica Belluçit. Kjo është pikërisht ajo që unë kisha ndryshe nga të gjithë artistët amerikanë. Por të arrish në këto përfundime duhen netë të tëra pa gjumë…”

Duke parë televizionet e agjencitë e lajmeve amerikane, edhe ne nga Shqipëria e largët e kemi kuptuar se nuk shet vetëm këngëtari, zëri, individi, por personazhi në kompleks. Sot në Shqipëri kemi emra që bëjnë para me 'Instagram' duke reklamuar produkte të ndryshme, e nuk kanë as nevojë për ndonjë talent të veçantë. Ndaj pas rolit në film e me dashurinë e pa zbehur për muzikën, Bleona iu bashkua një grupi që do të formonte 'brand'-in "Bleona”.

“Prezantimi me Christa Shaub, Erik Olesen (Grupi i Rihanna's nga 2005-2010) në vitin 2013-të, ishte realisht dhe fillimi seriozisht i punës time si artiste për të ndërtuar themelet e një 'brand'-i të vërtetë "Bleona brand". Një artist sot shet si brand, jo si individ! Ndërkohë që "Jay Z-të" e kësaj bote (Ceo-t e kompanive të muzikës ishin shumë të mëdhenj për mua dhe nuk kishin kohë të merreshin me mua, unë vendosa të takoj personat që ekzekutonin planin e "Jay Z-ve". Christa dhe Erik ishin pikërisht ekzekutuesit dhe unë isha komplet "sfungjer" që thithja çdo gjë që bëhej rreth e rrotull meje që të ‘kapja’ sistemin".

Teksa në Shqipëri u pa çuditshëm lajmi që Bleona këndonte në koncerte për homoseksualët, artistja zbulon se ky vendim ishte pikë kyçe e një strategjie të mirëmenduar.

"Në mars të 2013-tës u publikua kënga e tretë “Without You” dhe filloi rekrutimi i fansave gay. Fansat gay janë të nevojshëm për një pop-artist. Janë pikërisht baza e fansave të muzikës pop. Ata nuk kanë familje dhe obligime, keshtu qe jane pikerisht ata qe blejnë albumet muzikore. Gaga, J. Lo, të gjithë e kanë filluar aty. Në performancën a parë në “White Party” (festivali më i madh Gay në Amerikë) nisi "Bleona brand". U hoqën videot shqiptare nga 'YouTube', u bë seti fotografik me Vincent Peters që ka fotografuar Monica Belluçin. Pas shumë netëve pa gjumë dhe diskutimeve me grupin e menaxhimit, filluam të vëmë në pah pikat më të forta:

1. europiane2. e bardhë.Kush pranohet nga Evropa?Monica Belluci, Sophia Loren. Ata më thanë: ‘Ti do jesh këto te dyja, por me personalitet të çmendur të një popstar-i.

Fakti që je nga Shqipëria dhe nuk dorëzohesh vetëm të ndihmon. Meqë je europiane fillo nga UK dhe Londra, bëhu e famshme atje, krijo njëgrup fansash atje, pastaj rikthehu në USA’. Dhe unë ashtu bëra!”

Nuk vonoi kënga e katërt që doli në shtator të po të njëjtit vit “Take it like a man”. Bleona u vendos për një periudhë në Londër dhe pas një fushate, kënga arriti në vendin e 7-të në playlistat e klubeve në Angli. Aty Bleona u intervistua nëpër të gjitha radiot e mediat britanike, dhe me këtë triumf vjeshta e gjeti sërish në SHBA. Atje e priste debutimi si këngëtarja kryesore në "Las Vegas Pride”. Kështu erdhi 2014-ta, ku zyrtarisht në Shqipëri është viti ku u shkrua më shumë se kurrë për Bleona Qeretin. Shkaku? Ajo mori pjesë në një reality show me emër “Euros of Hollyëood”.

“Grupi i menaxhimit më tha: ‘Të duhet një Spotlight në SHBA, një reality-show ku njerëzit të prezantohen me look-un dhe personalitetin tënd’. Vendosëm të bëjmë “Euros of Hollywood”. Gjatë kohës që është transmetuar show në ‘Bravo TV’ unë kam shitur 1000 singëlla në ditë. Të gjithë ishin nga ‘Middle America’, Minnesota, Kentucky, Chicago... Kjo ishte dhe shtresa e parë e fansave në SHBA. Aty u ftova për herë të dytë rresht të këndoj në "White Party”. (Përveç Lady Gagës unë jam artitsja tjetër e vetme që jam ftuar 2 herë në ketë event)".

Më pas u bë “American Music Awards” dhe për fustanin e Bleonës foli gjithë bota, ndërsa në Shqipëri nuk u shkruan vetëm artikuj, por u bënë edhe emisione televizive. Për Bleonën qëllimi ishte arritur!

“Duke u ditur që në fillim që fustani do të bënte bujë, ishte me kohë i futur në ankandin e shkurtit të "Music Cares”, event bamirësie i ‘ajkës’ së Hollywood-it. Tre ditë më vonë kam mbajtur koncert në Los Angeles në "Greystone Manor", një nga klubet me ikonikë në LA dhe u lançua singëlli i pestë ‘F**k You I’m Famous’. Në këtë koncert erdhën të gjithë paparacët "Getty images", etj. Në një qytet si Los Angeles që është shumë snob dhe ka aq shumë aktivitete saqë gazetarët dhe paparacët janë shumë selektivë dhe nuk i mbulojnë dot të gjthë aktivitetet që ndodhin në një ditë, ishte arritje kjo pjesëmarrje. Mirëpo tashmë unë kisha një themel solid në SHBA me kohën e medias sociale dhe internetit, ndaj më duhej të kthehesha në Shqipëri dhe të zgjeroja bazën e fansave...

 bleona3.jpg

Ajo zgjodhi të rikthehej në vendilindje për të qëndruar jo pak. Bleona zgjodhi të jetë anëtare e jurisë së “X Factor”, duke qenë kjo edhe një patentë ndërkombëtare. Ky vendim mbante me vete një tjetër strategji.

"Njerëzit të cilët ishin 10 vjeç kur unë u largova nga Shqipëria, tashmë janë bërë 20 dhe përdorin të gjithë 'Instagramin', ndaj duhet të më njihnin se kush isha. Sot të gjithë fëmijët 5-20 vjeç janë pikërisht ata që më ndalojnë në rrugë të bëjnë foto me mua. Sepse ata të moshës mbi 20 i kam pasur fansa me kohe".

Shtatori i një viti më parë Bleonën e gjeti në një sallë të hotel ‘Sheraton’ teksa fliste përballë gazetarëve shqiptarë. Ajo kishte bërë gati një këngë të re dhe kishte menduar që ta promovonte kudo me ngulm e përkushtim, përfshirë Shqipërinë. Doli në treg “Take You Over” shoqëruar me videoklipin që shfaqte një Bleonë yll dhe në vetëm pak javë, u panë shifrat më të mira në karrierën jashtë vendit të kënëgares. “Take you over”  u rendit e 3-ta në Billboard, në vendin e 14-të në Gjermani, e 22-ta në Australi, e 5-ta në Itali, në vendin e 28-të në Zvicër, në Greqi  e 11-ta, e 4-ta nëBullgari  dhe në vendin e 2-të në Kroaci.

“Pikën më të fortë në klipin e “Take you over” kisha ‘runaway' fashion show European look’. Pikërisht atë që më dallon nga këngëtaret e tjera të pop-it amerikan. Unë tashmë e di që asnjëherë nuk do të jem 'artistja amerikane - Bleona', por gjithmonë do jem 'artistja internacionale - Bleona' dhe prandaj fansat nga Europa dhe të qenit aktuale në tregun europian është faktor shumë i rëndësishëm për mua. Pasi kuptova që kjo këngë pati ato rezulatate pa një skuadër aq të madhe, arrita në përfundimin pse unë tani duhet t’ju lutem atyre (kompanive të muzikës)?

Unë do  vazhdoj të bëj këngë, filma, reklama, sepse tashmë sistemin e di, dhe në momentin që do bëhem brand i pamohueshëm, do shitem me çmim akoma me të shtrenjtë".

Puna me njerëzit më të kuotuar në treg, krijimi i një skuadre të sajën, ku ajo është vetë CEO dhe artiste e ka bërë Bleonën edhe më të fortë, jo më kot "Forbes" i kushtoi një artikull si artistja e parë e vetëfinancuar.

"Unë nuk kam pallate të vë në kolateral. Emri, zëri, fama, look-u, aktualiteti im si artiste, është pikërisht kolaterali im. Të gjitha këto janë virtuale, nuk mund të transformohen dhe unë t'i lë diku... Në një bankë si kolateral. Unë kam fansat që virtualisht lëvizin në çdo vend ku shkoj. Prandaj garancia ime është fama, aktualiteti dhe fansat, që në një mënyrë ose tjetër më ndjekin. Me internetin dhe ‘social media’ bota eshtë bërë më e prekshme nga të gjithë. Në momentin që ti je e ndërtuar siç jam ndërtuar unë këto 5 vjet dhe je ‘undeniable’ (e pamohueshme), sigurisht do të të blejnë me çmim më të shtrenjtë. 'Cavalli' për shembull kur filloi filloi të bënte fustane e pantallona filloi sepse e kishte pasion, nuk e dinte që një ditë do bëhej aq i suksesshëm e do blihej nga Clessidra SGR për 1 miliard.

Dhe me Bleona brand është e njëjta ide...

Unë fillova të këndoj për pasion e tani pas vajtjes në Amerikë kuptoj konceptin brand.

Unë nuk i kam hyrë detit në këmbë. Falë eksperiencës 20-vjeçare që kam në skenë dhe njerëzve që njoh, nuk e diskutoj që në një mënyrë apo në një tjetër unë do bëhem brand botëror. Të tjerët që janë bërë kanë qenë marangozë, shitës. Të paktën unë jam artiste dhe unë testohem çdo natë nga fansat në spekataklet që bëj”.

Por nuk është vetëm kaq, paralelisht me punën për muzikën, ajo punoi për të krijuar një markë mode. Cdo gje " Bleona" tashme gjendet ne www.shopbleona.com .Të gjitha këto e çuan personazhin më të sinqertë të shoëbiz-it tek të qenit një “Brand”.

“Në botë ka këngëtare, ka artiste, ka diva, ka dhe brande. Barbara Stresisand për shembull është brand. Ka 30 vjet që nuk ka nxjerrë asnjë këngë të re por biletat i ka 1000$ dhe koncertet i ka ‘sold out’. Ndërkohë që një artiste si Kesha është thjesht këngëtare. Në momentin që nuk bën më këngë të re harrohet... Ky është ndryshimi midis të dyjave. Dhe unë jam brand! Unë kisha 5 vjet që nuk kisha asnjë këngë në shqip, por në momentin që erdha në Shqipëri në tour-in e 2012-tës kisha 50.000 vetë nëpër sheshe... Prej paraqitjes në spektaklet e 'TV Klan' ("X Factor" dhe "Your Face Sound Familiar") tashmë më njohin të gjithë, edhe ata që s'kishin lindur kur unë jam larguar dhe mbushin 'instagram'-in me fotot e mia. Kjo më bën mua një brand aktual! Unë nuk jam e çmendur që e kam bërë Shqipëri-Amerikë çdo 3 ditë, sepse dua të jem aktuale, dua të jem në treg, në të dy tregjet”.

Po pavarësisht sinqeritetit, media asnjëherë nuk mjaftohen me përgjigje. Shpesh pyetet, si është e mundur të bëhen këngë e videoklipe pa para? Kush paguan për to?

“Paratë sigurisht janë marrë nga një grup investitorësh që merren me investime në brand's! Bota nuk ka qenë keq për lekë dhe kur ka qenë në kriza të mëdha - ka qenë keq për IDE! Ndaj jo të gjithë bëhen të pasur. Bëhen ata që kanë ide inovative dhe duan të ndryshojnë gjërat e ata që duan të punojnë dhe kanë bindje në trurin e tyre që 'do ia dalin'. Nuk i kuptoj hamendësimet idiote të medias apo presionin që pretendojnë të ushtrojnë tek unë. Une nuk jam Edi Rama apo Sali Berisha që ti si media shqiptare më thua: Ke marre votat dhe ku i ke premtimet që ke dhënë para 2 vjetësh kur kishte zgjedhje. Unë nuk i kam kërkuar ndonjë lek borxh, apo nuk i kam premtuar asgjë asnjeriu! Kjo është sfidë e imja dhe vetëm e imja si njeri. Sepse unë jam njeri i sfidave... Dhe sigurisht nëse kjo sfidë do të realizohet, gjë që nuk kam dyshim për këtë në një mënyrë apo një tjetër, atëherë do bëj histori. Sepse jam e vetmja artiste e lindur në Shqipëri dhe e rritur në Shqipëri dhe kam nisur karrierën në një vend pa sistem dhe u bëra... Tek e fundit jeta shpaloset në proporcion të kurajos tënde... Më qeshet me titujt idiote të portaleve! U bë Bleona, nuk u bë Bleona…

Sepse unë jam në procesin e realizimit të ëndrrës time dhe presioni me të cilin përballem kur ju them jam nga Shqipëria është mjaft! Se kujtojnë që unë jam Borati apo e kujtojnë Shqipërinë si Afganistani. Dhe unë kam presion derisa i vendos pikat mbi 'i', kur ata më shohin në skenë - pastaj ndërrojnë mendim. Nuk kam nevojë për presionin idiot te medias këtu, dhe injorantëve të ‘Facebook’ e portaleve, sepse ai që me momentin kur prezantohem që jam nga Shqipëria është mjaftueshëm”.

Projekti më i afërt është flimi krah Dolph Lundgreen, që del në pranverë të 2017-ës e sigurisht një këngë e re dhe një 'reality show' i ri.

Me presion apo jo, Bleona Qereti nuk e llogarit lodhjen, stresin, por vazhdon me të njëjtin ritëm. Besojmë se kjo do të jetë për një kohë të gjatë, derisa ajo ta shohë veten atje ku synon të arrijë e më në fund të gjithë ne ta “lëmë rehat”, sepse ajo s'na përket neve. Bleona është tashmë një brand botëror dhe me apo pa 'miratimin' tonë, ajo do ta arrijë atë që do./ERALDO REXHO Revista ''Who''

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Isopolifonisti Lefter Çipa mbledh në shtëpinë e tij në Pilur mediat gjermane dhe i mrekullon me gjuhën e polifoninë tonë (FOTOT)
Dy makina përplasen me kamionin, 3 të plagosur »
Article Logic
Execution time: 0.0070359706878662
array(1) { ["section"]=> string(87) "bleona-brand-i-qe-te-gjithe-e-duam-si-u-shnderrua-ne-kengetaren-e-njohur-boterore-44056" }