“Bllofi” i Kumbaros, në vend të sqarojë thellon skandalin e zhdukjes së 240 monumenteve kulturore në Gjirokastër (Mashtron ministria apo UNESCO?)

Publikuar tek: kulture-art, më 12:02 04-02-2017 “Bllofi” i Kumbaros, në vend të sqarojë thellon skandalin e zhdukjes së 240 monumenteve kulturore në Gjirokastër (Mashtron ministria apo UNESCO?)

Ministria e Kulturës ka reaguar dje pas lajmit të publikuar nga gazetarja  Julia Vrapi në “Sot” për reduktimin e pasurisë botërore në Gjirokastër. Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës bëjnë me dije se në procesin e përditësimit të listës së pasurive kulturore, si dhe në vijim të rekomandimeve të UNESCO-s, kanë bërë verifikimin në terren të të gjitha objekteve që ndodhen brenda Qendrës Historike të Gjirokastrës dhe të të gjithë dokumentacionit arkivor. Në vijim të reagimit zyrtar, thuhet se nga ky përditësim rezultoi se lista e inventarit fizik të objekteve që ndodhen brenda Qendrës, pjesë e dosjes së Gjirokastrës në UNESCO nuk ishte shoqëruar asnjëherë me vendimmarrje (shpallje) të monumenteve të kategorisë së dytë.

“Në fund të këtij procesi vlerësimi, Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, në bashkëpunim me DRKK Gjirokastër, hartuan listën e 323 monumenteve të kategorisë II që u shpallën me vendim nr.60 dt. 11.03.2016 të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve dhe urdhër të posaçëm të Ministrit të Kulturës. Ndërkohë më herët, me VKM nr 619 datë 07.07. 2015, është miratuar Rregullorja “Për mbrojtjen, konservimin e integruar dhe administrimin e Qendrës Historike dhe Zonës së Mbrojtur në qytetin e Gjirokastrës” që siguron mbrojtje dhe ruajtje, jo vetëm për monumente të kategorisë I dhe të kategorisë II, por për çdo objekt tjetër brenda Qendrës historike - pjesë e ansamblit arkitektonik të Gjirokastrës. Deri në vitin 2013, Gjirokastra kishte të shpallura në qytet vetëm 71 monumente duke përfshirë edhe Qendrën historike, në 2016 shpallen 323 monumente, pra në total sot kemi në listë 394 monumente në qytet”, thuhet në njoftimin e ministrisë. Por ndërkohë që ministria dërgon njoftimin bashkë me dy listat e monumenteve të kategorisë së dytë, Berat dhe Gjirokastër, lista në faqen e UNESCO-s për Gjirokastrën tregon një numër tjetër monumentesh, më saktë një numër prej 559 monumentesh.

Pra, shkruan gazetarja Vrapi, kemi një mospërputhje të numrit të monumenteve të kategorisë së dytë, që janë në listën që prezanton ministria dhe IMK, si dhe asaj që ndodhet në faqen e UNESCO-s. Por për këtë fakt, ministria nuk jep asnjë shpjegim. Teksa merr përsipër të deklarojë se shkrimi i publikuar ditën e djeshme nuk është i vërtetë, ministria do të bënte mirë që bashkë me akuzat të sqaronte fillimisht publikun se ku kanë shkuar 236 monumente të kategorisë së dytë, të cilat ekzistojnë në listën e UNESCO-s dhe jo në listën e përditësuar të IMK. Çfarë ka ndodhur me këto monumente? Është mashtruar UNESCO në 2005 nga paraardhësit e Kumbaros, në lidhje me numrin real të këtyre monumenteve në Gjirokastër, apo lista është reduktuar nga Kumbaro dhe specialistët e saj për shkak se nuk mund ta mirëmbajë një numër kaq të madh monumentesh? Si qëndron e vërteta, ndërsa dihet që pas pranimit të Gjirokastrës, UNESCO, nuk mund të mos ketë verifikuar në terren dosjen e plotë të pasurisë kulturore të këtij qyteti? Kush po mashtron lidhur me këtë skandal të përmasave të padëgjuara në këtë fushë, Ministria e Kulturës, apo UNESCO? Në mungesë të një informacioni të tillë, gazeta “SOT” i sjell në vëmendje Ministrisë së Kluturës një ballafaqim mes të dhënave zyrtare të IMK dhe UNESCO-s. 

Lista e monumenteve

Lista që gjendet në faqen e UNESCO-s, të cilën e gjeni në këtë link:  http://whc.unesco.org/uploads/nominations/569rev.pdf, rendit 559 monumente të kategorisë së dytë në Gjirokastër, ndërsa lista e Ministrisë së Kulturës e cila gjendet në këtë link: http://www.kultura.gov.al/files/neës_files/Vendimi_Nr.60_dt.11.03.2016-_Gjirokaster.pdf, rendit 323 monumente. Për më qartë, lista e UNESCO-s për Pazarin e Vjetër tregon 90 monumente, ndërsa IMK 55, pra nuk janë 35 monumente. Lagjja Varosh ka 103 monumente sipas UNESCO-s dhe 38 sipas IMK. Diferenca është 65 monumente. Lagjja Hazmurat përfaqësohet në UNESCO me 72 monumente, ndërsa në IMK me 70 copë. Diferenca është 2 monumente. Sipas listës së UNESCO, lagjja Palorto ka 105 monumente të kategorisë së dytë ndërsa sipas IMK ka 65 monumente, çka tregon se mungojnë 40 monumente. Lagjja Dunavat ka 75 monumente sipas listës së UNESCO dhe 48 copë sipas IMK. Në listën e këtij të fundit nuk figurojnë 27 monumente. Në Manalat, sipas UNESCO kemi 28 monumente ndërsa sipas IMK janë 12 monumente. Edhe këtu nuk figurojnë 16 monumente. Lagjja Cfakë në IMK është me 14 monumente, ndërsa në faqen e UNESCO nuk përmendet fare. Lagjja Partizani në UNESCO posedon 46 monumente, ndërsa sipas IMK ka 21 copë. Pra, mungojnë 25 monumente. Lagjja Meçite figuron në UNESCO me 40 monumente, ndërsa në IMK nuk figuron fare. Lista e UNESCO-s tregon në total një numër prej 559 monumentesh të kategorisë së dytë, ndërsa IMK 323 monumente. Krahasimi mes dy listave tregon se në listën e IMK mungojnë 236 monumente të kulturës së kategorisë së dytë. Se ku kanë “firuar” këto objekte, këtë duhet të na e shpjegojë pikërisht Ministria e Kulturës.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Dorëshkrimet e fundit të Dritëroit do t’ju shkrijnë gazit (MOS I HUMBISNI)
Vëllai i Agollit ngre në këmbë sallën: Ishte vëllai im, vëllai i të gjithëve ne. Ai kishte akoma dhe shumë për të thënë… »
Article Logic
Execution time: 0.01932692527771
array(1) { ["section"]=> string(145) "bllofi-i-kumbaros-ne-vend-te-sqaroje-thellon-skandalin-e-zhdukjes-se-240-monumenteve-kulturore-ne-gjirokaster-mashtron-ministria-apo-unesco-67712" }