Blushi: Funerali i Rilindjes, me krenaristë e kanabistë

Publikuar tek: politike, më 06:47 20-04-2015 Blushi: Funerali i Rilindjes, me krenaristë e kanabistë Ben Blushi

Në një shkrim botuar sot në gazetën ‘’Panorama’’, deputeti i PS-së Ben Blushi bën një analizë të situatës në Partinë Socialiste, që për të është drejt organizimit të ‘’funeralit’’-fundit.

“Për mua, ky është funerali i Rilindjes, në të cilin jemi ftuar të marrim pjesë. Çudia është se Rilindja akoma nuk e di që janë mbledhur ta përcjellin. Nëse kjo është për të qeshur, është e vetmja pjesë komike e kësaj drame politike. Nëse sheh çfarë po ndodh me Rilindjen, kauzën që kërkoi besim dhe u votua përpara 22 muajsh, kupton se ajo është kthyer në një institucion të paadministrueshëm. Rilindja nuk ka më kontroll mbi veten dhe prandaj nuk parashikon dot pasojat që po afrojnë. Rënia e lirë është tipari i saj më i dukshëm. Mediokriteti është pesha e papërballueshme që e tërheq poshtë. Hipokrizia është shkëlqimi që shohim në ajër. Neveria është shija e saj. Vrima është gjurma. Zbrazëtia është zhurma.’’, shkruan Blushi.

Sipas tij Rilindja (PS-ja) nuk ka frymë, organizim, motivim, mobilizim, ide, nuk mbrohet, nuk mendohet, nuk pendohet, por vetëm rrëzohet dhe bie.

“Bie në gropën e vet ideologjike, e cila ishte e dukshme që ditën që u krijua. Rilindja ishte ambalazhi i një kutie, që koha provoi se ishte e mbushur me ujë fiziologjik, që vlen vetëm për të pastruar veshët, hundët dhe lëkurën, por meqë është vetëm ujë, derdhet dhe prandaj zbrazet. Rilindja nuk kishte ideologji, nuk kishte parime, nuk kishte personalitet, por kishte vetëm ambicie fizike për të ardhur në pushtet. Dhe ia arriti të bjerë në gropën e pushtetit, të cilën po e zgjeron. Me shpejtësi dhe këmbëngulje. Sepse këmbëngulja e Rilindjes për të shkuar në vetëvrasje është e paqortueshme. Shpejtësia për t’u mbuluar me dhé është e pakonkurrueshme.”, shprehet Blushi.  

Blushi mendon se ‘’funerali i PS-së’’ ishte i parashikueshëm sepse: “Për shkak të detyrimit për të fituar, Partia Socialiste bëri koalicion. Ia la pushtetin Rilindjes. I dhuroi organizimin dhe i huazoi zgjedhësit. Por, megjithëse fitoi zgjedhjet, Partia Socialiste nuk qeverisi asnjë ditë. Që nga dita e parë qeveris Rilindja. Qeveris ambalazhi dhe jo kutia. Prej dy vitesh, në Partinë Socialiste askush nuk mblidhet dhe askush nuk zgjidhet, megjithëse sipas ligjit të kësaj partie zgjedhjet janë një herë në katër vjet, Asambleja mblidhet një herë në tre muaj dhe Kryesia të paktën, një herë në muaj. Por Rilindja nuk ka statut, nuk ka norma, nuk ka ligjësi dhe nuk ka forume. Ajo ka vetëm ambicie. Ajo nuk është çadra që duhej të ishte. Rilindja është vetëm shi. Vetëm ndëshkim. Dhe çdo gjë që nuk është rilindje, Rilindja e quan krim. Përfshi edhe vetëvrasjen e saj, për të cilën duhet ndihmuar.”

Për Blushin rilindistët kanë gjuhën edhe simbolet e tyre.  “Gjuha e tyre është një kollare që tundet në televizor. Rilindistëve u duket si flamur dhe i përulen. Simboli i tyre është një papagall që bën selfie. Atyre u duket si një shqiponjë dhe prandaj ia japin flokët për t’i bërë pupla që të rrijë në ajër”, thekson Blushi.

Për deputetin Blushi rilindistët janë dy lloje krenaristë dhe kanabistë.“Një krenarist do ishte krenar edhe në kushtet kur gjithë nxënësit e një shkolle mbeten në klasë. Në këtë rast, krenaristi do thoshte: ne jemi krenarë që të gjithë nxënësit kanë mbetur në klasë, sepse kjo ka ndodhur me forcat tona. Në regjimin e kaluar të gjithë e kalonin klasën, sepse paguanin mësuesit. Prandaj jemi krenarë që kemi zhdukur korrupsionin dhe asnjë notë nuk është e pamerituar. Ja pse jemi krenarë! Si ka mundësi që ju nuk jeni?”, argumenton Blushi.

Kurse kanabistët për Blushin janë rrethi i dytë i rilindistëve.

“Ata nuk qeverisin direkt, por mbështesin krenaristët në çdo dështim. Duken më të freskët dhe më të motivuar ditët e fundit, kur vetë Rilindja e ka zbehur krenarinë për krenaristët.Kanabistët kanë një tipar të cilin nuk e fshehin dhe prandaj janë të sinqertë, çka bie menjëherë në sy. Ata duan të fitojnë vetëm me ndihmën e shtetit. Shteti është banka, shteti është prona, shteti është sipërmarrja, ndërmarrja, huamarrja dhe pengmarrja e tyre.  Dhe, megjithëse e dinë se në krahasim me krenaristët, teknika e tyre ka shumë defekte, janë krenarë që papërgjegjshmëria e tyre është perfekte.Kanabistët, pra, propozuan legalizimin e kanabisit. Jo si një mjekim, por si një shpëtim. Jo si kurë, por si ekonomi. Ata duan që ne të besojmë se legalizimi i kanabisit është një reformë ekonomike që do dyfishojë buxhetin, do hapë vende pune, do shtojë investimet e huaja, do zgjidhë krizën e bujqësisë, do ulë kriminalitetin dhe do t’i shtyjë studentët të mësojnë më shumë për shkak të frymëzimit që shkakton tymosja e pacensuruar. “, argumenton Blushi, duke shtuar se shtrimi i çështjes së legalizimit të kanabisit e bëri edhe më të dukshëm dyshimin popullor mbi mungesën e ideve ekonomike të Rilindjes.

“Kështu pra, me këmbenguljen e rilindistëve, me besimin e krenaristëve në përjetësinë e Rilindjes, me dehjen e paimitueshme të kanabistëve, të gjithë po marrim pjesë në funeralin e Rilindjes. Fatkeqësisht nuk mund të mungojmë dot, megjithëse shumë prej nesh e miratojnë atë. Edhe unë pa dyshim.”, e mbyll metaforikisht analizën Blushi

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Baton Haxhiu: Në Durrës, favorite Grida Duma; Vangjush Dako s’duhej të kandidonte
Arben Tafaj: Vizioni im, drejtësi publike për qytetarët »
Article Logic
Execution time: 0.078974008560181
array(1) { ["section"]=> string(58) "blushi-funerali-i-rilindjes-me-krenariste-e-kanabiste-9205" }