Blushi: Si i lëkundën nga narcizmi raportet me Turqinë, Greqinë e Maqedoninë

Publikuar tek: politike, më 08:19 25-05-2015 Blushi: Si i lëkundën nga narcizmi raportet me Turqinë, Greqinë e Maqedoninë Ben Blushi gjatë vizitës së tij në Kumanovë

Blushi analizon marrëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë, Greqinë e Maqedoninë, duke thënë se ato u dëmtuan brenda një javë prej narcizmit infantil dhe kompleksit të përmasës sonë.

“Nëse i ndërtojmë marrëdhëniet me vendet e tjera duke u nisur nga përmasat tona, një herë të mëdha dhe një herë të vogla, ky është një narcizëm infantil, që të shtyn të besosh se dukesh i madh para të vegjëlve dhe i ri para të mëdhenjve. Kjo do të thotë t’i trajtosh shtetet si njerëzit…Ajo është një pengmarrje ndaj të dobtëve si në rastin e Maqedonisë, një hile me ata që s’mendojnë si ti, si në rastin e Greqisë dhe një përulje mashtruese ndaj të fortëve, si në rastin e Turqisë…Ky nuk është pragmatizëm. Ky është narcizëm. i gatuar me dhunë, i marinuar me hile dhe I paralajmëruar në fushatë me zile’’, shkruan sot Blushi te gazeta ‘’Panorama’.

Sipas tij ne kemi kompleksin e përmasës.

‘’Kryesisht vendet e vogla si ne, kanë dhe do të kenë kompleksin e përmasës. Ne kemi qenë dhe do jemi një vend i vogël, të cilit në histori të gjitha shtetet e tjera i janë dukur më të mëdha, më të pasura, më të forta dhe më të lidhura stategjikisht me fuqitë e Evropës, me Amerikën dhe Rusinë. Ky kompleks na shoqëron ende. Kompleksi i përmasës së deformuar është rreziku kryesor i diplomacisë sonë, siç u shfaq edhe në ditët e fundit në raportet me Turqinë, me Greqinë dhe Maqedoninë.”, thotë Blushi.

Deputeti i PS-së, i konfliktuar shpesh së fundmi me Ramën në lidhje edhe me masat që po zbaton brenda vendit, ka bërë sot analizën e lëkundjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me tre vende.

Për TURQINË

‘’Me Turqinë kompleksi i përmasës shfaqet në formën e zvogëlimit. Na duket vetja shumë të vegjël dhe pranuam të fyemi nga presidenti i Turqisë, i cili erdhi këtu duke besuar atë që i ishte premtuar. Ne e ftuam Erdoganin për të na fyer. Natyrisht, presidenti i një vendi më të vogël nuk do kishte besuar kurrë se Shqipëria mund të mbyllte shkollat e veta, siç e besoi presidenti i Turqisë. Me gjithë delirin e vet neootoman, presidenti turk nuk do ishte nisur në Tiranë për të luftuar kundërshtarët e vet politikë nëse nuk do i ishte premtuar paraprakisht ajo që kërkoi, apo nëse nuk do i ishte krijuar përshtypja se ajo që kërkohej do i jepej…Dhe ajo që ndodhi, nuk ndodhi nga ndryshimi i qëndrimit, por nga frika për ta thënë qëndrimin. Nga frika e përmasës së Turqisë. Nga kompleksi i një vendi të vogël, që duhet të ketë frikë nga një vend i madh’’

Për GREQINË

‘’Kalojmë te Greqia. Me Greqinë kompleksi i përmasës ka një përmasë tjetër. Ai po shfaqet në formën e kontrastit ideologjik. Pra, të nevojës për të bërë diferencën mes kapitalizmit tonë dhe atij grek, çka është një idiotësi profane. Dikush në Tiranë beson atë që edhe në Europë nuk e besoj njeri. Pra se Greqia po kthehet në kapitalizëm social të dënueshëm dhe shumë shpejt falimentues. Dikush në Tiranë duket sikur beson se kapitalizmi ynë është më evropian, pra është në drejtimin e duhur, prandaj është më i madh, ndërsa ai grek është në rrugë të gabuar, është në humnerë, prandaj është më i vogël. E kanë gabim. Me gjithë devijimin e vet të panjohur, kapitalizmi grek është gjithsesi më europian, sepse është më human, ndërsa ky i yni duke qenë më anarkik, jonjerëzor dhe autarkik është pothuajse afrikan.”

“Ky është një kompleks servil, që hiqet si supremaci ideologjike. Është njëlloj sikur një mace t’i mburret një qeni se ajo mund të fshihet në një shishe për shkak të përmasës, çka qeni nuk e bën dot, pikërisht për shkak të përmasës. Në përgjithësi ky është një kompleks servil. Jo ndaj Greqisë, por ndaj Europës, së cilës me këtë rast duam t’i themi se megjithëse një vend i varfër, ne nuk do ndotemi nga virusi grek Iimbështetjes për të varfrit dhe huamarrjes së negociueshme, paçka se varfëria në Shqipëri po rritet dhe borxhi po kapërcen 80 për qind të prodhimit të brendshëm...Por ne na drejton kompleksi i përmasës së lexuar gabim. Ne besojmë se ideologjikisht jemi më afër Europës, ndërsa Greqia është më larg dhe prandaj ka ardhur dita të sqarojmë hesapet. Edhe nëse ky është një avantazh, nuk është një avantazh që duhet shfrytëzuar, sepse kjo rrugë nuk na çon askund. ’’

Për MAQEDONINË

“Kalojmë te Maqedonia. Në këtë rast, kompleksi i përmasës shfaqet në formën e zmadhimit. Kjo përmasë e kompleksitetit të përmasës është dhe më e dukshme, sepse gjërat e mëdha duken më shumë se të voglat. Ne jemi një vend më i madh se Maqedonia. Atje ka më shumë se 30 për qind shqiptarë, të cilët jetojnë me sytë nga Shqipëria, por kjo nuk duhet të jetë arsye për të kërcënuar Maqedoninë, siç ndodhi këtë javë kur paralajmëruam veton për antarësimin në NATO të këtij vendi. Asnjë njeri, që nuk ngatërron marrëdhëniet mes njerëzve me marrëdhëniet mes shteteve, nuk do ta bënte këtë gafë. Kjo është njëlloj si të mbash peng një biznes për një licencë. Është njëlloj si të mbash varur një njeri për një hall. Është njëlloj si të kushtëzosh votën për një vend pune. Të gjitha këto ndodhin çdo ditë në Shqipëri. Shteti ynë kushtëzon çdo ditë qytetarët e vet për arsye politike. Për shkak të kompleksit të përmasës, pra me bindjen se sot jemi një vend më i madh se Maqedonia, ne e huazuam këtë metodë edhe në marrëdhëniet mes shteteve..Ne kemi përfituar më shumë se kushdo nga heqja e vetove të mundshme. Atë që s’na e kanë bërë të tjerët, ne s’mund t’ia bëjmë askujt tjetër. Kjo do të thotë të jesh i padrejtë. Kjo do të thotë të jesh kanosës...Ne hyjmë në NATO pasi fatmirësisht askush nuk vuri  veton dhe fituam një instrument besimi. Tani po e përdorim kundër të tjerëve. Ky është një abuzim. Është njëlloj sikur të të pranojnë në një klub dhe të vjedhësh çelësin duke mbyllur derën për të ngjashmit e tu.’’

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Kandidati i së majtës në Vorë: Votova dy herë për PD, por u zhgënjeva
Kosova kujton takimin me Laura Bush në maternitet. Mediu i’u përkthen të rinjve fjalën e kongresmenëve amerikanë »
Article Logic
Execution time: 0.025158166885376
array(1) { ["section"]=> string(80) "blushi-si-i-lekunden-nga-narcizmi-raportet-me-turqine-greqine-e-maqedonine-11910" }