Blushi-socialistëve: Kush i bën më shumë dëm Shqipërisë, ‘’fytyra’’, apo ‘’pasqyra’’?

Publikuar tek: politike, më 07:25 27-04-2015 Blushi-socialistëve: Kush i bën më shumë dëm Shqipërisë, ‘’fytyra’’, apo ‘’pasqyra’’? Ben Blushi

Nëpërmjet disa pyetjeve drejtuar socialistëve, Ben Blushi flet edhe njëherë për gjendjen ku ndodhet Shqipëria. Figurativisht, Blushi ka përdorur ‘’fytyrën’’, e cila simbolizon të vërtetën që duhet thënë në sy dhe ‘’pasqyrën’’, e cila ka mbajtur ‘’fajet’’ e fytyrës, kur e vërteta nuk na ka pëlqyer.

Ditë më parë në një dalje të tij për të bërë një rezyme të punës së Ministrisë, kandidati i së majtës për Bashkinë e Tiranës Erion Veliaj përmendi ndër të tjera edhe fabulën e lojës me pasqyra, duke thënë se puna e qeverisë dhe ministrisë që ai drejton nuk ka qenë aspak si ajo e lojës me pasqyra, por shumë e qartë në rrugën e saj dhe në atë rezultat që pritet.

Kurse Blushi, në fakt, i rendit një socialisti të thjeshtë arsyet pse ka folur këto ditë.

“A e di se çdo vendim që merret në Partinë Socialiste, nuk është më kolegjial, por vetëm personal? A e di se ne erdhëm në pushtet duke premtuar 300 mijë vende pune? A e di se sipas shifrave zyrtare papunësia është shtuar me 7 për qind? A e di se Shqipëria po zvogëlohet? A e di se çdo ditë nga Shqëipria ikën një lagje? A e di se çdo muaj zhduket një fshat? A e di se vetëm gjatë vitit të kaluar nga Shqipëria kanë ikur 46 mijë shqiptare? …

A e di se kemi një qeveri të papërgjegjshme, e cila ende nuk i ka bërë thirrje kujt të mos largohet nga Shqipëria, por me pabesi thotë se fajin për eksodin e kanë qeveritë e Europës, që marrin emigrantë për të përballuar nevojat e tregut të tyre të punës?..

A e di se në Parlament po votohet një ligj që parashikon t’i sekuestrohet shtëpia atij që nuk ka paguar energjinë elektrike? A di ndonjë rast kur dikujt i është sekuestruar shtëpia për shkak të abuzimit, korrupsionit apo evazionit fiskal. A e di se duan të votojmë këtë padrejtësi që duhet reformë?...

A e di se çdo shqiptar që lind, duhet të paguajë një borxh prej 3000 eurosh që brezat ua lënë brezave pa asnjë arsye të qenësishme? A e di si do ta lajmë këtë borxh? A e di se shpenzimi kryesor i qeverisë është pagesa e borxhit, në vend që të ishte arsimi, shëndetësia, pagat, pensionet dhe shërbimet publike?....

A e di se kush është futur në Parlamentin e Shqipërisë? A e di se shqiptarët mendojnë se në Parlament mund të hysh vetëm nëse vret, nëse vjedh, nëse je i pashkollë apo nëse je i pasur? A e di se në Parlamentin tonë po të vrasësh quhet punë, kurse të bësh një libër duhet dembelizëm i ushqyer me taksa? A e di se kush I futi vrasësit në Parlament? A e di pse I futi? A e di që e dinte kur i futi? A e di që partitë e atyre që vranë janë ende në aleancë me ne? A e di që, nëse duhet të kandidosh për deputet apo kryetar partie, pyetja e parë që bëhet është sa lekë ke? Sa vota do blesh? Sa të varfër do ushqesh me miell dhe vaj ditën e zgjedhjeve? A e di që të pasurit zgjidhen kurse të varfërit vetëm zgjedhin?....

A e di se 1 milion votat që morëm në qershorin e vitit 2013, sot me sa duket nuk dalin? A e di që kemi marrë në koalicion të gjitha partitë që ishin në qeveri deri në qershorin e kaluar?

A e di, i dashur mik, se të gjitha janë vendime personale? A e di se askush nuk është pyetur për sa më sipër, por përkundrazi, të gjithë janë detyruar të mbrojnë fytyrën për të ndëshkuar pasqyrën? A e kupton atëherë pse flas? A mendon akoma se është më mirë të mos flas? A beson se dëmtoj më shumë kur hesht apo kur flas? A e kupton tani kush i bën më shumë dëm Shqipërisë? Fytyra apo pasqyra?”, shkruan sot Blushi në gazetën ‘’Panorama’’.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Berisha akuza të forta ndaj Klosit: Agjent i dyfishtë, i implikuar në trafiqe kriminale
Hahn: Fuqëzimi i Ballkanit, në interes të BE »
Article Logic
Execution time: 0.018738031387329
array(1) { ["section"]=> string(78) "blushi-socialisteve-kush-i-ben-me-shume-dem-shqiperise-fytyra-apo-pasqyra-9752" }