Gjergj Bojaxhiu i përgjigjet akuzave: Përpjekje përmes shpifjes për të mbjellë mosbesim ndaj nesh

Publikuar tek: politike, më 13:39 17-05-2015 Gjergj Bojaxhiu i përgjigjet akuzave: Përpjekje përmes shpifjes për të mbjellë mosbesim ndaj nesh

Kandidati i pavarur për Bashkinë Tiranë, Gjergj Bojaxhi, i është përgjigjur akuzave që qarkullojnë në media se kandidatura e tij shërben për të përçar votat e Partisë Demokratike.

Bojaxhi e quan një mbjellje mosbesimi ndaj tij, përpjekjen përmes shpifjeve, trillimeve dhe akuzave.

“Përbaltja dhe sulmet kundër karakterit përmes shpifjeve, trillimeve, gënjeshtrës, sharjeve e thashethemeve kanë qenë gjithmonë një nga mjetet më të fuqishme me të cilin regjimet autokratike dhe elitat e korruptuara kanë mbajtur pushtetin e tyre. Skema është e thjeshtë: nëse dikush ngre zërin apo guxon t’i sfidojë, atëherë ai, jeta e tij, familja e tij, shoqëria e tij sulmohen e përbalten deri sa atë ta lërë vullneti e të tulatet sërish”, shkruan Bojaxhi.

Sipas Bojaxhiut, ata që shpifin e përbaltin atë, duan të kenë njerëz gojëkyçur dhe jo njerëz që vendosin të reagojnë.

“Kur së bashku i hymë kësaj sfide të vështirë për të ndryshuar qeverisjen e Tiranës, shumë nga ne e dinim që ata që kanë siguruar pushtet e pasuri përmes manipulimit, korrupsionit, grabitjes, keqbërjes e shkeljes së ligjit nuk duan që ne të reagojmë, nuk duan që ne të ngrejmë zërin, nuk duan që ne të veprojmë. Ata na duan apatikë, përtacë, të dëshpëruar, gojëkyçur, mendjembyllur. Ata duan që ne të mendojmë për të ikur nga ky vend e jo për ta ndryshuar atë”, shprehet kandidati për bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi.

Sipas tij, këto përpjekje bëhen për të mbjellur mosbesimin dhe dyshimin, sepse mosbesimi garanton sundimin e tyre.

“Ndaj ata po përpiqen çdo ditë që përmes shpifjes dhe përbaltjes të mbjellin dyshim e mosbesim ndaj nesh e mes nesh. Sepse mosbesimi na mban të përçarë e të dobët. Sepse mosbesimi garanton mos ndryshimin. Sepse mosbesimi garanton sundimin e tyre.

Por ne, që kemi qenë të ndershëm në jetën tonë e që jemi sot të ndershëm në qëllimin tonë, nuk çkurajohemi. Ne besojmë tek njëri-tjetri. Ne besojmë tek forca jonë për të sjellë ndryshimin”, shkruan ai.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Prezantimi i Gëzim Topçiut në Maliq, Peleshi: Opozita ka për qëllim të vrasë shpresën
Grida Duma takon rastësisht profesorin gjatë takimit elektoral, e përqafon me mall »
Article Logic
Execution time: 0.013943910598755
array(1) { ["section"]=> string(94) "bojaxhi-i-pergjigjet-akuzave-perpjekje-permes-shpifjes-per-te-mbjelle-mosbesim-ndaj-nesh-11348" }