BREXIT, fitorja e Sadiq Khan dhe Europa

Publikuar tek: analiza-komente, më 14:23 25-06-2016 BREXIT, fitorja e Sadiq Khan dhe Europa

Nga Niko Peleshi*

Shumë pak kohë pas sulmeve të përgjakshme terroriste në Paris, Ankara, Bruksel, kur dukej se radikalizmi dhe islamofobia po fitonin argument dhe mbështetje, në Londër një kandidat për Bashkinë e kryeqytetit britanik, me prindër emigrantë, pakistanezë të besimit musliman fitoi numrin më të madh historik të votave në mbështetje të një kryebashkiaku në Europë. Sadiq Khan artikuloi më herët se kundërshtari konservator, platformën e vet për Londrën, përsëriti shpesh dhe qartë mesazhet e veta, nuk u kompleksua nga “pikat e veta të dobta” dhe u përpoq me sukses të bindë opinionin londinez se ekstremizmi mund të sfidohet më së shumti nga muslimanët e zakonshëm.

Por përtej personalitetit, karizmës dhe strategjisë elektorale të Khan, dukej sikur më në fund ishte zgjuar një vetëdije e hollë, si ato që kanë vendosur gurët kilometrikë në historinë e Europës. Një vetëdije që pranon me guxim se sfida e sotme e qytetërimit europian është shpëtimi i projektit politik të Bashkimit Europian, ngritur mbi një sistem vlerash europiane ku duhet të shtohet bashkëjetesa integrale multikulturore dhe pa fobi .

Vota për BREXIT, pra në favor të daljes së Britanisë së Madhe nga BE, në fakt nuk ishte një lëvizje e Londrës në kah të kundërt brenda fare pak muajsh, pasi Londra votoi në masen 70% kundër largimit. Ajo vetem sa na tregoi se kriza europiane para se të jetë ekonomike është sociale.

Struktura sociale e votës së referendumit, ishte shumë e qartë. Të rinjtë, të shkolluarit dhe bota e biznesit ishin kundër largimit. Pensionistet, punëtoret që në mënyrë të natyrshme ndjehen më të kërcënuar nga një Britani e tregut të hapur dhe të përbashkët të punës, si dhe zonat me përqindje më të lartë të nacionalistve dhe nostalgjikëve, për arsye të vjetra dhe të reja, ishin pro largimit.Politikanët konvencionalë majtas dhe djathtas ishin kundër largimit, politikanët kontraversë ishin pro tij.

Referendumi i Britanisë së Madhe mund të kthehet tani në një reaksion zinxhir. Vendet ku nacionalizmi dhe ekstremizmi kanë fituar terren, do të jenë në presion të vazhdueshëm politik për të ndjekur rrugën e Britanisë.

Cilat janë arsyet e dështimit të përpjekjes për të mbajtur Britaninë në BE?

Është e vështirë të gjesh racionalen në votën e referendumit.

BREXIT ishte një dështim i racionales përballë iracionales, i të arsyeshmes përballë të paarsyeshmes. Ishte produkt i një çorodie sociale që i bënte te pavlerë të gjithë argumentet pro qëndrimit. Shakaje që qarkulloi në Internet se anglezët u bëne kureshtarë të googlonin për BE vetëm pasi rezultati i referendumit kishte bere buje botërore, ka një të vërtetë brënda.

Në tablonë e sotme shoqërore dhe politike, në Europë dhe përtej saj, e paarsyeshmja po përhapet për shkak të një lodhjeje të përgjithshme.

Kjo lodhje ka lindur antipolitikën.

Antipolitika nuk është një kauzë, por një gjëndje psikologjike e shoqërive të goditura sot nga armiq thuajse globale. Globalizmi si qasje dhe teknologjitë e komunimit si instrument kanë krijuar sot ndërthurrje të paimagjinueshme të ekonomive, tregjeve, financave por edhe mendimit.

Kjo qasje dhe ky instrument sot përhapin me të njëtën shpejtësi, edhe zhvillimin edhe varferinë, edhe të mirën edhe të keqen.

Kriza botërore financiare e vitit 2008, që solli si pasojë papunësi dhe pasiguri për të ardhmen për shumë vënde, vetëm sa ndezi skepticizmin dhe mungesën e optimizmit. Gobalizmi dhe teknologjitë e përhapjes së informacionit e kthyen pastaj në një opinion viral.

Ndaj Antipolitika po përhapet shpejt, pa kursyer as kombe të mëdhenj, as të vegjël, as Europën as Amerikën.

Partitë anti-BE u ulën këmbëkryq në Parlamentin Europian.

Por Europa vuan sot edhe një krizë kulturash.

Pavarësisht nga raportet numerike, sot Europa nuk është vetëm vendi i europianëve vendas.

Imagjinoni një Europë ku 20 milionët e europianëve joeuropianë ndjehen gjithnjë e më shumë në vend të huaj.

Një algjerian i lindur në Francë, flet si francez, ka pasaportë franceze, por nuk bëhet dot francez. Kur e kupton që i duhet të jetojë gjithë jetën në këtë  identitet dual, rreket të përforcojë identitetin origjinal. Gjuhën e prindërve, këngët, zakonet dhe mbi gjithcka fenë. Feja i jep një përmasë mbitokësore dhe fuqinë të përcmojë ate që nuk e pranon ashtu sic është, i jep autoafirmacionin që i duhet. Mbaj mend turqit në Gjermani. Të gjithë më thoshin që nuk e dinin më cfarë  ishin. Kur shkoj në Turqi e kuptoj që sjam më turk si turqit që jetojnë atje, më thoshte Faruku, një miku im.

Por edhe gjerman nuk bëhej dot, edhe pas 20 vitesh që jetonte në Gjermani. Edhe pasi mori nënshtetësinë gjermane, quhej turko-gjerman.

Dhe mbaj mënd që Faruku, shante gjithcka gjermane. Por Faruku ishte njeri i mirë dhe mërzija që i zjente brenda vetes nuk e tejkalonte subkoshiencën që e udhëzonte të pranonte "cenin" e vet për hir të shumeckaje të mirë që i jepte jeta në një vend si Gjermania.

Kështu Europa është bërë shtëpia e shumë emigrantëve që kanë kapërcyer barrierat e shoqërive perëndimore dhe kanë ndërtuar një jetë të ndershme, në respekt të vetes, komunitetit dhe ligjit. Shkencëtarë, afaristë, administratorë, ekspertë, mësues madje edhe politikanë me origjinë joeuropiane, kanë spikatur në këto shoqëri.

Por në milionat e europianeve joeuropianë, për të kënaqur statistikat, ka lloj- lloj temperamentesh, depresionesh, vandalësh apo kriminelësh. Ushqimi që ju jep atyre energjinë për të dalë nga rrethi i forcës së shtetit dhe të ligjit, nuk duhet kërkuar tek ekonomia por tek kultura.

Europa,për shkaqe historike, nuk ka mundur dot të jetë multikulturaliste. Ka mundur të jetë integrale, por jo multikulturaliste. Nuk është si Amerika. Të huajt në Amerikë nuk e shohin të pamundur që të quhen një ditë amerikanë. Edhe muslimanët që jetojnë në Amerikë nuk ndjenin asnje lloj segregimi para se të ndodhte sulmi terrorist i 11 Shtatorit. Ata filluan të ndjehen të integruar por të papranuar kulturalisht kur shoqëria reagoi, në mënyrë të natyrshme, duke e pare me dyshim cdo musliman. Nuk është e lehtë të gjykohet njelloj dhe lehtësisht nga të gjithë, që terrorizmi dhe islami nuk janë e njejta gjë.

Zgjedhja e Khan si kryebashkiaku i parë musliman i një kryeqyteti të madh europian, është mesazhi i parë i rëndësishëm se Europa mund të tejkalojë segregimin e muslimanëve dhe kulturave të tjera. Sic ka tejkaluar disa norma të tjera kulturore, të cilat koha i vjetëroi dhe i bëri të papërshtatshme për moralin e sotëm. Sic ka ndryshuar për shëmbull qëndrimi i europianëve në raport me familjen dhe gjininë.

Pra, nëse Franca do ta lexonte aktin terrorist ndaj Charlie Hebdo dhe sulmet barbare të Nëntorit 2015 në Paris, si një mesazh për të vepruar me dorë të hekurt, përbuzje dhe brutalitet pa u kujdesur që të mos konfondojë terroristët me muslimanët atëherë përplasja sapo ka filluar. Radikalizmi do ti fryjë polet ekstreme me militantë dhe përplasja do të jetë e vazhdueshme. As tejkalimi i problemeve ekonomike nuk do ta zgjidhë dot këtë përplasje kulturash. A është zgjidhja multikulturalizimi i Europës dhe a mund të imagjinohet një Europë multikulturale, si SHBA?

Dikush mund të mendojë edhe që përplasja dhe radikalizmi është një e keqe e domosdoshme për të turbulluar ujin para se ta kthjellojë.

Por në të kundërt nga cmund të pritet, rruga e përplasjes së ashpër vetëm sa do të rriste kredibilitetin e islamistëve radikalë duke vërtetuar narrativën e tyre se shoqëritë perëndimore kanë thellësisht të rrënjosur sektarizmin dhe islamofobinë, duke frymëzuar kështu edhe më tepër përkrahje rreth radikalëve dhe ekstremistëve.

Ndërsa fitorja e Sadiq Khan, në Londrën me shumicë jomuslimane dhe mbështëtja e tij masive nga të krishterët "e pafe", sfidon narrativën e tyre.

Deklarata e kancelares kristiandemokrate Merkel se Gjermania mund të presë 1 mln refugjatë sirianë, për radikalizmin ishte një goditje e fortë.

Po kështu edhe kur Papa Francesku ju bëri thirrje katolikëve europianë të hapin shtëpitë për refugjatët, Europa dha mesazhe të forta se qytetërimi europian ka forca të tejkalojë monokulturalizmin përjashtues.

Beteja e humbur e BREXIT nuk duhet të jetë preludi i një projekti të humbur. Është detyrë hisorike e liderave të vendeve europiane të gjejnë dhe promovojnë magjinë e këtij projekti për të frymëzuar shoqëritë e vendeve të Europës në vend që të konformohen me kërkesat e të paarsyshmes. Rritja e shpejtësisë së zgjerimit të BE me vendet aspirante duket sot sa e kërcenuar aq edhe e nevojshme për të rritur besimin dhe përkrahjen për projektin politik të Europës së Bashkuar. Zgjerimi i shpejtë i BE do të ishte një gjest i forcës dhe vullnetit për ta tejkaluar euroskepticizmin si një erë kalimtare, në historinë e gjatë të Europës.

*Zëvendëskryeministër, të drejtat e rezervuara të komentit Newsbomb.al

 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.023941040039062
array(1) { ["section"]=> string(44) "brexit-fitorja-e-sadiq-khan-dhe-europa-44571" }