Bujar Kapexhiu në një rrëfim: Si i krijoj karikaturat dhe pse Rama, Berisha dhe Basha janë më të preferuarit

Publikuar tek: kulture-art, më 10:16 24-11-2015 Bujar Kapexhiu në një rrëfim: Si i krijoj karikaturat dhe pse Rama, Berisha dhe Basha janë më të preferuarit Bujar Kapexhiu në karikaturën bërë vetes

Bujar Kapexhiu ndoshta është nga të vetmit në Shqipëri që lëvron një gjini ku bashkohet gazetaria dhe arti, i cili në botë ka përhapje: Karikaturën. Kapexhiu i njohur për karikaturat e tij me bazë politkanët, koalicionet politike, shkrimtarët, fenomenet shoqërore, rrëfen disa nga detajet e punës së tij në një intervistë për gazetën ‘’Panorama’.

Më poshtë një pjesë nga rrëfimi për gazetaren Alma Mile:

Zakonisht karikaturistët shfrytëzojnë një tipar më të dukshëm në portretin e personazhit, çfarë i mëshoni në imazhin e Dritëro Agollit?

Ka personazhe që janë shumë të vështirë për t’u vizatuar sepse tiparet i kanë shumë të rregullta dhe nuk mund të evidentosh ndonjërën. Sepse ne karikaturistët këtë presim, të zmadhojmë o hundën, o veshët, mjekrën, kokën… dhe kënaqësia e madhe është kur janë pa flokë, sepse janë shumë të kollajshëm. Në rastin e Dritëroit ka një veçanti te hunda, por çka i jep më tepër karakter, janë flokët e gjata dhe të bardha. Kjo e bën një portret shumë të këndshëm që vizatohet bukur. Personazhet që unë i vizatoj më me kënaqësi janë Edi Rama, Sali Berisha, Lulzim Basha.

bujarkapexhiu7

Ka personazhe të vështirë për t’u vizatuar?

Dy personazhet më të vështirë për t’u vizatuar janë Lulzim Basha dhe Fatmir Mediu. Më kanë munduar shumë për t’i arritur sepse i kanë tiparet e rregullta, ose siç i themi ne: janë simpatikë. Nuk janë pre e karikaturës…

Po politikanet femra, janë të vështira, si reagojnë ato?

Me femrën e kam shumë të vështirë, sepse ato vetë e kanë shumë inat karikaturën. Në natyrën e tyre, femrat përpiqen të jenë sa më të bukura, sa më të kuruara. Kur ti me karikaturë e deformon atë, është sakrilegj, është e tmerrshme. Ato nuk mund ta pranojnë këtë. Megjithatë, unë kam pasur shansin të vizatoj femra që janë më të bukura si Topalli, Dade…apo të gjitha ministret e kësaj qeverie. Secila në karakterin e vet, por natyrisht pa e sforcuar penelin, duke qenë i kujdessshëm në tiparet e tyre. Duhet kuptuar që, problemi i sasisë së deformacionit në karikaturë varet nga karikaturisti. Unë nuk e deformoj shumë portretin, u qëndroj besnik karakteristikave të tij, duke zmadhuar ndonjë tipar që është esencial në përcaktimin e karakterit të personazhit, por ajo çka unë bëj është t’i vendos ata në situata komike, pa i deformuar.

Në përgjithësi janë vizatime realiste të vendosura në situata komike, që lidhen me sjellje, me thënie, qëndrime ndaj një dukurie të caktuar. Kështu që, ana humoristike e karikaturave të mia nuk janë deformimi i portretit, por situata humoristike apo batutat që ata thonë. Pra ata nuk mërziten për shkak të deformimit, por situatës në të cilat janë vendosur dhe që e kanë krijuar vetë.

Duket si e thjeshtë, por nuk është…këtë e tregon numri shumë i paktë i karikaturistëve…

Është e vështirë sepse është në gjininë e artit humoristik. Humori, arti komik, është në përgjithësi i vështirë. Në botë ka me mijëra shkrimtarë, por shumë pak janë humoristikë. Ne kemi me qindra aktorë dramatikë, por shumë pak janë humoristë. Kemi piktorë, me mijëra ndoshta, por shumë pak janë karikaturistë. Por të shohësh në Shqipëri, në këto 25 vitet e fundit, mund të themi se nuk ka më shkrimtarë humorist, siç ka qenë Qamil Buxheli, Miço Kalamata, Niko Nikolla.

Sot që je i lirë të bësh humor, sot nuk ka, merren me tragjedi. Nëse në diktaturë mund të numëroheshin rreth 40 karikaturistë te ‘’Hosteni’’, sot mund të jemi vetëm 2 apo 3, si Arben Meksi, Mehdi Belortaja dhe unë. Me humorin politik, fatkeqësisht merrem vetëm unë.

bujarkapexhiu3

Pse ndodh kjo?

Humori politik është i veçantë, pasi kërkon ta njohësh, ta ndjekësh. Ka disa andralla dhe ndoshta edhe ndonjëri që ka dëshirë të merret me të, thotë: Ç’më duhet mua. Ka një lloj ndrojtje, për të mos thënë frikë. Shoh ndonjë karikaturë politike, të botuar në ndonjë gazetë, pa emër. Nuk më vjen mirë për këtë. Deri më sot çdo karikaturë, sado e fortë, sado e guximshme, ka pasur firmën time.

Karikatura është e vështirë edhe pse kërkon që edhe në aspekte të ndryshme të jetës, të kapësh anën humoristike, ta evidentosh atë. Mund të jetë edhe në masë fare të vogël, por këtu qëndron zotësia. Kot nuk thonë: Humori është privilegj i të mençurve! Të dish ta zbërthesh nga ana figurative, por të dish edhe të vizatosh. Pra te karikaturisti duhet të mblidhen disa cilësi. Ka shumë piktorë që s’mund ta bëjnë karikaturën. Mund të kenë vizatuar shumë mirë, por nuk e kapin dot karakterin.

bujarkapexhiu6

Pse godet kaq shumë karikatura? Madje mund të nxisë veprime ekstreme si në rastin e ‘’Charlie Hebdo’’ në Paris…

Karikatura godet shumë, sepse mund të mos kesh edhe kohë të lexosh një artikull të tërë, aq më tepër kur është I mbushur me sharje e fyerje. Kurse karikatura e ruan dinjitetin e saj dhe të personazhit. Me një të parë, kupton thelbin e fenomenit dhe kaq qëndrimin që mban karikaturisti. Ti mund të jesh ose mund të mos jesh dakord, por shikon një qëndrim. Shikon pozicionin e artistit që jep një mesazh me anë të kësaj karikature. Nëse në rrugë një njeri do të gjejë një copë gazetë, së pasi do shohë karikaturën (nëse ka), pastaj do ta lexojë, ose edhe mund të mos e lexojë fare e ta hedhë.

Por ka raste që edhe me karikaturën mund të gabosh. Me këndin e vështrimit mund ta fyesh tjetrin, nëse e vendos në pozicione vulgare e denigruese. Karikatura është një vepër arti dhe nuk duhet të fyejë. Ajo duhet të jetë artistike,por ka edhe nga ato që janë të shëmtuara, e që nuk janë më artistike, do të denigrosh, ashti si ndodhi në ‘’Charlie Hebdo’’ me Profetin Muhamed, krijohen situata jo të këndshme, revoltë e nervozizëm.

Pa dyshim nuk duhet arritur deri aty sa një karikaturë të  marrë jetë njerëzish, por ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Nëse karikatura ka një detyrë, ajo është të japë një mesazh për të mirën e shoqërisë, që ajo të ecë në rrugë të drejtë. Pra godet fenomene që nuk duhet të ekzistojnë në shoqëri, në familjë, politikë etj.

Dhe kjo duhet të jetë me kuptim, me kulturë dhe me shumë dashamirësi. Nuk mund të jetë arrogante, që edhe personazhi ta ndjejë dashamirësinë dhe të kuptojë se karikaturisti nuk ka goditur personin por fenomenin.

E ka ‘’inatin’’ me atë fjalë që ka thënë, me atë veprim që ka bërë apo me atë dukuri shoqërore, familjare etj. Ndaj dhe ne merremi shumë me dukuri si arroganca e korrupsioni, dukuri që e pengojnë ecjen e shoqërisë para.

bujarkapexhiu5

 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Shkëlqen Mishela Rapo, Shqipëria renditet e 5-ta në Eurovizionin për fëmijë (VIDEO)
Thellohet skandali / Zhduken 671 ikonat e Gjergji Thimios »
Article Logic
Execution time: 0.024432182312012
array(1) { ["section"]=> string(112) "bujar-kapexhiu-ne-nje-rrefim-si-i-krijoj-karikaturat-dhe-pse-rama-berisha-dhe-basha-jane-me-te-preferuarit-26156" }