Bushati akuza të forta Ramës: Ndjesa e tij s’ka seriozitet, i ati firmosi ekzekutime

Publikuar tek: politike, më 07:42 26-12-2015 Bushati akuza të forta Ramës: Ndjesa e tij s’ka seriozitet, i ati firmosi ekzekutime

Deputeti i PD-së në qarkun e Shkodrës hedh akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama për lidhjet e tij të afërta me nomenklaturën komuniste. Bushati thotë për Gazeta Shqiptare se ndjesa e Ramës për dekorimin e xhelatëve të komunizmit, nuk ka seriozitet, pasi i ati i tij ka firmosur ekzekutime për motive politike. Në këtë intervistë Bushati flet edhe për aksionin opozitar të PD-së që sipas tij do të intensifikohet më tej në muajin janar. Ndërkohë që 2016-ën e shikon si një vit të vështirë për shqiptarët dhe se qeveria, sipas tij i ka ditët e numëruara.

“Nuk mendoj se dikush mund të ketë ndonjë dyshim se protesta e 8 dhjetorit përsa i përket pjesëmarrjes dhe mesazheve që barti ishte një ndër protestat më të fuqishme antiqeveritare të organizuara ndonjëherë në Shqipëri gjatë këtyre 25 viteve pas rënies së regjimit komunist. Këtë fakt nuk e ka evidentuar vetëm PD, por edhe opinioni publik apo edhe mediat vendase dhe sidomos ato të huajat ndër më prestigjiozet. Ajo që vlen të theksohet është struktura dhe formati modern i organizimit të protestës pasi ndoshta për herë të parë gjatë këtyre dy dekadave në atë protestë u dëgjua zëri i të gjitha shtresave të shoqërisë shqiptare, pa dallim moshe, origjine madje edhe përkatësie apo preference politike. Lajtmotivi që shoqëroi të gjithë protestën ishte fakti tashmë i njohur se kjo qeveri dhe ky drejtim i vendit ka përkeqësuar situatën në vend në të gjitha dimensionet e saj dhe se për shkak të skandaleve, korrupsionit dhe të keqqeverisjes që kanë përfshirë qeverinë dhe pjesën më të madhe të kabinetit qeveritar që mendojnë vetëm për të mbushur xhepat e kryeministrit dhe të familjarëve të tyre me paratë e taksapaguesve shqiptarë nevoja e largimit të saj është bërë tashmë emergjente. Përsa i përket reagimit të Ambasadës së SHBA dhe të BE duhet të jemi më të kujdesshëm në leximin e mesazheve të tyre dhe prandaj më duhet t;u korrigjoj kur thoni se nuk pati mesazhe pozitive. Nga njëra anë ata përshëndetën protestën për organizimin, pjesëmarrjen dhe mesazhet e saj demokratike që u fokusuan në efektet negative që ka injektuar e ashtuquajtura reformë e rilindjes dhe nga ana tjetër mendoj se kanë plotësisht të drejtë teksa kërkojnë që protesta të qëndrojë brenda kornizave etike dhe të sigurisë. Vetëm që fukarralliku, papunësia që ka pllakosur shqiptarët është aq e madhe dhe urrejtja ndaj kësaj qeverie të korruptuar është aq e gjerë saqë prishja e një bunkeri simbol të ndërtuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe që evokon një regjim të rrëzuar 25 vite më parë nuk bën veçse provokon jo vetëm shtresën e të përndjekurve politikë, por edhe të gjithë shqiptarët që sot jetojnë shumë më keq, të shqiptarëve që sot me mijëra po marrin rrugën e emigracionit për shkak të papunësisë, korrupsionit dhe mungesës së perspektivës në vendin e tyre. Të shqiptarëve që sot shohin sesi Rama dhe ministrat e tij shpenzojnë për luks ndërkohë që vendin e ka pllakosur fukarrallëku, papunësia, krimi dhe pasiguria”, thotë Bushati për GSH.

Tashmë keni vendosur që protestat të jenë të vazhdueshme si brenda dhe jashtë Parlamentit, edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. A mendoni se mund ta rrëzoni këtë qeveri me këto veprime politike?

Protesta është instrumenti më efektiv që përdorin të gjitha opozitat në vendet demokratike. Ajo që ne synojmë përmes tyre është të vazhdojmë tu tregojmë me fakte shqiptarëve korrupsionin, krimin, papërgjegjshmërinë e kësaj qeverie dhe nga ana tjetër tu shpalosim edhe programin tonë alternativ politik që është më pak taksa, TVSH më të ulët, më shumë punësim, më shumë investime publike dhe të huaja si dhe më shumë siguri për shqiptarët. Pikërisht alternimi i këtyre dy objektivave të protestës sonë ka qenë dhe do të jetë edhe në të ardhmen thelbi i protestave kudo që ne si PD do ti organizojmë ato. Përsa i përket qëndrimit tonë brenda Parlamentit ne do të vazhdojmë të bëjmë opozitën përmes formave demokratike dhe parlamentare duke kundërshtuar të gjitha politikat dhe ligjet e qeverisë dhe të mazhorancës që bien në kundërshtim me interesat e popullit, që bien në kundërshtim me interesat e biznesit vendas dhe të huaj, që bien në kundërshtim me interesat e pronarëve dhe të burgosurve e të përndjekurve politikë, por edhe të të gjitha shtresave të tjera që goditen nga politikat qeveritare. Duke filluar nga janari PD do të zhvillojë një axhendë të ngjeshur aktivitetesh politike në shumë qytete të vendit me synimin për ta unifikuar dhe krijuar një sinergji edhe më të madhe ndërmjet grupimeve dhe shtresave shoqërore të pakënaqura me politikat e qeverisë. Përsa i përket rrëzimit të qeverisë me veprime politike siç thoni ju mendoj se ne deri më sot kemi vepruar vetëm politikisht si brenda dhe jashtë Parlamentit dhe se për vetë situatën në të cilën ndodhet vendi për shkak të keqqeverisjes, korrupsionit dhe krimit kjo qeveri është realisht e rrëzuar. Ajo nuk ka mbajtur mbi 90% të premtimeve të bëra dhe do të mjaftonte vetëm ky fakt i rëndë që kjo qeveri të largohej për mashtrim. Unë jam i bindur se 2016 megjithëse do të jetë një vit i vështirë për shqiptarët ai do të jetë një vit i tyre sepse kjo qeveri i

Ka pasur disa zëra brenda partisë tuaj që janë kritikë ndaj mënyrës se si po e drejton zoti Basha PD-në apo se si po e zhvillon PD-ja luftën e saj politike. Ju çmendim keni?

Zoti Basha është kryetar i PD, i zgjedhur me vullnetin dhe votën e lirë të të gjithë anëtarësisë së PD sipas parimit një anëtar një votë. Mendoj se qëndrimet dhe pozicionimet ndryshe brenda PD nuk janë një fenomen i ri, fakt ky që flet për demokracinë e brendshme të partisë. Në një intervistë të pak ditëve më parë i jam përgjigjur kësaj pyetje dhe dëshiroj ta ripërsëris edhe njëherë se ndryshimet lidhur me aksionin dhe retorikën politike të PD-së lidhen vetëm me formën dhe jo me përmbajtjen. Në thelb ka një dakordësi mes të gjitha figurave më të rëndësishme të PD-së lidhur me situatën në vend, ndërkohë që ka mendime të ndryshme përsa i përket formës së aksionit politik. Të gjithë janë të një mendimi se kjo qeveri ka kaluar të gjitha limitet dhe se nuk qeveris më, por është kthyer thjesht në një bandë që zhvat dhe varfëron popullin e saj. Unë dëshiroj tu siguroj ju dhe të gjithë lexuesit e nderuar të gazetës suaj se ne PD nuk ka konflikte të asaj natyre që disa media kryesisht pranë qeverisë përpiqen ti paraqesin, por ka thjesht mendime të ndryshme që janë normale për një parti demokratike që respekton pluralizmin dhe individualitetin e të gjithë anëtarëve të saj. Dhe e fundit në lidhje me këtë çështje është fakti që vendimet për aksionin politik janë vendime që merren me konsensus nga ana e forumeve drejtuese të partisë, të përcaktuara qartë edhe në statusin e forcës sonë politike.

Kryeministri Edi Rama kërkoi ndjesë publike nga Shkodra për dekorimin e ish-persekutorit të At Zef Pllumit dhe profesorit Sami Rrepishti, duke argumentuar se në fakt është ish-qeverisja e PD-së që e ka miratuar ligjin që në 1994, duke mos parë listën e atyre qe konsiderohen veteranë të kategorisë së parë. A e pranoni ju si PD këtë përgjegjësi?

Në një vend normal ajo ndjesë e kryeministrit do të ishte bërë subjekt shpotie dhe humori për të mos thënë do të ishte edhe humori më pikant i natës së ndërrimit të viteve. Si është e mundur që ky kryeministër që ka gati tre vjet në qeverisje të vendit vazhdon ende dështimet e tij ti justifikojë me qeverinë Berisha? Si është e mundur që problemi tani qëndron tek listat e hartuara 20 vjet më parë siç pretendon ai? Nuk po arrijmë të kuptojmë se për çfarë erdhi në pushtet dhe çfarë ka bërë gjatë këtyre viteve në qeverisje administrata e drejtuar nga ky dhe ministrat e tij? Nuk ka shqiptar që nuk e di se aktualisht në qeverisjen e vendit janë fëmijët dhe të afërmit e ish- anëtarëve më të lartë të nomenklaturës komuniste. Vetëm ky fakt do të mjaftonte që e ashtuquajtura ndjesë e kryeministrit të mos merrej me seriozitet, kur i ati i tij ka firmosur për ekzekutim për motive politike. Dhe më e keqja është se ndjesa e tij në kohën kur gjithçka shkon keq në këtë vend, përfshirë edhe premtimet e tij elektorale të pambajtura për shtresën e ish-të përndjekurve, nuk bën gjë tjetër veçse shton më tepër urrejtjen e kësaj shtrese persekutorësh dhe ekzekutorësh politikë që bëjnë sikur kërkojnë ndjesë ndërkohë që në realitet veprojnë në kundërshtim me interesat e kësaj shtrese.

Shkodra është njohur ndër vite për rebelizmin e saj si ndaj regjimit komunist, ashtu edhe ndaj qeverisjeve të majta ndër vite. Sërish në zgjedhjet vendore u pa që bashkia u fitua nga PD. A vazhdon ta këtë e djathta bastion Shkodrën, edhe pse herë pas here kryeministri Rama evokon një origjinë të tij shkodrane?

Fillimisht më lejoni tu korrigjoj sepse Shkodra nuk dallohet për rebelizmin e saj ndaj qeverisjeve të majta në vend. Shkodranët nga natyra janë njerëz që gjithnjë e kanë mbështetur të renë dhe demokratiken. Këtu nuk është nevoja të evokoj historinë e Shkodrës lidhur me dashurinë dhe prirjen e shkodranëve për de-mokracinë. Por periudha e diktaturës komuniste sidomos mbi Shkodrën dhe shkodranët është një nga periudhat më të errëta dhe më gjakatare që i është dashur tu imponohet përgji-thësisht me dhunë dhe vrasje në mënyrë të veçantë shkodranëve. Nuk kam se përse ta mohoj se në përgjithësi Shkodra është e djathtë, është e djathtë edhe nga fakti se qeveritë e djathta të këtyre viteve kanë qenë ato që kanë investuar më shumë për Shkodrën, për ekonominë dhe zhvillimin e saj përkundër atyre të majta. Mjafton të analizoni se çfarë ka bërë qeveria Rama gjatë këtyre viteve qeverisje për Shkodrën? Le të na thotë qoftë kryeministri apo ndonjë nga deputetët e qarkut se çfarë është bërë gjatë kësaj periudhe për të nxitur punësimin apo mbështetur biznesin, sa është rritur niveli i mbështetjes apo politikave mbështetëse ekonomike apo sociale si për biznesin ashtu dhe shtresat e tjera qofshin këto edhe në nevojë në Shkodër. Dhe sa kohë që qeveritë e majta do ta shohin Shkodrën thjeshtë si një sfidë për të thyer ndonjë hegjemoni dhe jo për të investuar apo për të implementuar programe zhvillimi, gjithnjë Shkodra dhe shkodranët do të vazhdojnë të votojnë në shumicë Partinë Demokratike si e vetmja alternativë politike që ka punuar dhe punon për perspektivën dhe zhvillimin e Shkodrës

Përsa i përket kryeministrit Rama ai nuk e ka problem të evokojë çdo lloj origjine që ai mund ta pretendojë që buron nga gjenealogjia e tij, por ajo që është fakt është se ai në këtë më shumë se dy vjet nuk ka bërë asgjë për Shkodrën, me përjashtim të investimit të tij politik gjatë zgjedhjeve vendore për kandidaten e së majtës dhe që u shpërblye me votën e merituar të shkodranëve.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Braçe për Ramën: Nuk është kryetari më i mirë i socialistëve, por është normal
Nuk ka pushim për krerët e aleancës, Rama e Meta takohen te “Vila 31” »
Article Logic
Execution time: 0.020883083343506
array(1) { ["section"]=> string(88) "bushati-akuza-te-forta-rames-ndjesa-e-tij-s-ka-seriozitet-i-ati-firmosi-ekzekutime-28580" }