Bushati bën rezymenë për Ramën, ministrat e deputetët, e quan 2015-ën “Vit diplomatik”

Publikuar tek: politike, më 14:28 20-12-2015 Bushati bën rezymenë për Ramën, ministrat e deputetët, e quan 2015-ën “Vit diplomatik” Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati e shikon vitin që do lëmë pas si një “vit diplomatik”.

Bushati bën një rezyme të ngjarjeve më të rëndësishme në botë si masakrat në Boko Haram, sulmi ndaj Charlie Hebdo, sulmet në Egjipt, sumer terroriste në Paris dhe sulmet në Kaliforni.

E ndërsa Për Shqipërinë, Bushati thotë se 2015 ishte viti i përkujtimit të sakrificave dhe përpjekjeve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, 25- vjetori i lëvizjes studentore që solli përmbysjen e diktaturës komuniste, 20- vjetori i anëtarësimit në Këshillin e Europës, dhe 60-vjetori i anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuar.

“2015: Një vit diplomatik (E plotë)

I nderuar zoti Kryeministër,

Kolegë ministra e deputetë

Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik,

Viti që po lëmë pas, na u duk si një vargan ngjarjesh të kobshme: masakrat e Boko Haramit në Nigeri, sulmi burracak kundër Charlie Hebdo, atentatet në Liban, Egjipt e Turqi, sulmet terroriste të nëntorit, sërish në Paris, dhe së fundmi sulmet në Kaliforni.

Këto akte krijuan një gjeografi të pasigurisë kolektive, ndaj së cilës asnjë shtet nuk është imun.

Në 2015-ën pamë se si pasojat e konflikteve në kufijtë periferik të Europës depërtuan në brendësi të kontinentit tonë, sic po vijon të ndodhë me valën e pandërprerë të refugjatëve nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme.

Këto zhvillime, na kujtojnë se ata që flisnin për "fundin e historisë", ishin idealistë ëndërrimtarë, të cilët besonin se vlerat e demokracisë liberale do të përqafoheshin universalisht, duke shpërfillur mësimet e historisë.

E vërteta është se sot nuk ka shtet në botë, që të mos përballet me dilemat e shkaktuara nga amullia ku gjendet rendi ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, 2015 ishte padyshim viti i aksioneve diplomatike. Aksione të cilat, risollën në plan të parë proceset politike, si të vetmet instrumente për zgjidhjen afat-gjatë të konflikteve dhe rritjen e sigurisë kolektive.

Marrëveshjet e Minskut, Marrëveshja me Iranin, normalizimi i marrëdhënieve me Kubën, Marrëveshja e Parisit mbi Klimën, Marrëveshja politike e Libisë dhe, para pak orësh, Rezoluta për Sirinë e miratuar unanimisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, janë produkte të një mënyre të re të bashkëpunimit shumëpalësh.

Kjo na shton besimin se vitin e ardhshëm do të gjejmë burimet dhe vullnetin e duhur për t'i shndërruar këto aksione diplomatike, në suksese diplomatike.

Zonja dhe zotërinj,

Për Shqipërinë, 2015 ishte viti i përkujtimit të sakrificave dhe përpjekjeve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, 25- vjetori i lëvizjes studentore që solli përmbysjen e diktaturës komuniste, 20- vjetori i anëtarësimit në Këshillin e Europës, dhe 60-vjetori i anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Ishte gjithashtu, një vit ndërveprimesh të sukseshme diplomatike, gjatë të cilit kemi ushtruar një politikë të jashtme brenda kornizës euro-atlantike dhe përkufizimit të qartë të interesave tona në Mesdhe e Ballkan, duke u orientuar nga disa boshte:

Së pari, thellimi i kursit tonë euro-atlantik dhe i partneritetit me SHBA.

Për herë të parë në historinë e marrëdhënieve dypalëshe, në Prill, nënshkruam Partneritetin Strategjik - një dokument politik i detajuar dhe një plan veprimi konkret, që jo vetëm shenjon fazën më të lartë të marrëdhënieve të deritanishme, por hedh shinat e bashkëpunimit tonë dypalësh, në rajon, e në botë për dekadën e ardhshme.

Së dyti, intensifikimi i përpjekjeve drejt anëtarësimit në BE, si gurthemel i procesit të shtet-ndërtimit demokratik.

Konkluzionet e fundvitit të Këshillit të Ministrave të BE-së, konfirmuan arritjet e evidentuara në Raportin e Komisionit Evropian, si dhe vullnetin dhe vendosmërinë e qeverisë për intesifikimin e reformave të ndërmarra në fushën e sundimit të së drejtës në ekonomi.

Rekomandimet e Komisionit, të mbështetura edhe nga konkluzionet e Këshillit, do të përbëjnë orientimin e veprimit tonë politik, drejt plotësimit të prioriteteve kyçe, për hapjen e negociatave për anëtarësim.

Nga ana tjetër, angazhimi ynë për vijueshmërinë e Procesit të Berlinit dhe konkretizimin e projekteve të përpiluara falë tij, ka qenë një tjetër element thelbësor i aksionit tonë politiko-diplomatik.

Në këtë kontekst, bashkërendimi me Gjermaninë, si një partner i fortë dhe kritik i rreptë, mori një domethënie të veçantë gjatë vizitës historike të Kancelares Merkel në Tiranë.

Së treti, pozicionimi i Shqipërisë si pol stabiliteti në hapësirën e Europës Adriatike.

Shqipëria investon në sigurinë dhe prosperitetin e rajonit, me të cilin nënkuptojmë një katërkëndësh të kufizuar në Perëndim nga Roma, në Veri nga Vjena, në Lindje nga Ankaraja dhe në Jug nga Athina.

Kjo nuk është thjesht shtrirje gjeografike, por hapësira ku artikulohen interesat imediate kombëtare të Shqipërisë, pra të kyçur në Ballkan dhe të hapur në Mesdhe.

Dëshmi të kësaj qasjeje ishin:

· Kryesia jonë e Procesit të Bashkëpunimit të Europës Jug-Lindore;

· Mbledhja e Kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë;

· Formulat e reja të bashëpunimit trilateral: Shqipëri-Itali-Serbi dhe Shqipëri-Bullgari-Maqedoni.

Ne mbetemi promotorë të paqes, e cila nuk është thjesht status-quo për hir të stabilitetit. Por një proces dinamik ku dialogu i vazhdueshëm dhe pa komplekse rimëkëmb besimin te vetja dhe te tjetri.

Së katërti, dua të theksoj angazhimin tonë të patundur për përmirësimin e arkitekturës së sigurisë në këtë kënd të Europës.

Shqipëria sot është aktor që rrezaton stabilitet në fqinjësinë e saj. Me të drejtë, Sekretari Amerikan i Shtetit Kerry, e ka përkufizuar rolin e Shqipërisë si kujdestare për vendet e rajonit që aspirojnë anëtarësimin në NATO.

Me politikën tonë të jashtme, ne kemi dëshmuar përkatësi dhe qartësi gjeo-strategjike.

Shembull i kësaj është linjëzimi 100% i qëndrimeve tona me ato të BE-së.

Orientimi dhe angazhimi ynë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm:

- duke rritur kapacitetet e mbrojtjes në kuadër të NATO-s,

- duke intensifikuar bashkëpunimin edhe në fushën e sigurisë me partnerët dhe miqtë tanë, sikurse janë vendet e Gjirit dhe Japonia,

- por dhe duke ndarë së bashku përvojën e vyer të bashkëjetesës fetare dhe tolerancës, me Vatikanin dhe Jordaninë.

E fundit por jo më pak e rëndësishme: kujdesi për shqiptarët kudo që janë, ka qenë dhe do të mbetet në qendër të aksionit tonë politiko-diplomatik.

Nëpërmjet proceseve integruese, ne synojmë që shqiptarët e rajonit të gëzojnë të gjitha instrumentet, që jo vetëm të mbrojnë të drejtat e fituara me mund, por dhe që me kulturën edhe vlerat e tyre të jenë pjesë e proceseve politike me të drejta të barabarta.

Zonja dhe zotërinj,

Në mbyllje, dëshiroj të përmend, se vetëm para pak ditësh, Paneli i Personave të Shquar për Sigurinë Evropiane si Projekt i Përbashkët, nën suazën e OSBE-së, rekomandoi se hapi kryesor për të rindërtuar themelet e sigurisë europiane është mbështetja e një procesi të fuqishëm diplomatik. Një "kthim tek diplomacia".

Jam besimplotë se edhe vitin e ardhshëm, do të konsolidojmë traditën e bashkëpunimit tonë të ngushtë!

Ju uroj Gëzuar festat e fundvitit!”.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « “Rama vë në krye të PS në Shkodër një autor vrasje”, akuza të forta nga kreu i Rendit dhe Sigurisë në PD
PS reagon për Martin Cubin: Ishte viktimë e sulmit fizik, gjykata e shpalli të pafajshëm »
Article Logic
Execution time: 0.024157047271729
array(1) { ["section"]=> string(88) "bushati-ben-rezymene-per-ramen-ministrat-e-deputetet-e-quan-2015-en-vit-diplomatik-28198" }