Bushati: PD-ja kontrollon KLSH-në, e shfrytëzon për të sulmuar qeverinë

Publikuar tek: politike, më 13:08 16-10-2015 Bushati: PD-ja kontrollon KLSH-në, e shfrytëzon për të sulmuar qeverinë

Deputetit i Partisë Socialiste, Ervin Bushati ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike në lidhje me kallëzimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për ministrin e Energjisë Gjikniri, duke thënë se KLSH-ja kontrollohet nga Partia Demokratike dhe raporti është përdorur për të sulmuar qeverinë.

Partia Socialiste ka sqaruar pretendimet e KLSH si më poshtë:

a) Vlera prej 95 milionë euro që qeveria shqiptare duhet t’i paguante kompanisë çeke është përllogaritur në bazë të detyrimeve të pastra kontraktuale që pala shqiptare kishte ndaj CEZ a.s.. Të gjitha detyrimet, me vlerë të përgjithshme 95 milionë euro, janë të provuara si të tilla dhe të shoqëruara nga kontrata kredie, kontrata furnizimi mallrash dhe shërbimesh, apo fatura të tjera të pranuara si detyrime edhe nga CEZ shpërndarje sh.a., pas kalimit të kompanisë çeke nën administrimin e përkoshëm shqiptar, në datën 23 Janar 2013.

 b) Pretendimi se CEZ i detyrohej shtetit shqiptar 352 milionë euro është një pretendim i pabazë, pa asnjë argument ligjor dhe financiar. Auditimi i kompanisë BDO vlerëson se detyrimi që CEZ kishte ndaj kompanive shtetërore KESH dhe OST është 29 miliardë lekë. Por nga ana tjetër, bazuar në formulën e vetëgjyqësisë financiare të parashikuar në marrëveshjen miqësore të qeverisë Berisha në vitin 2012, nga shuma 29 miliardë lekë që kompania çeke i detyrohej KESH dhe OST duhen zbritur detyrimet që institucionet shtetërore i kishin CEZ, të cilat kapin vlerën e 10 miliardë lekësh. Pra në fakt, totali i detyrimit të CEZ ishte 19 miliardë lekë, ose 130 milionë euro. Për më tepër, nevojitet të llogariten edhe borxhet financiare që konsumatorët shqiptarë i kishin kompanisë së shpërndarjes, borxhe të cilat fatkeqësisht KLSH nuk i merr fare parasysh. Bëhet fjalë për 70 miliardë lekë borxhe, ose 500 milionë euro, të cilat falë marrëveshjes së nënshkruar nga qeveria shqiptare, në momentin e arkëtimit nuk shkojnë më për kompaninë çeke, por për shtetin shqiptar. Dhe vetëm në dy vitet e fundit, OSSHE ka arkëtuar 28 miliardë lekë borxhe të prapambetura ndaj kompanisë çeke, të cilat në fakt kanë shkuar në arkën e shtetit shqiptar.

 c) Së fundi, pretendimi i zhvlerësimit të aksioneve të shtetit shqiptar, që sipas KLSH ka shkaktuar 32 milionë euro dëm, është një tjetër pretendim i pavend. Të gjitha gjetjet e auditeve të pavarura tregojnë se vlera tregëtare e shoqërisë CEZ shpërndarje ishte negative. Nga ana tjetër, auditi tregonte se vlera e aseteve të kompanisë ishte 24 miliardë lekë. Sipas marrëveshjes të zgjidhjes me mirëkuptim, nënshkruar nga qeveria shqiptare, aksionet e kompanisë kalojnë 100% në pronësi të shtetit shqiptar, duke përfshirë këtu edhe asetet e saj, në këmbim të vlerës simbolike prej 1 euro. Falë kësaj marrëveshje, jo vetëm që palës çeke nuk i njihet shuma prej 102 milionë euro që CEZ kishte paguar gjatë procedurës së privatizimit, por edhe 24 miliardë lekë asete të kompanisë çeke kalojnë në pronësi të shtetit shqiptar.

 Në rast se nuk do të arrihej marrëveshja e zgjidhjes me mirëkuptim të konfliktit midis shtetit shqiptar dhe CEZ, kjo e fundit kish të drejtën të pretendonte si dëmshpërblim rreth 500 milionë euro nga borxhet që konsumatorët i detyroheshin kompanisë, 102 milionë euro nga vlera e privatizimit të kompanisë, si dhe 24 miliardë lekë (200 milionë euro) nga vlera e aseteve që CEZ dispononte. Si pasojë marrëveshja e arritur me CEZ jo vetëm që nuk ka shkaktuar një dëm prej 479 milionë euro, por ka kursyer buxhetin e shtetit nga një dëm potencial prej rreth 802 milionë euro.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Jamarbër Malltezi denoncon: Aferra korruptive 650 milionë lekë te zyrat e ALUIZNI-t. Dhe 4 pyetje për Ramën
Mandati i Frrokut dhe Ndokës, PD letër Metës për mbledhjen e Këshillit të Rregullores »
Article Logic
Execution time: 0.22223901748657
array(1) { ["section"]=> string(75) "bushati-pd-ja-kontrollon-klsh-ne-e-shfrytezon-per-te-sulmuar-qeverine-23277" }