Bushati takohet në Durrës me homologët e Maqedonisë dhe Çekisë

Publikuar tek: politike, më 19:40 30-03-2016 Bushati takohet në Durrës me homologët e Maqedonisë dhe Çekisë

Nisi punimet në Durrës takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me praninë e Komisionerit të BE-së për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn, Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal Goran Svilanovic, Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës Çeke Lubomir Zaoralek në kapacitetin e tij si kryesues i radhës i Grupit të Vishegradit (V4).

Në kuadër të këtij Ministeriali, Ministri Bushati zhvilloi takime me Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë Nikola Poposki, Sekretarin francez të Shtetit Harlem Desir dhe Nën-sekretarin italian për Punët e Jashtme, Vincenzo Amendola.

Gjatë takimit mes Ministrave Bushati dhe Poposki, palët diskutuan mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri e Maqedoni. Ministri Bushati i shprehu Ministrit Poposki vëmendjen dhe rëndësinë e veçantë që Shqipëria i kushton zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve tona fqinje.

Dy ministrat u ndalën në proceset integruese të Ballkanit Perëndimor, si dhe rrugëtimin euro-atlantik të Maqedonisë. Në vijim, duke vlerësuar dhe mbështetur aspiratat demokratike dhe rrugën e zhvillimit e të integrimit euro-atlantik të Maqedonisë, Ministri Bushati shprehu mbështetjen për procesin e reformave të ndërmarra në Maqedoni, të dakordësuara me BE-në.

Ministri Poposki vlerësoi mbështetjen që Shqipëria ka treguar në drejtim të bashkëpunimit dypalësh dhe integrimit euro-atlantik të Maqedonisë, duke theksuar angazhimin e vendit të tij për të vijuar intensifikimin e reformave që çojnë drejt këtij qëllimi.

Dy Ministrat u ndalen në angazhimin e dy qeverive tona, në frymën e Konferencës së Berlinit, si dhe mundësitë për identifikimin dhe miratimin për projekte të reja të ndërlidhjes rajonale.

Ministri Bushati gjithashtu zhvilloi një takim me Sekretarin e Shtetit të Francës për çështjet Evropiane, z. Harlem Désir. Gjatë takimit u diskutua mbi perspektivën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në kuadër të përgatitjeve për procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim. Ministri Bushati vlerësoi rolin e rëndësishëm të Francës në proceset integruese dhe mbështetjen e vazhdueshme të saj për Shqipërinë. Ministri Bushati u ndal në hapat konkretë të ndërmarrë nga qeveria shqiptare në procesin e reformave, me fokus reformën në drejtësi, dhe në zbatimin e planit të veprimit për adresimin e pesë prioriteteve kyçe, të cilat do ta çojnë vendin drejt hapjes së negociatave për anëtarësim.

Duke siguruar për mbështetjen e vazhdueshme të Francës në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, Sekretari i Shtetit Désir vlerësoi progresin e bërë në procesin e reformave shtet-konsoliduese të ndërmarra nga qeveria shqiptare. Duke vlerësuar përpjekjet për forcimin e shtetit ligjor, Ministri Désir nënvizoi rëndësinë e reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, çka do të ndikojnë pozitivisht për avancimin e mëtejshëm të Shqipërisë drejt proceseve integruese.

Bashkëbiseduesit ndanë mendimin për rëndësinë që ka perspektiva evropiane për Shqipërinë dhe rajonin. Në këtë kontekst, Ministri Bushati vlerësoi angazhimin e Francës qe Samiti i ardhshëm për Ballkanin Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit, do të mbahet në Paris, si një dëshmi konkrete e vëmendjes dhe interesit të Francës ndaj rajonit tonë.  Palët nënvizuan rëndësinë e nxitjes së shkëmbimeve rinore sipas modelit franko-gjerman dhe vlerësuan angazhimin e Shqipërisë për realizimin e kësaj iniciative në Samitin e Vjenës.

Në takimin që Ministri Bushati zhvilloi me Nën-sekretarin italian për Punët e Jashtme Vincenzo Amendola, u vlerësua niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve strategjike dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Ministri Bushati vlerësoi mbështetjen që ka dhënë dhe jep Italia në procesin e integrimit evropian të vendit tonë, atë të bashkëpunimit rajonal në frymën e Procesit të Berlinit, si dhe gatishmërinë për të vazhduar nxitjen e mëtejshme të këtij bashkëpunimi.

Nën-sekretari Vincenzo Amendola u shpreh se Italia do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në hapin e radhës, atë të hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.

Palët evidentuan se bashkëpunimi mes Italisë dhe Shqipërisë ka qenë tepër i suksesshëm në hapësirën Adriatike dhe mund të përbëjë një model në përballimin e krizave me të cilat përballet sot BE-ja.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Lirohen 13 protestuesit e PD: Ç’të themi? U arrestuam se shkelëm barin?!
Reagon ashpër motra e Ballës: Në familjen tonë secili sheh interesat e veta »
Article Logic
Execution time: 0.019731044769287
array(1) { ["section"]=> string(68) "bushati-takohet-ne-durres-me-homologet-e-maqedonise-dhe-cekise-36440" }