Bushati zhvillon takime dypalëshe me homologët e Ballkanit

Publikuar tek: politike, më 17:46 24-02-2015 Bushati zhvillon takime dypalëshe me homologët e Ballkanit

Në kuadër të takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse të SEECP-së që u zhvillua në Tiranë, Ministri Bushati zhvilloi disa takime dypalëshe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu, Malit të Zi Igor Luksiç, Bullgarisë Daniel Mitov, si dhe me Ministrin zëvendësues të Punëve të Jashtme të Greqisë Nikolaos Kuntis.

Në takimin mes ministrave Bushati dhe Çavuşoğlu, palët vlerësuan bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve në të gjitha fushat dhe nivelet. Ministri Bushati shprehu vlerësim për dinamizmin që kanë marrëdhëniet mes dy vendeve, të bazuara në miqësinë dhe lidhjet tona tradicionale. Palët evidentuan bashkëpunimin e thelluar në fusha të rëndësishme si politika e jashtme, bashkëpunimi ndërkombëtar, drejtësia, punët e brendshme, çështjet e sigurisë, mbrojtja, ekonomia dhe energjia. Përtej sektorëve tradicionalë, si infrastruktura dhe energjia, dy homologët shkëmbyen mendime mbi zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe diskutuan për thellimin e bashkëpunimit në fushat e shëndetësisë, turizmit, kulturës dhe arsimit.

Në takimin me Ministrin e Malit të Zi Igor Luksiç palët shkëmbyen mendime lidhur me marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona, zhvillimet më të fundit në rajon dhe bashkëpunimin e mëtejshëm dypalësh dhe atë rajonal në funksion të integrimit të të dy vendeve dhe të rajonit në strukturat euroatlantike. Dy ministrat shprehën kënaqësinë për bashkëpunimin e ngushtë që ekziston mes Tiranës dhe Podgoricës dhe shprehën angazhim për thellimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve në frymën dhe klimën e re të bashkëpunimit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, në dobi të të dy vendeve si dhe të prosperitetit, paqes e stabilitetit në rajon. Ata vlerësuan rolin e komunitetit shqiptar në Mal të Zi  si urë lidhëse që forcon miqësinë dhe bashkëpunimin midis të dy vendeve tona. Në përfundim të takimit dy Ministrat nënshkruan “Marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi për bashkëpunimin ekonomik”.

Ministri Bushati zhvilloi bisedime me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, Daniel Mitov. Në këtë takim ministrat vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve si dhe shprehën vullnetin e përbashkët për ngritjen e këtyre marrëdhënieve në një nivel më të lartë dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes reciprok, veçanërisht në fushat e transportit dhe energjisë, por edhe në ato të kulturës dhe turizmit. Një vend të rëndësishëm gjatë diskutimeve zunë edhe zhvillimet në rajon lidhur me avancimin e procesit të integrimit evropian si dhe bashkëpunimi në kuadër të nismave rajonale. Ministri Bushati i shprehu homologut bullgar mirënjohjen për mbështetjen e Bullgarisë në procesin e integrimit të vendit në BE dhe marrjen e statusit të vendit kandidat.

Në kuadër të takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse të SEECP-së, Ministri Bushati zhvilloi një takim me Ministrin plotësues të Punëve të Jashtme të Greqisë Nikolaos Kuntis. Gjatë takimit Ministri Bushati vlerësoi angazhimin dhe bashkëpunimin e nisur me qeverinë e mëparshme në intensifikimin e dialogut politik mes dy vendeve tona fqinje. Ai evidentoi si tepër të rëndësishme zgjidhjen e problemit të toponimeve, si dëshmi e vullnetit të mirë dhe me ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët. Ministri Kuntis vlerësoi rëndësinë që kanë marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe interesin e përbashkët në intensifikimin e mëtejshëm të dialogut të nisur. Palët shprehën angazhim për të avancuar në adresimin e të gjitha çështjeve dypalëshe. Ministri Bushati, në vijim të takimeve të mëparshme me autoritetet greke, i paraqiti Ministrit Kuntis qëndrimin e përsëritur të Tiranës mbi menaxhimin e burimeve natyrore të përbashkëta dhe adresimin e çështjeve në frymën e së drejtës ndërkombëtare. Ministri Kuntis shprehu angazhimin e qeverisë greke për të trajtuar të gjitha çështjet në frymën e fqinjësisë së mirë, në respekt të interesit reciprok dhe konform së drejtës ndërkombëtare.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Blushi: Nuk kandidoj për Bashkinë e Tiranës
Kritika e Blushit, Meta: Qeveria e hapur për përmirësim »
Article Logic
Execution time: 0.017704010009766
array(1) { ["section"]=> string(63) "bushati-zhvillon-takime-dypaleshe-me-homologet-e-ballkanit-4341" }