Byroja e Hetimit, ambasadori Hoffmann: Të priten rekomandimet e Venecias

Publikuar tek: politike, më 20:47 19-02-2016 Byroja e Hetimit, ambasadori Hoffmann: Të priten rekomandimet e Venecias

Në një bisedë për Deutsche Welle-n e ambasadori i RFGJ në Tiranë, Hellmut Hoffmann, këshillon që të priten rekomandimet e Komisionit të Venecias për Byronë Kombëtare të Hetimit. Sipas tij “rekomandimet e Komisionit të Venecias duhen zbatuar me shumë saktësi. Në momentin kur do të ketë ende çështje të hapura do të jetë e këshillueshme që të gjitha palët të përpiqen të gjejnë kompromise të arsyeshme, praktike dhe funksionale”.

Ambasadori gjerman flet edhe për ligjin e ri gjerman për emigracionin: Cilido nga Shqipëria që dëshiron të punojë dhe të integrohet është i mirëpritur në Gjermani.

Cilat janë pritshmëritë tuaja nga ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit?

Kjo strukturë e re do të ketë në fokus luftën kundër korrupsionit. Korrupsion ka kudo në botë, edhe në Gjermani. Por dallimi me Shqipërinë është, pikë së pari, që dimensionet e këtij fenomeni janë shumë më të vogla se në Shqipëri dhe e dyta, që është edhe më thelbësore, në Gjermani nuk ka kulturë të pandëshkueshmërisë. Kjo është ajo që duhet bërë me vendosmëri në Shqipëri: duhet punuar për të eliminuar kulturën e pandëshkueshmërisë. Kjo do të thotë që të nisin hetimet, të ngrihen paditë përkatëse dhe të jepen vendimet gjyqësore. Ngritja e Byrosë Kombëtarë të Hetimit, si institucion i veçantë, është shumë e kuptimplote dhe e dobishme. Në këtë kontekst duhet punuar për t'u garantuar në maksimum pavarësia. Në propozimet e parashtruara të Komisionit të Venecias përfshihet edhe se cila duhet të jetë struktura e këtij autoriteti. Mendoj, se duhej të ndiqen rekomandimet e Komisionit të Venecias, që pritet të shprehet për këtë Byro.

Si do ta mbështesë Gjermania procesin që hap Byroja Kombëtare e Hetimit në luftën kundër korrupsionit?

Lufta kundër korrupsionit është një nga çështjet themelore që trajton reforma në drejtësi. Gjermania është mjaft e angazhuar në mbështetje të kësaj reforme. Kjo ka qenë edhe një nga linjat kryesore të bisedave të zhvilluara mes kancelares Merkel dhe kryeministrit Rama. Gjermania përshëndet faktin që kjo reformë ka nisur rrugën e vet në mënyrë intensive, shpresoj shumë që të miratohet sa më parë që të jetë e mundur dhe të zbatohet me të njëjtën konsekuencë. Mendoj që rekomandimet e Komisionit të Venecias duhen zbatuar me shumë saktësi. Në momentin kur do të ketë ende çështje të hapura do të jetë e këshillueshme që të gjitha palët të përpiqen të gjejnë kompromise të arsyeshme, praktike dhe funksionale. Mendoj, që reforma në drejtësi është në një rrugë të mbarë. Gjermania do të japë kontributin e vet në zbatimin e kësaj reforme. Sikurse është bërë e ditur tani është paraparë që gjykatësit dhe prokurorët t'i nënshtrohen një procesi i vlerësimi, ku BE do të ketë nje rol të rëndësishëm dhe ku Gjermania do të japë kontributin e saj.

Cilat mund të jenë rreziqet e mundshme për miratimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi?

Kam përshtypjen që forcat politike të Shqipërisë e kanë disi të vështirë të shkojnë drejt njëra-tjetrës, të afrohen, të gjejnë dhe synojnë bashkërisht ato zgjidhje të problemeve që do të ishin më të mirat e mundshme në këndvështrimin e politikave shtetërore. Pikëpamja ime është që qeveria është për të qeverisur vendin duke shfrytëzuar dhe mazhorancën që ka në dispozicion për të realizuar ato zgjidhje që i konsideron të drejta. Por ka edhe çështje për të cilat do të ishte e dobishme dhe e këshillueshme të përfshihen edhe pakicat, opozita, që të gjenden zgjidhje dhe kompromise të përbashkëta. Në këtë kontekst pyetja sesi do të zihen pozicionet kryesore në drejtësi dhe cilët do të jenë mekanizmat kryesore është shumë e rëndësishme. Mendoj që është e rëndësishme të gjendet një mekanizëm i tillë që të garantojë që në këto pozicione kyçe të sistemit të drejtësisë të vendosen personalitete kompetente dhe me integritet, që janë elementë të rëndësishme dhe njëherazi edhe një rekomandim i Komisionit të Venecias. Krahas kësaj këto pozicione duhet të zihen në mënyrën më pluraliste të mundshme. Por duhet pasur kujdes që të mos gjenden mekanizma të tillë që në momentin e zënies së këtyre pozicioneve të çojnë në bllokime të mundshme. Do të duhet të ecet me shumë kujdes, pasi nga njëra anë kërkohet që këto vende të zihen në mënyrë sa më pluraliste, me personalitete kompetente dhe me integritet dhe nga ana tjetër duhet që të shmanget çdo lloj bllokimi. Ka formula të mundshme për këtë dhe shpresoj shumë që politika shqiptare do të jetë e aftë ta gjejë një të tillë.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Blushi në një linjë me Bashën, thonë në të njëjtën kohë të njëjtën gjë? (Foto)
Nishani me biznesin: Ecuria juaj garanton prosperitet »
Article Logic
Execution time: 0.026198148727417
array(1) { ["section"]=> string(76) "byroja-e-hetimit-ambasadori-hoffmann-te-priten-rekomandimet-e-venecias-33040" }