CD-“Fantasie” me vepra për saksofon e piano, realizuar nga Zija Bejleri dhe Dhurata Lazo, kolegë në muzikë dhe bashkëshortë në jetë

Publikuar tek: kulture-art, më 12:36 23-05-2018 CD-“Fantasie” me vepra për saksofon e piano, realizuar nga Zija Bejleri dhe Dhurata Lazo, kolegë në muzikë dhe bashkëshortë në jetë

Ky album CD me vepra klasike e romantike për saksofon (soprano dhe alto) dhe piano është befasia e rradhës në tregun e muzikës serioze.

Të mësuar që sakosofonin ta hasim rëndom në muzikën alternative, kryesisht atë të xhazit të gjysmës së parë të shek. XX-të, me mjeshtra si Lester Young, Charlie Parker, Roland Kirk, Johnny Hodges apo John Coltrane, duket sikur saksi si instrument në muzikën klasike është lënë mënjanë.

Por jo.

Prej shpikjes së tij në vitin 1846 nga mjeshtri belg Adolphe Sax që i dha edhe emrin këtij instrumenti, saksi dhe llojet e tij kanë zënë vend gradualisht në repertorin muzikor të muzikës serioze me disa kulminacione përdorimit në orkestrën simfonike si tek suita “Arleziana” e Bizesë, “Bolero” e Ravelit, tek “Vallet simfonike” të Rahmaninovit, në “Simfoninë Rekuiem” të Britenit, e deri tek kompozitorët modernë si Harrison Birtwistle etj.

Tek kjo CD e realizuar mjeshtërisht nga Zija Bushi Bejleri në saksofon dhe Dhurata Lazo në piano (regjistruar në sallën e koncerteve Fazioli në Itali, më datat 6-8 qershor 2016), do të gjejmë gjithshka me vlerë të shkruar për saksofon ose të përshtatur për të nga disa kompozitorë të rëndësishëm evropianë. Programi i CD-së përmban vepra të Jean Baptiste Singelee “Fantasie” op 89 dhe 102 dhe “Caprice”, Jean Baptiste Arban “Caprice et Variations”, Jerome Savari “Fantasie....”, Astor Piazolla “Cafe 1930”, Paul Agricole Genim “Solo...”, Geatano Donizetti “Concertino”, Ҫezar Frank “Sonata in A Major” me katër kohë.

Ajo që vihet re më të dëgjuar tingujt e parë është fakti që ke të bësh me dy muziktarë të sprovuar në interpretimin e muzikës. Zijai, bashkë studenti që në veglën e oboes në kohën e Institutit e Lartë të Arteve në Tiranë (1983-1987), duket qartazi se që prej atyre viteve ka bërë një progres të dukshëm në rritjen e kapaciteteve interpetuese si instrumentist dhe dirigjent, kjo përmes vijimit të kualifikimeve, kryesisht në Itali por edhe aktivizimit në një jete koncertale të ngjeshur, hartë interpretimesh që prek shtete si Shqipëria, Italia, Sllovenia, Franca, Luksemburgu, Kosova, Zvicra, Gjermania etj.

Po ashtu Dhurata, pianiste dhe një ndër artistet tona më të njohura të interpretimit muzikor, produkt i shkollës shqiptare dhe asaj italiane të muzikës. Specialiste e promovimit të muzikës dhe krijuesve shqiptarë për piano dhe jo vetëm si dhe zotëruese e një repertori të gjerë të muzikë pianistike botërore, të kryautorëve si Bah, Bethoven, Hajden, Shopen, List, Grig, Ravel, Debysi, Brams, Rahmaninov, Shuman, Shubert, Skriabin, etj.

Pasi e dëgjon CD-në, vë re një rritje të shkallë-shkallëshme të vështirësive interpretuese të cilat kulmojnë me sonatën e Frankut. Pikërisht, kjo hartë rruge dhe repertori e përshkruar nga DUO-ja jonë është prova e zotërimit të kapaciteteve dhe pjekurisë së duhur për të interpretuar dhe hedhur në tregun muzikor këtë CD, kaq të veçantë. Veҫori që buron nga instrumenti i rrallë i saksit, repertori i zgjedhur si dhe bashkimi i këtyre artistëve që përveҫ se janë muziktarë të rrallë janë edhe bashkëshortë të tillë.

Pikërisht, të dy së bashku në këtë CD muzikore, ashtu siҫ janë së bashku edhe në jetë ia kanë dalë të shkrijnë në një unitet të vetëm tingujt, veprat dhe autorët, nga më ҫmuarit e muzikës për saksofon, me delikatesën e shoqërimit pianistik që kërkon kjo vegël shumë e veҫantë. Prandaj, në tingujt e kësaj CD-je ndjejmë profesionalizmin e lartë por edhe paqen dhe dashurinë që ata përcjellin si bartës së unitetit fizik. Megjithëse në CD mungon muzika shqiptare, kjo mbetet një ftesë e hapur për kompozitorët tanë që të shkruajnë për këta muziktarë të mrekullueshëm.

Suksese Dhurata dhe Bushi!

 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Arkeologët gjejnë gjurmë të një qyteti ilir në Kepin e Rodonit
»
Article Logic
Execution time: 0.021172046661377
array(1) { ["section"]=> string(134) "cd-fantasie-me-vepra-per-saksofon-e-piano-realizuar-nga-zija-bejleri-dhe-dhurata-lazo-kolege-ne-muzike-dhe-bashkeshorte-ne-jete-121817" }