'Çeta e hajvanëve ndaj Vorpsit të bën të vësh duart në kokë, mund të kishte dashuruar ndonjë nga JU, po nuk e dinte me cilën DHI bënit...' (E PLOTË)

Publikuar tek: kulture-art, më 16:48 18-04-2018 'Çeta e hajvanëve ndaj Vorpsit të bën të vësh duart në kokë, mund të kishte dashuruar ndonjë nga JU, po nuk e dinte me cilën DHI bënit...' (E PLOTË) Edi Rama dhe Ornela Vorpsi

Ardhja e shkrimtares Ornela Vorpsi në Shqipëri solli me vete dhe një furtunë reagimesh, që mesa duket nuk paskan të ndalur.

Ornela Vorpsi kur foli për Shqipërinë e vështirë që jetoi në fëmijërinë e saj dhe dashurinë platonike për kryeministrin Edi Rama, që siç u shpreh ajo, magjepste një Paris të tërë. Pikërisht kjo deklaratë e saj, u bë shkak që vëmendja të zhvendosej, nga veprat që kishte sjellë për shqiptarët, te deklaratat e saj.

Së fundmi ka qenë shkrimtar Edison Ypi, i cili në një shkrim të publikuar në gazetën Mapo, flet për bukurinë magjepsëse të Ornelës, dhe arritjet në karrierën e saj. Ypi në shkrimin e tij dënon fort vëmendjen që iu dha deklaratave të saj, duke lënë mënjanë veprimtarinë artistike. Me një gjuhë të ashpër, të gjithë ata që komentuan vetëm deklaratën e Vorpsit për Ramën, janë një tufë hajvanësh që duan të përdhosin imazhin e saj.

 “O pika që su bie. Ornela Vorpsi mund të kishte dashuruar edhe ndonjë nga ju lehëtarët e sotëm. Por nuk e dinte nga cila skutë spiunonit, në cilin katund vuanit, në cilën kooperativë dergjeshit, cilat ara prashisnit, me cilën dhì bënit qef. Faleminderit Ornela Vorpsi për rastin e mrekullueshëm që na dhe për ta njohur sa më thellë fatkeqësinë tonë, neandertalët tanë.”- mbyll opinionin e tij Ypi.

Reagimi i plotë:

Ornela Vorpsi Ornela Vorpsi ishte e bukur si Sirenë homerike. Ornela Vorpsi ishte një ulurimë shetitëse. Ornela Vorpsi ishte një Yll "Super Nova" që sapo kishte shpërthyer nga një "Black Hole" që ishte Shqipëria e aso kohe. Ornela Vorpsi ishte aq e bukur, aq kryelartë, kishte një rrezatim aq të fuqishëm, sa pa shqiptuar asnjë fjalë, vetëm me prezencë, i bënte pluhur e hi çmenduritë e kohës, luftën e klasave, moralin proletar, rrethimin kapitalisto revizionist, komitetet, mbledhjet, plenumet, dhe të gjitha marrëzitë e tjera. Ornela Vorpsin të gjithë e dashuronin.

Ornela Vorpsi dilte edhe me Mamin. Një kombinim i tillë i hireve femërore me kryelartësinë, seriozitetin, guximin, nuk ishte parë kurrë. Ishin nga fort të rrallat femra që fatkeqësia nuk i kishte ligur dhe shëmtuar, por trimëruar dhe zbukuruar. Tek kalonin dukej sikur i klithnin turmës; Ejani në vete, Femra nuk është për tu veshur me kominoshe doku për të punuar me turne nëpër fabrika të qelbëta. Femrën e ka bërë Perëndia për tu komplimentuar dhe dashuruar. Turma hapte rrugën. Mbante frymën. Vinte në vete. Për pak çaste bëheshin njerëz. Harronin që ishin veshur me lecka dhe që ishin të uritur.

Sipas një ligji të pa shkruar që zbatohet me përpikmëri, ziliqarët, delirantët, budallenjtë, shëmtaraqët, fatkeqët nga sëmundje të rënda, të sëmurët me diagnoza të fshehta, marrin masa, bëjnë çmos, lodhen shumë, të mos duken sa të zinj e të këqinj janë përbrenda. Por ka disa raste kur rrethanat kombinohen në atë mënyrë që turiqenve dhe surratbajgave ziliqarë, u erren sytë, u torollepset mendja, ikin nga fiqiri, fshehin analizat, ndryshojnë diagnozat, harrojnë çdo kujdesje, flakin çdo vëmendje për të mos u dukur sa të këqinj e shpirtkatranë janë, dhe hapin barkun. Derdhja e vrerit, shpallja e budallallëkut, shenjat e sëmundjeve, provat e çrregullimeve, arsyet e fatkeqësive, çfaqja e surratit, u bëhen të papërmbajtshme. Gjithçka u shpërthen me tërë madhështinë e "llaftarisë tmerrisht të bukur", si thotë Lasgushi i madh.

Sa mirë që ndodh kështu. Përndryshe nuk do ta mësonim dot kurrë sa i thellë, i errët dhe e pisët është humnera e ligësisë njerëzore. Sapo Ornela Vorpsi u çfaq, majmunat e Fejsbukut, minjtë e skutave, urithat e portaleve, katunarët e gazetave dhe televizioneve, u bënë bashkë për tju hedhur në fyt. Nuk janë shumë si numur. Janë të rëndësishëm për të ilustruar dukurinë monstruoze. Për çfarë po i bie legenit çeta e shejtanbudallenjve ndaj Ornela Vorpsit të bën të vësh duart në kokë. Sipas tyre, meqënse Ornela Vorpsi tha se para nja 30 e ca vitesh kur ishte studente ka provuar një debulesë sentimentale ndaj pedagogut Edi Rama, kjo ndodhi e atëherëshme më se e natyrshme e të gjitha kohërave, ka shkaktuar një hata të tanishme të llahtarshme me përmasa të jashtëzakonshme për marrëzira që i kishim kujtuar të vdekura, por paskëshin mbetur të gjalla;

Lufta e klasave nuk po zhvillohet si duhet. Vigjilencën proletare e ka marrë lumi, Komunista e armiq janë bërë si këmbët e dhisë. Morali komunist për ibret. Kultura borgjeze po bën kërrdinë brenda rradhëve të shtrënguara të klasës puntore, inteligjencës kooperativiste, sidomos ndër artistët që janë aleatët më besnikë të partisë orientimet e së cilës janë lënë mënjanë dhe nuk po u jepet asnjë rëndësi, e të tjera e të tjera, me lujt mendsh. Sipas hajvanëve të sotëm që pretendojnë të jenë mbajtës të palodhur të kandilit të të gjitha femrave të të gjitha epokave dhe vendeve, në kohën kur ndalohej veshja, ndalohej krehja, ndalohej larja, ndalohej arratisja, ndalohej muzika, paska qënë e ndaluar edhe dashuria.

Një studente që e kishte babain në burg paska qënë e ndaluar të ushqente simpati sentimentale për një pedagog. Gomerët e sotëm e dinin që atëhere, bashkë me ta edhe Ornela Vorpsi duhej gjithashtu ta dinte, se pedagogu që Ornela Vorpsi simpatizonte, pas nja 30 vjetësh do bëhej Kryetar i Partisë Socialiste, do afronte Shqipërinë me Europën dhe jo me Turqinë e Arabinë, çka do të ishte një gabim tepër i rëndë moralopolitik për studenten dhe rrezik i madh për të tashmen dhe të ardhmen e shoqërisë së rakipirësave dhe mëlçingrënësve. Sipas lopçarëve në fjalë, Ornela Vorpsi, mund ta përdhoste shpirtin e saj duke dashuruar çfardolloj çuni; çun shefi, çun drejtori, çun oficeri, por kurrsesi me çunin piktor të babait skulptor. O pika që su bie.

Ornela Vorpsi mund të kishte dashuruar edhe ndonjë nga ju lehëtarët e sotëm. Por nuk e dinte nga cila skutë spiunonit, në cilin katund vuanit, në cilën kooperativë dergjeshit, cilat ara prashisnit, me cilën dhì bënit qef. Faleminderit Ornela Vorpsi për rastin e mrekullueshëm që na dhe për ta njohur sa më thellë fatkeqësinë tonë, neandertalët tanë.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Prishja e shtëpisë-muze të Luigj Gurakuqit, historiani: Nji qytet që e lejon këtë, gjithçka mund të jetë, përveçse vatër kulture
Aktori bën deklaratën e FORTË: Heq dorë nga protesta për Teatrin, është bërë… »
Article Logic
Execution time: 0.035834074020386
array(1) { ["section"]=> string(146) "ceta-e-hajvaneve-ndaj-vorpsit-te-ben-te-vesh-duart-ne-koke-mund-te-kishte-dashuruar-ndonje-nga-ju-po-nuk-e-dinte-me-cilen-dhi-benit-e-plote-117355" }