Çfarë do ndodhë në 2016-ën në Shqipëri

Publikuar tek: analiza-komente, më 14:02 25-12-2015 Çfarë do ndodhë në 2016-ën në Shqipëri

Nga Dritan Hila

Në prag të 2016-ës, nuk duhet sfera e shtrigës të zbulojë se çfarë do të sjellë viti.

Ekonomia, të paktën ajo që do të perceptojnë shqiptarët, do të vazhdojë trendin e vitit që lamë pas. Buxheti tregoi që nuk do të ketë rritje pagash, pensionesh apo asistence. Investimet do të jenë në minimumin historik dhe koncensionet janë e vetmja ide e qeverisë për menaxhimin e vendit. Koncesionet, si formë indirekte e monopoleve, dhënia e tenderave sipas klientelës, do të ulin konkurencën ekonomike dhe zbehin gjithmonë e më shumë shpirtin sipërmarrës. Politika e paqëndrueshme fiskale e vitit që po ikën, do të reflektojë në tkurrjen e biznesit të vogël dhe të mesëm, si motorri i zhvillimit të një vendi si Shqipëria, ku janë e vetmja shpresë zhvillimi. Viti i fundit i plotë qeverisës nuk do të ketë asnjë risi. Rrugët që la Berisha si salçiçe, do vazhdojnë të mbeten të tilla, përjashto ndonjë tabele që mund të shtohet. Fasonët, lloji i ekonomisë që tashmë nuk e pranon më as Kina, do të jetë fronti kryesor i punësimit në industri. Blegtoria, vendi i vetëm ku një njeri i rri mbrapa një lope, do të vazhdojë të njejtën performancë. Çka do të thotë se në fushatën e 2017-ës në mungesë të arritjeve dhe objektivave serioze do të mbizotërojnë magjistarët.

Liria e shtypit në vend, si shprehja më e prekshme e lirisë në përgjithësi, ka arritur në kufijtë e saj minimalë historikë. Kanalet më të mëdha televizive dhe mediat më të rëndësishme ose janë në shërbim të qeverisë ose i shmangen përplasjes me të, duke arritur një gradë autocensure të paparë në 25 vite tranzicion. Opozitës i mbeten vetëm portalet, ndërsa zërave të pavarur vetëm rrjetet sociale. Zërat kundërshtarë do të jenë gjithmonë e më të rrallë për shkak të represionit direkt ose të tërthortë. Kundërshtarët e Ramës në parti dhe media, në masë të madhe do të heshtin ose do të kërkojnë kompromisin. Ka filluar të ndodhë.

Pavarësisht investimit personal dhe institucional të Ambasadorit të SHBA Donald Lu, reforma në drejtësi nuk do të ndodhë. Asnjë palë politike, pavarësisht shtirjeve publike, nuk është e interesuar të realizohet. Nëse do të ndodhë, për të shpëtuar para publikut fytyrën e palëve, do të jetë e deformuar dhe jo funksionale. Asnjë nga aktorët nuk është i interesuar të tërheqë këmbëzën e armës që është drejtuar në kokën e tyre.

Në fushën politike, në PS me shtyrjen e kongresit për afat të pacaktuar, Edi Rama tregoi se tashmë partia që drejton është lodër e tij. Futja e Koço Kokëdhimës në kryesi, ishte hapi simbolik në shkrirjen politikë-biznes, duke e kthyer forcën më të madhe politike të vendit në një korporatë personale të shefit të saj e administruar nëpërmjet kaporionëve të tij. Biznesmenë me funksione politike, kryetarë bashkish që administrojnë partinë, sipërmarrës të afërt me të, që do të blejnë votën nëpërmjet pagesës apo punësimit, janë projekti i tij për të ardhmen. Vendosja e figurave banale në funksione kyçe të PS, tregon se tashmë nuk i duhen më as aparencat ideologjike, politike apo intelektuale në projektin e tij, të cilin e ka bazuar në llogaritë e ftohta të nevojave bazike të votuesve.

PD-ja do të vazhdojë teposhtën e saj, pasi dualiteti i Berishës me Bashën po rezulton vdekjeprurës për këtë të fundit, por edhe forcën politike. Basha po nguron t’i tregojë rrugën paraardhësit, duke ngjarë çdo ditë e më shumë me një regjent, sesa princ trashëgimtar. Për mbret as që bëhet fjalë. Prania ende në rradhët e para të gjithë kastës së vjetër drejtuese të PD-së të dënuar masivisht nga vota e 2013-ës, e bën qesharak denoncimin për korrupsion të qeverisë së majtë. Të dëgjosh firmosësit e koncesioneve të “Rapiscan”, pasaportave, pullave fiskale, kontrollit të automjeteve, që denoncojnë koncesionet e Ramës, edhe për lëkurën e trashë të shqiptarëve është gudulisëse. Koha e pakët që ka deri në zgjedhje nuk ia mundëson Bashës një ofertë të re të besueshme. Çka matematikisht përkthehet në shanse minimale që të hyjë në derën e ndërtesës, me strehë kauçuku, të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Sa i përket zhvillimeve të tjera, fjalët për një zëvendësim të Fatmir Mehdiut në krye të PR nga Agron Duka, nëse rezultojnë të vërteta në 2016-ën, është simbol i trajtimit të partive si pronë personale nga shitësi dhe ndërmarrje biznesi nga blerësi. Por edhe pa këtë zhvillim, hapësira politike shqiptare është mjaftueshëm e molepsur, sa të sëmurë të ardhmen e vendit. Është e domosdoshme një ofertë e re politike ne Shqipëri. Kundër saj do të jenë apatia dhe mosbesimi i shqiptarëve të cilët janë të zhgënjyer nga çerek shekulli tranzicion; armiqësia e politikanëve egzistues, të cilët e kanë mbaruar prej kohësh misionin e tyre, dhe do të përpiqen të mbijetojnë për shkak edhe të interesave ekonomike të ndërthurura; armiqësia e biznesit korporativ dhe si faktor shtesë, prania e krimit të organizuar të ndërthurur me politikën. Megjithatë, i duhet dhënë shqiptarëve një shans dhe një adrese, ku të kenë mundësi të shprehin mosmiratimin e tyre me gjendjen. Është një hap nga i cili nuk mund të pritet mrekullia, por shenja se shpresa në këtë vend nuk ka vdekur.

Shënim: Marrë në faqen e ‘’Facebook’’ të Dritan Hilës

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.021262884140015
array(1) { ["section"]=> string(44) "cfare-do-ndodhe-ne-2016-en-ne-shqiperi-28535" }