Çfarë ndodh në ditën e tretë të çudisë?

Publikuar tek: analiza-komente, më 15:43 20-09-2016 Çfarë ndodh në ditën e tretë të çudisë?

Nga Sonila Meço

Kur nje debat ushqehet nga ndjenjat, instikti, apo empatia do përfundojë në kurbën emocionale. Sa më larg vendit e kohës së arsyes së çeljes së debatit, aq më i zbehtë bëhet. Kap normën 3-ditore dhe zëvendësohet nga një tjetër debat për një tjetër tragjedi. Sindroma e Bosnjës, një fenomen i nisur dhe mbajtur gjallë nga media, publikimi intensiv i pamjeve tragjike të luftës, sidomos edhe në rastin e Kosovës, bëri që i njëjti perceptim publik të ushtronte presion mbi politikbërësit që mos të lejonin përsëritjen e të njëjtave histori. Dhe roli i medias këtu qe vendimtar. Nëse sindroma ka një vlerë për mbajtjen gjallë të presionit publik, ajo është sot.

E para, sepse publiku endet i paorientuar në pasojat e ngjarjeve, duke vuajtur e mllefosur, pa patur mundësinë të arsyetojë shkaqet. Dhe çoroditet nga pasoja në pasojë pa nxënë një mësim, pa krijuar një ide, pa logjikuar një përgjegjës.

E dyta, sepse manualet e përdorimit të opozitës po ofrojnë diskur lufte brenda llojit e jo alternativë sistemesh të kalbura. Në vend që publiku të shohë një ministër në hije shëndetësie që shpjegon qartësisht ku dështon sistemi, pse dhe si është zgjidhja, dëgjon debate mbi zgjedhjet në Dibër, aty ku politika enkas zhvendos referendumin popullor. Nuk është Dibra problemi i shqiptarëve, nuk ka asnjë formulë që transferon një zgjedhje momentale, tipike të elektoratit pragmatist lokal, në një ekuacion mbarëkombëtar ku vendi është në emergjencë sistemesh jetike, shëndetësor, arsimor, rendi e sigurie.

E treta, sepse shoqëria civile ka humbur besueshmëri dhe mbështetje për të funksionuar në favor të qytetarit. E kooptuar, pa burime, me pak suksese të merituara, nuk arrin të shndërrojë formulën triumfale të reagimit për armët kimike në një algoritëm po aq shterues për emergjencat e këtij vendi në sistemet jetike.

Ka edhe së katërti, së pesti, së tridhjeti...por e di çfarë? Nëse ka një pikë që i anullon të gjitha është një dhe vetëm një, të mos përfundojmë në pesimizmin kronik të dorëzimit total ndaj fatalitetit me idenë se gjithçka është kapur, se Dibra është përgjigja, se opozita është e paaftë dhe shqiptari arsenikun për nervin reagues e mban tek koka e krevatit. Media ka në dorë shumë tani, gazetarët më të suksesshëm të saj jetojnë, marrin frymë, rrisin fëmijë në këtë vend. E nuk e besoj kurrë se me vullnet të lirë, me lehtësinë e papërballueshme të qenies po ndërtojnë piramidën e prehjes së tyre të përjetshme. Dhe nuk do jetë për tre ditët e çudisë. As për lavdinë e një nate. Të udhëheqësh sot opinionin publik, ta mbash gjallë, ta lejosh të arsyetojë e kuptojë, përtej 'hashashit' që nanuris logjikën e reagimin është sindroma që nuk lë votën e Dibrës të shpjegojë të ardhmen e fëmijëve të tu.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.033337831497192
array(1) { ["section"]=> string(44) "cfare-ndodh-ne-diten-e-trete-te-cudise-53519" }