ÇFARË NUK PO NA THONË PËR PROJEKTIN “1 MILIARD”

Publikuar tek: ekonomi, më 16:27 01-02-2017 ÇFARË NUK PO NA THONË PËR PROJEKTIN “1 MILIARD”

*Nga Sonila Meço

Në Shqipëri debati publik mbi tema që na prekin të gjithëve është shuar. Për këtë jeta na është bërë më e shtrenjtë, llogaritë nuk na dalin, të ardhurat mungojnë edhe pse punohet me orë të zgjatura, shpesh edhe në dy-tre punë.

Ja se çfarë nuk dimë, por mund të na kushtojë shumë për projektin ‘1 miliardë’ për të cilin kreu u ekzekutivit na del garant, si ai burri që thotë teksa kalojmë një pellg plot ujë e llum, nëpërmjet ca guriçkave plot maja ‘mbahu ke vllai jot se s’bie!’.

1 miliardë do të investohen në tre vite në projekte infrastrukturore, thotë qeveria.
Nëpërmjet PPP (partneritetit publik-privat).
Ç’do të thotë kjo?
Qeveria fton agjensi private, kompani të ndryshme që të ofrojnë kapital dhe asete për të realizuar projekte infrastrukturore. Sipas saj, qeverisë (atij burrit që thote ‘mbahu ke vllai jot’ kur kalon pellgun) kjo bëhet për të shfrytëzuar efiçensën dhe aftësitë menaxheriale të sektorit privat, për të patur fleksibilitet në vendim-marrje, për të patur shpejtësi në realizim dhe për të çliruar fondet publike për sektorë ekonomikë e socialë, duke mobilizuar kapital privat për të financuar më shumë projekte qeveritare infrastrukturore.
Pra në një kontratë mes qeverisë dhe kompanive private vendoset që këto të fundit të financojnë, ndërtojnë e operojnë elemente të shërbimeve publike. Ato paguhen mbrapsht më pas për shumë vjet nëpërmjet tarifave që u ngarkohen përdoruesve, ose nga autoriteti publik.
Deri këtu jemi në shpjegimin teorik të procesit, i cili merr trajta edhe më entuziaste kur artikulohet pa asnjë konsultim, reçensë a debat publik.

Por le të shohim se çfarë nuk na thotë qeveria teksa presim të hedhim hapin për të kaluar një pellg të madh me ujë e llum vetëm me garancinë e atij burrit që thotë ‘të mban vllai jot edhe po re’.

Versioni modern i PPP-ve nis me qeverinë e Thatcher-it, ku nëpërmjet rregullave neoliberale u vendos të kufizohet marrja hua nga ana e qeverisë, por kjo e fundit duhej doemos të investonte në infrastrukturë publike. Në këtë mënyrë u shpik një variant që lejonte marrjen e parave hua pa prekur rregullat fiskale, sepse nëpërmjet PPP, kjo hua konsiderohet private dhe jo publike. Kështu shpenzimet kapitale për vepra publike nxirren jashtë buxheteve të qeverisë, duke fshehur në një mënyrë defiçitin buxhetor.

Qeveria shqiptare na thotë se në këtë mënyrë nuk na rëndohen xhepat ne si taksapagues, nuk rëndohet defiçiti buxhetor dhe sigurohen fonde për më shumë investime publike.

E para, këtë magji ‘1 miliard’ na e prezanton në vit elektoral. Kur rritja ekonomike mbahet në 3% larg vlerës që garanton zhvillim e mirëqënie. Kur e ka zhytur ekonominë në PPP me shërbime jo cilësore, mungesë transparence dhe prokurime të dyshimta klienteliste.
E në sfondin e një krize politike ku partneri bashkëqeverisës ka artikuluar akuza të forta për sjellje joligjore e antikushtetuese.

E dyta, këtë magji ‘1 miliard’ qeveria nuk e ka konsultuar e debatuar, nuk e ka vendosur në tryeza diskutimi dhe nuk ia ka nënshtruar asnjë procesi transparence. Kjo do të vlente që publiku të njohë të dy anët e medaljes. Publiku duhet të informohet dhe meqë qeveria nuk e bën, shoqëria civile jo e jo, media tradicionale e ka tashmë herezi, të paktën të kthejmë sytë tek përvoja e atyre që e kanë provuar para nesh.

PPP-të kanë rastet e tyre të suksesit e dështimit.
Sukses kanë patur në ato raste kur:
1. Sektori publik shfaqet me kapacitet të fortë.
2. Planifikimi është realizuar i saktë, i konsultuar dhe krahasimor me analizën kosto-përfitim nëse i njëjti investim do kryhej nga fondet publike.
3. Prokurimi realizohet transparent, konkurues dhe gjithëpërfshirës.
4. Kryhet monitorim për reagim të shpejtë ndaj ngjarjeve të paparashikueshme, përfshi kriza financiare.
5. Korrupsioni luftohet fort dhe rekordet janë tejet të ulta.
Bëjeni vetë një analizë me kriteret e mësipërme ku qëndron Shqipëria.

Por vijojmë më tej me përvojat e statistikat:
Vendet që kanë përdorur më shumë PPP janë Qipro, Irlanda, Portugalia, Greqia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar. 4 të parat sot janë nën paketa shpëtimi dhe dy të fundit me probleme fiskale. Vetë FMN (promovues i skemave PPP) pranon se problemet e thella fiskale në Qipro e Portugali burojnë nga përdorimi i skemave PPP, duke kërkuar ngrirje për pjesën më të madhe të tyre.
Nga viti 2012 numri i PPP-ve në Europë ka rënë ndjeshëm duke shënuar nivelin më të ulët në një dekadë. Ato përbëjnë tashmë më pak se 5% të investimeve infrastrukturore.
Suedia ka vendosur mos t’i përdorë.
Dhe shumë projekte në Gjermani, Poloni, Francë, Australi, Kanada, vende aziatike anullohen me ritme të larta.
Pse?
1. Sepse kostot e këtyre financimeve rezultojnë më të larta deri në përfundim të projektit. Për këtë vlera ekonomike e përftuar nuk justifikon kostot.
2. Sepse kompanitë private e kanë të vështirë të sigurojnë kapitale të mëdha për projekte infrastrukturore. Shpesh mbeten rrugës, kur duhet vetë të bëjnë rrugë dhe faturën e ka paguar publiku sepse vetëm paratë publike mund të shpëtojnë konçesionarët.
3. Sepse diktohet një shpërndarje shpërpjestimore e shërbimeve publike, pasi kompanitë private udhëhiqen nga ideja e fitimit më të lartë duke përzgjedhur vetëm projektet më fitimprurëse.
4. Sepse kostot për vendin nuk ulen, thjeshtë shpërndahen në të ardhmen siç ndodh me çdo huamarrje.
5. Sepse nuk promovohet konkurenca, por përfshirja e disa kompanive që duke siguruar informacion preferencial dhe duke patur lidhje të shkurtra me politikanë e qeveritarë i përpilojnë rregullat e prokurimit në atë mënyrë që i përmbushin vetëm ato. Korrupsioni është gurkyçi i suksesit
6. Sepse tashmë qeveritë kanë kuptuar se shumë nga kompanitë private që sigurojnë PPP i kanë bazat në parajsa fiskale duke iu shmangur kësisoj tatimeve mbi të ardhurat e duke zvogëluar në perspektivë përfitimet e shtetit nga përdorimi i PPP-ve.
7. Sepse në bazë të studimeve e raporteve të plota kostot e ndërtimit me PPP shumë herë janë më të larta se ato nga vetë sektori publik. Kjo edhe sepse kompanitë private për të siguruar kapitalin e tyre për një projekt do t’i drejtohen bankave. Por dihet se në huamarrje qeveritë për shkak të garancive e riskut minimal të falimentimit janë më të afta të sigurojnë norma më të ulta interesi. Pra huatë më të shtrenjta do ta bëjnë edhe më të shtrenjtë projektin.
8. Sepse qeveri të përgjegjshme kanë kuptuar se me logjikën e PPP-ve ku shpenzimet kapitale nxirren jashtë buxhetit të qeverisë, projektet me partneritet publik-privat bëhen edhe kur janë më të shtrenjta se një investim i pastër publik. Ndaj nuk kanë pranuar të rëndojnë në të ardhmen taksapaguesin (publikun). E për më tepër nuk duan të kufizojnë hapësirën fiskale.
9. Sepse sektori privat duke patur synim maksimalizimin e fitimit për të mbijetuar nuk merr parasysh as mbrojtjen e mjedisit, as cilësinë e lartë e as kushtet e punonjësve. E dimë çfarë ka ndodhur me mjedisin e punëtorët nën administrimin privat në Shqipëri.
10. Sepse klima politike është e rëndë në vitet e fundit, se garancitë qeveritare bien me rëndimin e krizës ekonomike. Imagjinoni ç’do të thotë kjo për Shqipërinë.

Ka edhe shumë ‘sepse’, dyshime e dilema, ndërsa institucione financiare ndërkombëtare nën presionin e kompanive të mëdha propagandojnë formula privatizimi të cilat e dimë mirë se çfarë i shkaktuan botës.
PPP-të kanë një mision magjik, fshehin defiçitin buxhetor me të njëjtën logjikë që shtete më të fortë se ne fshehën detyrimet duke shkaktuar krizë të rëndë financiare. Asnjë e dhënë nuk dëshmon rritje ekonomike në vende të ngjashme me ne nga përdorimi i PPP-ve, përkundrazi. Sot janë nën paketa shpëtimi.
E për më tepër kush e vendosi vlerën 1 miliard?
Ndaj nëse ka një nder që mund t’i bëjmë vetes e fëmijëve tanë është t’i kërkojmë llogari deri ne fund për çdo vendim atyre që kanë në dorë vendim-marrjet, të dyshojmë e informohemi, t’i detyrojmë për transparencë e debate publike.
Përndryshe ai burri që na garanton ‘ke vllain tat, hidhe këmbën pa frikë’, kur të biem të gjithë do ketë një helikopter mbi krye që e ngre në çast e nga lart do të na përqeshë me një:
‘Çfarë të thotë vllai jot?! Beson shumë!’

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0079209804534912
array(1) { ["section"]=> string(51) "cfare-nuk-po-na-thone-per-projektin-1-miliard-67368" }