Christopher R. Hill, amerikani i paqes në Ballkan

Publikuar tek: analiza-komente, më 12:15 03-10-2016 Christopher R. Hill, amerikani i paqes në Ballkan

Universiteti Europian i Tiranës e nderon sot Hill, ambasadorin e parë amerikan në Shqipëri pas komunizmit dhe njeriun që vuri paqen në Kosovë pas luftës, me titullin “Doctor Honoris Causa”. UET Press boton librin e tij “Pararojë –në vijën e frontit të diplomacisë amerikane”, me kujtime gjatë shërbimit të gjatë diplomatik.

Nga Blerina Gjoka

Ishte vetëm 8 vjeç kur u njoh me Ballkanin. Christopher R. Hill në atë kohë jetonte në Beograd, në ish-Jugosllavinë e Titos, pasi babai ishte emëruar si oficer politik i ambasadës amerikane.

Në atë kohë pa imazhin e parë të ballkanasve anti-amerikanë, kur shtëpinë e tij e sulmuan një grup serbësh, të cilët “shkruan epitete, shkarravitën slogane dhe gjuajtën me gurë”. Ishin vitet ‘60 dhe ai nuk e dinte se 40 vite më vonë do të vinte sërish në Ballkan, por këtë herë i mikpritur ashtu siç nuk e kishte imagjinuar.

Para se të merrej me ballkanasit gjatë viteve të krizës në Kosovë e Bosnjë, ai kishte marrë këshillën e duhur nga një tjetër diplomat kalibri, si Richard Holbrook. “Mos u bëj një oficer tipik i shërbimit të jashtëm.

E vetmja gjë më e keqe se mungesa e udhëzimeve nga Washingtoni është pasja e udhëzimeve nga Washingtoni”, i thotë ai para se të nisë këtë rrugëtim diplomatik. Kështu amerikani Hill i beson forcës së tij negociuese, duke pranuar se në Ballkanin që “prodhon më shumë histori, se sa mund të konsumohet (cit. Churchill)” do ta gjente fillin e paqes.

Hill dhe shqiptarët

Pavarësisht se emri i tij është i lidhur ngushtësisht me misionin e tij në Kosovë, ka gjithashtu një simbolikë të fortë edhe për Shqipërinë. Hill ishte i pari zyrtar amerikan në Shqipërinë post-komuniste, kur në 1 tetor 1991 rihapi Ambasadën Amerikane në Tiranë duke rivendosur marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve. Ai ishte i ngarkuar me punë i përkohshëm, por lidhja e tij me Ballkanin dhe veçanërisht me shqiptarët do të ishte e gjatë.

Më vonë u emërua ambasador në Maqedoni, negocioi paqen në Bosnjë dhe ishte amerikani që mbikëqyri vendosjen e paqes në Kosovë në vitet më të trazuara të saj, ‘1998-1999. Gjatë kësaj periudhe ai do të “ritakohej” me serbët, nëpërmjet takimeve me udhëheqësin famëkeq, Millosheviçin, me të cilin do të negocionte takimet me udhëheqësin e shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Kujtimet e kësaj periudhe dhe shërbimeve të tij të mëvonshme, detyra të rëndësishme si ajo e ambasadorit të Irakut pas luftës, apo negocimi me Korenë e Veriut, vijnë për lexuesin shqiptar me botimin e librit të tij “Pararojë- në vijën e frontit të diplomacisë amerikane”, botuar nga UET Press. Libri do të promovohet sot pasdite në Universitetin Europian të Tiranës pas ceremonisë së dorëzimit të titullit “Doctor Honoris Causa” për ambasadorin e paqes në Ballkan.

“Honoris Causa” për paqen

Në dy rekomandimet e tyre, prof. dr. Ferit Duka dhe prof. dr. Romeo Gurakuqi, e cilësojnë Hill si një negociator të paqes dhe si një mik të shqiptarëve.

Senati Akademik i Universitetit Europian të Tiranës vendosi javën që shkoi dhënien e titullit Doctor Honoris Causa z. Christopher R. Hill me motivin: “Për kontributin e veçantë që ka dhënë në vitet ‘1998-1999, si i Dërguari Special i Departamentit Amerikan të Shtetit, në Kosovën e trazuar nga ballafaqimi i dhunshëm i soldateskës dhe çetnikëve të diktatorit Millosheviç, mbi popullsinë e pambrojtur civile të Kosovës, asokohe në një situatë dypushteti: atij të dhunshëm, të mbajtur me makinerinë e luftës, dhe atij të Republikës së Kosovës së drejtuar nga lideri properëndimor dhe paqësor shqiptar, Presidenti famëmadh dr. Ibrahim Rugova”.

Mjafton të lexosh kujtimet e tij për të kuptuar rolin e rëndësishëm që pati gjatë asaj periudhe tejet të vështirë që po kalonte Kosova. Ja si e përshkuan ai takimin me Millosheviçin pasi kishte shkuar t’i ankohej për ndjekjen e fshatrave kosovare nga milicia serbe “Ditën tjetër, mora fluturimin për në Beograd dhe u përballa me Milosheviç-in për djegien e atij fshati.

I thashë gjithashtu, për takimin me fshatarët në mal, duke mos përmendur pjesën për prezencën e UÇK-së, meqenëse nuk doja që ata të ishin objektivi i tyre i ardhshëm. Kishte marrë fund mburrja e tij për të shkuarën, bashkë me humorin e hidhur, që përdorte për të argëtuar të ftuarit e tij…”

Diplomati “brilant, i patrembur dhe bindës”

Sekretari amerikan i shtetit, Richard Holbrooke, në librin e tij e ka përshkruar Hill si “brilant, të patrembur dhe bindës”, si njeri “me aftësi shumë të mira negociuese”. Pa dyshim që një kapitull i rëndësishëm i angazhimeve të tij si diplomat përfaqëson puna e tij në zgjidhjen e çështjes shqiptare. “Me shpërthimin e krizës jugosllave, populli shqiptar në trevën e Kosovës u gjend i ekspozuar ndaj dhunës dhe represionit të egër të Serbisë së Millosheviçit me qëllim spastrimin etnik të këtyre territoreve dhe mbetjen përfundimtare të krahinës brenda kufijve të shtetit serb.

I Dërguari Special i SHBA-ve për Kosovën në vitet vendimtare të krizës (1998-1999), z. Hill së bashku me emisarët e tjerë amerikanë, bënë çmos për të ndalur dhunën serbe dhe për të mbrojtur shqiptarët, për të ndihmuar me të gjitha mjetet qëndresën shqiptare si dhe për të inkurajuar e mbështetur faktorin shqiptar për të qenë i përgatitur për bisedimet e Rambujesë dhe fazat e mëpastajme të zhvillimit të ngjarjeve.

Një ndihmë të paçmuar ka dhënë zoti Hill edhe për lehtësimin e vuajtjeve të refugjatëve shqiptarë që hynin nga Kosova në Maqedoni për shkak të dhunës serbe”, shkruan në rekomandimin e tij profesor Duka drejtuar Ministrisë së Arsimit.

Ndërsa Romeo Gurakuqi, në cilësinë e studiuesit, historianit dhe si drejtor i Shkollës Doktorale në UET, shprehet në rekomandimin e tij se “Shqiptarët e Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe të ish-republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe popujt liridashës së Ballkanit, e kujtojnë dhe e nderojnë zotin Hill, për një angazhim të posaçëm të tij në procesin e rizgjimit demokratik në Ballkanin post komunist, në procesin e mbrojtjes së jetës së popullsisë civile dhe të lirisë së Kosovës, të popullit të saj dhe bashkëjetesës multi-etnike atje, në mbrojtjen e udhës së ndërtimit të institucioneve demokratike në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, veprimtari kjo që impaktonte të gjithë popujt të këtij shteti të ri indipendent”.  Shkruar për Gazetetën Mapo

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.034851789474487
array(1) { ["section"]=> string(53) "christopher-r-hill-amerikani-i-paqes-ne-ballkan-54914" }