Davutoglu-Merkelit: Turqia nuk mund të mbajë e vetme barrën e refugjatëve

Publikuar tek: bota, më 18:54 08-02-2016 Davutoglu-Merkelit: Turqia nuk mund të mbajë e vetme barrën e refugjatëve

Kryeministri turk Ahmet Davutoglu tha se askush nuk ka të drejtë të thotë se Turqia me siguri do të pranojë refugjatët sirianë dhe të mos presin që Turqia të marrë mbi vete barrën e krizës së refugjatëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Davutoglu sot në Ankara u takua me kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila po udhëheqë delegacionin gjerman në një vizitë zyrtare në Turqi, pas së cilës ata mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat.

Duke theksuar se takimet e shpeshta të zyrtarëve të lartë të të dy vendeve në javët e fundit tregojnë intensifikimin e marrëdhënieve dhe forcimin e miqësisë midis Turqisë dhe Gjermanisë, Davutoglu tha se gjatë këtyre takimeve është diskutuar intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe, por edhe kriza siriane dhe ajo e refugjatëve që ka prekur vetëm Turqinë dhe Gjermaninë.

Ai shprehu shqetësim rreth sulmeve të dhunshme të Forcave Ajrore ruse dhe forcat besnike të regjimit të presidentit sirian Bashar al-Asad që kanë mbyllur korridorin Halep - Turqi duke parandaluar shpërndarjen e ndihmave humanitare për civilët e prekur nga vuajtjet masovike ndërsa në Gjenevë është iniciuar procesi i bisedimeve paqësore për ndalimin e luftës në Siri.

"Forcat e regjimit sirian dhe Rusia janë duke u përpjekur që të vënë nën rrethimin Halepin dhe ne po përballemi me një dramë të re humanitare nga miliona njerëz në dhe rreth Halepit. Të gjitha këto janë tregues se si Rusia dhe aleatët e tjerë të regjimit janë të pasinqertë dhe larg nga ideja e paqes. Në terren, situata po ndryshon në çdo moment. Konsultimet turko-gjermane të cilat i bëjmë rregullisht janë të një rëndësie të madhe në drejtim të forcimit të bashkëpunimit tonë, paralajmërim për komunitetin ndërkombëtar dhe marrje e përgjegjësisë sonë humanitare ndaj refugjatëve", tha Davutoglu.

Duke theksuar se Turqia është duke bërë çmos për të ndihmuar popullin sirian, Davutoglu tha se askush nuk ka të drejtë të tolerojë sulmet ajrore ruse që mund quhen me të drejtë spastrim etnik dhe të presin që Turqia e vetme të merret me krizën e refugjatëve.

Ai falënderoi kancelaren Merkel, pasi që ajo vazhdimisht tregon për faktin se kriza e refugjatëve nuk është vetëm problem i Turqisë, por problem i Evropës dhe mbarë botës.

Davutoglu shtoi se delegacionet e Turqisë dhe Gjermanisë sot arritën marrëveshje për veprim të përbashkët për dhjetë tema të rëndësishme, shumica e të cilave janë rregulluar më parë në platformën e Planit të Veprimit të Turqisë dhe BE-së.

"Ne ramë dakord për nisjen e iniciativës diplomatike që të fillojë urgjentisht respektimi i rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së në rajonin e Halepit, që njëkohësisht me vazhdimin e bisedimeve të paqes ti japin fund sulmeve në terren dhe të ndërpresin operacionet kundër civilëve. Çështjen e sulmeve kundër civilëve të kryera nga Rusia dhe forcat e tjera do të ngrisim në instanca diplomatike të OKB-së dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë. Sulmet çnjerëzore në Halep duhet urgjentisht të përfundojnë dhe kjo duhet të jetë qëllimi i përbashkët i të gjithë neve", tha Davutoglu.

Duke iu referuar çështjes së trafikimit të qenieve njerëzore, Davutoglu tha se Turqia gjithmonë e ka konsideruar këtë si një nga krimet më të rënda, të barabartë me terrorizmin.

Duke vënë në dukje se disa çarqe kriminale refugjatëve u kanë shitur gomone dhe jelekë të shpëtimit, Davutoglu tha se askush nuk do të lejohet të keqpërdor tragjedinë e njerëzve dhe mbi këtë të ndërtojë sektorin e fitimit dhe bëri të ditur se forcat turke të sigurisë do të intensifikojnë kontrollet përgjatë gjithë rrugëve të emigrantëve.

"Është e domosdoshme që ne të punojmë së bashku deri sa në Siri të vendoset paqja dhe të eliminohen sulme barbare mbi popullin sirian që janë shkaku i krizës së refugjatëve. Turqia dhe Gjermania me përpjekje të përbashkëta do të angazhohen për përmirësimin e kushteve në kampet e refugjatëve dhe krijimin e kushteve që këto refugjatët të kthehen në shtëpitë e tyre", përfundoi Davutoglu.

Delegacionet e të dy vendeve sot kanë biseduar rreth ngjarjeve në Ballkan, Kaukaz, Azi dhe rajone të tjera, kurse Turqia kërkoi mbështetjen e Gjermanisë në procesin e hapjes së kapitujve të rinj në negociatat e pranimit në Bashkimin Evropian.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.020547151565552
array(1) { ["section"]=> string(78) "davutoglu-merkelit-turqia-nuk-mund-te-mbaje-e-vetme-barren-e-refugjateve-32066" }