De Biazi: Besoj se do të shkojmë në Francë

Publikuar tek: sport, më 19:34 30-01-2015 De Biazi: Besoj se do të shkojmë në Francë

Mirëmbrëma të gjithëve, si jeni, mirë? E thënë shqip nga Xhani De Biazi tingëllon më tepër se një batutë. Trajneri i Kombëtares shqiptare , ishte dje në mbrëmje rreth orës 18.00, i ftuari special në redaksinë e gazetës “Sport Plus”. Trajneri italian i kuqezinjve pranoi të rrëfehej për gjithçka: Kombëtaren, kampionatin shqiptar, legjionarët, jetën e tij në Shqipëri, preferencat. 

Prej katër vitesh jeni trajner i Kombëtares shqiptare. Si ndiheni në Shqipëri?

 

Ndihem si në shtëpinë time. Kur vij në Shqipëri ndihem gjithmonë mirë. Kam shumë miq, si nga futbolli ashtu dhe jashtë tij. Jam me të vërtetë i kënaqur që zgjodha të bëhesha trajneri i Shqiperisë.

 

Një Xhani De Biazi që udhëton shpesh midis ltalisë dhe Shqipërise ….

 

Futbolli i bashkon gjithmonë vendet. Por, dua të them se për pak kohë do të jem qytetar i këtij vendi.

 

Një lajm më të vërtetë i bukur.

 

Absolutisht (qesh).

 

A do te kemi një Xhani De Biazi shqiptar para apo pas kualifikueseve të Europianit të Francës?

 

Jo, mendoj më përpara. Punë muajsh.

 

Gjuha shqipe?

 

E kuptoj, por më duket disi e vështire. Mund të them qindra fjalë, por e kam të vështirë të them një frazë të tërë korrekte. Më kupton? (e thotë në shqip).

 

Çfarë të ka pëlqyer më shumë?

 

Ajo që më ka pëlqyer më shumë është afërsia fizike midis ltalisë dhe Shqipërisë. Është vetëm një det që na ndan. Vetëm 70 km. Dy vende që janë kaq afër. Dhe pastaj, janë mijëra shqiptarë që jetojnë ne Itali ashtu siç ka shumë italianë që janë këtu. Kemi ndërtuar një urë të madhe miqësie midis nesh.

 

Të pëlqen Tirana si qytet?

 

Po, po. Më pëlqen shumë. Ka mjaft gjallëri. Është vibrues. Ka shumë të rinj që duan të bëjnë jetë nate (qesh).

 

Restoranti i preferuar?

 

Nuk dua të përmend emra, por këtu gatuhet ushqim shumë i mirë. Jemi shumë të afërt si kuzhinë. Pastaj, e gjithë bota e ka ndërkombëtarizuar kuzhinën.

 

ltalia është shndërruar si një shtëpi për lojtarët shqiptarë. Janë shumë futbollistë që luajnë atje …

 

Po, i fundit që ka ardhur është Andi Lila te Parma. Pak i pafat, pasi u dëmtua që në ndeshjen e parë dhe ka pasur aktivizim të kufizuar. Por, është Loriku (Cana), Etriti (Berisha), (Migjen) Basha, (Elseid) Hysaj, (Ledian) Memushaj, (Edgar)Çani gjithashtu. Po, po, kemi shumë shqiptarë, një gjë shumë e rëndësishme, por ka dhe të tjerë që luajnë në ltali dhe po dalin në dritë.

 

Etrit Berisha u shpall fajtor nga Federata ltaliane për kontratën me dy ekipe të njëjtën sezon. Cili është mendimi juaj?

 

Më vjen keq, për Etritin. Luajti shumë mirë kundër Milanit në ndeshjen e Kupës së  Italisë të martën. Tani të shohim si do të vendosë Seksioni Disiplinor i Federatës së ltalisë.

 

De Biazi, nga ndeshja me Armeninë na ndajnë vetëm dy muaj. Do të fitojmë?

 

Sigurisht. Duhet të shkojmë në atë ndeshje shumë të përqendruar. Duhet të jenë gati të gjithë. Por, lexoj atmosferën që ka shumë ndrojtje.

 

A është kjo ndeshja më e rëndësishme?

 

Po, është ndeshja më fondamentale për ecurinë tonë drejt finaleve të Euro 2016.

 

Ti vetë, brenda teje, a e beson se do të shkojmë në Francë?

 

Po, besoj. Besoj, edhe pse në fillim, siç e kam thënë ishte shumë e vështirë. Kemi akoma një rrugë të gjatë, por së pari duhet të kalojmë pengesën Armeni. Do të kërkojmë të marrim një rezultat pozitiv. E di që të gjithë presin fitoren dhe unë besoj se do t’ia arrijmë.

 

A ka skuadra kapacitetin për ta mbërritur për herë të parë në finalet e një Europiani?

 

Ne e nisëm shumë mirë, morëm katër pikë në dy ndeshjet e para: fituam në Portugali, ndërsa Danimarka na barazoi në fund. Por më pas erdhi Serbia, ndaj së cilës besoj se mund të kishim marrë pikë, por ndodhi ajo që të gjithë e dimë: humbjen në tavolinë.

 

A besoni se mund ta marrim fitoren në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozane?

 

Nëse vendoset me drejtësi, une them po. Shpresoj që drejtësia të shkruhet me”D” të madhe.

 

Gashi u shndërrua në një çështje pak muaj më parë, ndërkohë që ai do të luajë në Ligën e Kampionëve në fazën e 1 /16-ve …

 

E kam thënë edhe më parë arsyen pse nuk e thirra në miqësoret e muajit nëntor kundër Francës dhe ltalisë. Gjithsesi, e them se ai do të jetë në ndeshjen kundër Armenisë.

 

Taulant Xhaka u konsiderua si zbulimi i Ligës së Kampionëve nga UEFA. ..

 

Xhaka është një lojtar që ka cilësi të mira. Ështe një  tip që bën shumë sakrifica. Ne kemi nevojë për lojtarë që marrin pjesë në të dyja fazat, edhe në atë sulmuese edhe atë mbrojtës. Ne nuk kemi luksin si Zvicra, bie fjala që të sulmojmë, por sot në futbollin modern mbrojnë të gjithë, shohim edhe Runin të mbrojë.

 

Shumë transferime të lojtarëve shqiptarë, por dhe prezantime të mira të lojtarëve si Shala me Spartën e Pragës dhe Balaj me Rijekën …

 

I kam ndjekur dhe më vjen mirë që e kanë nisur mbarë. Unë besoj që, shumë lojtarë tanë që janë qarkullim i bëjnë mirë jo vetëm atyre, por dhe futbollit shqiptar, pasi forcohet mendimi se një lojtar shqiptar mund të jetë i vlefshëm në një kampionat të fortë europian. Të bësh eksperiencë në kampionate të rinj është e rëndësishme.

 

Lenjani, në Francë?

 

Fola pak ditë më parë me Ermirin dhe më tha se ndihet shumë i kënaqur te Rene. Për fat të keq, mori karton të kuq në ndeshjen e parë dhe ishte i skualifkuar për ndeshjen e radhës. Më tha se trajneri ndihet i kënaqur me të.

 

Balaj?

 

Në fakt, më mori dikush nga Kroacia për të marrë një reference për Balajn se çfarë lojtari ishte Bekimi. I thashë se prej tij jam shumë i kënaqur dhe se ishte një djalë shumë serioz. Tani te Rijeka janë të kënaqur që e kanë marrë Balajn. Jam i bindur se do të lërë gjurmë atje.

 

De Biazi, ju e ndiqni shpesh futbollin shqiptar. Si e vleresoni atë?

 

Në opinionin tim, të paktën në këto vite që unë jam trajner i Shqipërisë dhe e kam ndjekur atë, ai është rritur. Janë katër skuadra që kanë nivel të mirë. Dhe këtu kam parasysh: Kukësin, Partizanin, Tiranën dhe…Skëndërbeun. Shpresoj që të bëjnë paraqitje të mirë këtë vit në Europë, dhe të mos ndodhë si vitin e kaluar, kur Kukësi dhe Skëndërbeu ishin të pafat ndaj kundërshtarëve të tyre. Është e rëndësishme që të jenë një shembull i mirë për të gjithë.

 

A keni parë lojtarë premtues në Superligën shqiptare?

 

Ka shumë futbollistë të mirë, edhe pse nuk mund të flasim për talente të mëdha. Gjithsesi, janë lojtarë që po e bëjnë të bukur këtë kampionat. Unë kam grumbulluar gjithmonë lojtarë nga Superliga në kombëtare.  Po, kam parë djem të rinj të talentuar, që po të punohet seriozisht me ta në sektorin e të rinjve mund të jenë një e ardhme e mirë e kampionatit shqiptar. Besoj se talentet janë, dhe po të kurohen mirë nga trajnerë të mirë, natyrshëm që do të kemi edhe më shumë lojtarë nga kampionati vendas në të ardhmen do të kemi një lojtar shqiptar në Europë, po aq të vlerësuar si një futbollist në Francë apo kudo tjetër.

 

Kur do të shohim një lojtar 18-19 vjeçar në Kombëtaren e madhe?

 

Një lojtar 18 apo 19-vjeçar nuk e kemi akoma gati të luajë për ekipin e parë. Është ende shpejt akoma më duket. Nuk kemi kaq të talentuar dhe kaq të gatshëm për të luajtur direkt.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Pique bën një tjetër “gol”, Shakira sjell në jetë djalin e dytë
La Liga, vetëm 45 milionë Euro për transferimin e 34 lojtarëve në merkato »
Article Logic
Execution time: 0.0048041343688965
array(1) { ["section"]=> string(46) "de-biazi-besoj-se-do-te-shkojme-ne-france-1961" }