DEBATI I PLOTË/ Rama rrëzon gotën: Vagabond. Blushi: Ti nuk ke burrëri. Ndërhyjnë Ruçi, Dade, Hafizi e Balla

Publikuar tek: politike, më 08:15 08-03-2016 DEBATI I PLOTË/ Rama rrëzon gotën: Vagabond. Blushi: Ti nuk ke burrëri. Ndërhyjnë Ruçi, Dade, Hafizi e Balla

Kryeministri Edi Rama dhe deputeti kritik, Ben Blushi u përplasën shumë ashpër dje, në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë Socialiste.

Temën e hapi kryetari i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, i cili tha se mbledhja e grupit nuk ishte mjedisi i duhur për të diskutuar në lidhje me incidentin e ndodhur në Elbasan. “Për këtë, mësohet të ketë thënë Ruçi,; duhet diskutuar në asamblenë kombëtare”, që pritet të mblidhet nesër, ose në asamblenë e degës së PS-së në Elbasan. Por, ai nuk ka mundur t’i mbajë dot reagimet, që së pari erdhën nga deputetet Hafizi e Dade. Burimet bëjnë me dije për “GSH” se Dade është shprehur e ashpër, duke kritikuar edhe qëndrimin e dy deputetëve të vjetër të PS-së, Anastas Angjeli e Musa Ulqini, që nuk kishin ndërhyrë për të mbrojtur kolegun Blushi, edhe pse ata janë rrahur në kohën e Berishës dhe e dinë se ç’do të thotë dhunë.

Vetë Blushi ka sqaruar ngjarjen, bëjnë të ditura burimet për “GSH”, megjithëse kreu i grupit, Gramoz Ruçi kërkoi disa herë që të mbyllej diskutimi. Blushi u ka qëndruar plotësisht akuzave të tij, duke i thënë Ramës në sy se ai ka sjellë kriminelët në PS. Ndërsa Rama i kërkoi disa herë që t’i thoshte emrat e kriminelëve. Në një moment, mësohet se kreu i PSsë është nxehur aq shumë në debat e sipër me Blushin, sa ka shtyrë gotën e ujit që ka pasur përballë, duke e rrëzuar atë, tre metra larg tij në mes të tavolinës ovale që ndodhet në sallën ku bëhen mbledhjet e grupit, duke derdhur ujin. Rama ka sqaruar më pas se gotën e shtyu pa dashje, ndërkohë që Blushi i kërkoi të ruajë qetësinë dhe të mos gjuajë me gotë. Kryeministri Edi Rama mësohet, t’i ketë thënë Blushit: “Ti je shpifës, vagabond. Ke dy vjet që flet për kriminelë brenda partisë. Ku i ke emrat, trego emrat e kriminelëve. Ja ku i ke deputetët. Cili prej tyre është kriminel?! Ke dy vite që përdor gjuhën dhe akuzat e Saliut. Sot është dita që t’i tregosh këtij grupi kush janë kriminelët sipas teje”, mësohet të jetë shprehur Rama. “Ti je rrugaç, vagabond”, mësohet t’i ketë thënë Rama, Blushit.

Ndërsa Blushi i është përgjigjur se: “Ti nuk ke burrëri as deri te taka e këpucës”. Rama e Blushi kanë shkëmbyer për rreth 20 minuta replika të ashpra, por gjatë gjithë kohës ka pasur edhe ndërhyrje nga deputetët në mbështetje të njërit apo tjetrit. Në përfundim të mbledhjes, Blushi tha për gazetarët se: “Edi Rama, nëse mendon se nuk ka pasur asnjë kriminel, pse e ka votuar këtë ligj? Kjo nuk është pyetje për mua, por për PS-në, për prokurorinë dhe policinë. Ata e dinë më mirë se kush janë kriminelët në parlament”. Për incidentin e Elbasanit, Blushi u tha gazetarëve se duhet të pyesin Ramën se çfarë mendon dhe sa përgjegjës është për këtë gjuhë dhune dhe armiqësie që ka futur brenda partisë. Ndërsa deputeti Taulant Balla tha pas mbledhjes, i pyetur nga gazetarët: “Mua më vjen keq që për një koleg timin ka një sallë që nuk do ta dëgjojë, por duhet të kuptojmë se së pari nuk duhet të fyejmë sallat nga të cilat zgjidhemi. Grupi ka diskutuar me debate të nxehta. Një deputet ka hedhur baltë duke thënë që ‘ky grup ka kriminelë’. Me të drejtë iu tha të jepte emrat, por nuk dha emra”. I pyetur se cili do të jetë fati i Ben Blushit në PS, Balla tha: “Secili, fatin e vet politik e ka në dorë të vet”. “Gazeta Shqiptare” boton të plotë debatet me dyer të mbyllura në grupin parlamentar të Partisë Socialiste.

DEBATET E PLOTA NË MBLEDHJEN ME DYER TË MBYLLURA TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PS

GRAMOZ RUÇI: Unë nuk mund të bëj sikur nuk ka ndodhur gjë. Ashtu si ju të gjithëve, edhe mua më ka ardhur një kërkesë për të ashtuquajturin incident në Elbasan. Sigurisht, nuk pajtohem me dhunën, por duhet të kemi parasysh se ai ishte një aktivitet i partisë për anëtarësimet e reja në qarkun e Elbasanit. Unë nuk do doja që ta diskutonim këtë çështje në grupin parlamentar, që nuk e ka tagrin për të bërë gjykatësin për aq kohë sa kjo ka ndodhur në Elbasan. Ne mund ta diskutojmë këtë çështje në mbledhjen e asamblesë kombëtare ose në asamblenë e Elbasanit. Por nuk mund të marrim kohën në grup. (Kërkon fjalën deputetja Mimoza Hafizi)

GRAMOZ RUÇI: Ju lutem, ndaj fola vetë i pari për këtë çështje dhe do të kërkoja nga ju që të mos zgjateshim në këtë pikë.

MIMOZA HAFIZI: Zoti Ruçi, unë dua të them opinionin tim për këtë çështje. Nuk është normale ajo që ka ndodhur në Elbasan. (Kërkon fjalën Arta Dade. Ruçi refuzon t’ia japë, por Dade fillon të flasë.)

ARTA DADE: Ajo që po ndodh është shumë e turpshme. Vetëm në kohën e Berishës, deputetët janë dhunuar kështu. Si mundet që ne te kemi mbërritur në pikën për ta sulmuar një kolegun tonë deri edhe fizikisht?! E kam më shumë me kolegët që janë rrahur si unë, nga Berisha. Ju Anastas dhe Musa, si socialistë të vjetër, si nuk ndërhytë në këtë ngjarje, si mundët ta lejonit të ndodhte një gjë e tillë?!

ANASTAS ANGJELI:Arta, të lutem mos më përmend emrin, fol për vete. (Ben Blushi kërkon fjalën)

GRAMOZ RUÇI: Ju kërkoj që të mbyllim debatet këtu, se nuk mundet ta zgjidhim këtë çështje në grup

BEN BLUSHI: Më jepni fjalën. Çfarë po ju kërkoj?! Dua të them opinionin tim. Nuk është burrëri që të mos më japësh fjalën. Është e vërtetë që unë vajta i paftuar. Por ka dy vjet që unë nuk njoftohem. Mua nuk më vjen më asnjë e-mail, as një SMS në telefon. Por njerëzit atje nuk kanë faj. Fyerjet ndaj meje janë frymëzuar nga këtu brenda. Ata 15 banditë që bërtisnin, se nuk ishin më shumë, ishin të urdhëruar ta bënin një gjë të tillë. Por unë i kam falur ata. Ka një frymë urrejtjeje. Unë kam ngritur zërin se ka elementë të tillë kudo, edhe në këtë grup parlamentar. (Në këtë moment ka ndërhyrje të shumta nga deputetët e tjerë që kërkojnë të marrin fjalën)

BEN BLUSHI: Çfarë po kërkoj?! Po ju kërkoj të ketë zgjedhje për kryetarin? Dhe kjo është gabim?! Ju po mbroni kriminelët. Kjo parti mbron kriminelët dhe sulmon ata që kërkojnë votime. (Reagon ashpër kryeministri Rama. I nxehur shtyn gotën e ujit që ka pranë. Gota përfundon tri metra larg në mes të tavolinës, rrëzohet dhe derdhet uji)

EDI RAMA: Shpifës. Ti je shpifës. Ke dy vjet që flet për kriminelë brenda partisë. Ku i ke emrat, trego emrat e kriminelëve. Ja ku i ke deputetët. Cili prej tyre është kriminel?! Ke dy vite që përdor gjuhën dhe akuzat e Saliut. Sot është dita që t’i tregosh këtij grupi kush janë kriminelët, sipas teje. Por, para se ta bësh një gjë të tillë, po të deklaroj me përgjegjësi që asnjë deputet i PS-së nuk ka në veprimtarinë e tij asnjë vepër apo çështje që lidhet me ligjin e dekriminalizimit. Tani, meqenëse ligji u miratua, ti duhet t’i kërkosh falje grupit parlamentar.

BEN BLUSHI: Kriminelët i solle ti në këtë parti dhe i mbron ti. Do të duhet kohë që ta shlyejmë këtë damkë që i është vënë partisë. Ti mbron një deputet që ka plagosur 4 njerëz. A është kriminel një njeri që mban armë pa leje? Kam gabim edhe këtë?

TAULANT BALLA: Ti Blush po gënjen. Armando Prenga nuk është më anëtar i grupit parlamentar dhe as anëtar i partisë.

EDI RAMA (Ndërhyn i nxehur e me tone të larta duke iu drejtuar Blushit): Përsëri ti shpif, siç bën gjithmonë. Më thuaj një herë të vetme që ne e kemi mbrojtur deputetin në fjalë. Përsëri të them, më thuaj emrat e atyre që sipas teje janë kriminelë në këtë grup. Je një ngatërrestar i pakorrigjueshëm. Që, siç fyeve socialistët në Elbasan, fyen çdo ditë kolegët e këtij grupi parlamentar. Sa për Elbasanin, më lejoni t’ju sqaroj ngjarjen: 30 minuta para se të fillonte takimi, Taulant Balla më ka telefonuar dhe më ka thënë që Blushi ka dalë dhe ka deklaruar se do vijë në takimin e Elbasanit dhe do të marrë dhe fjalën. I kam kërkuar që të kontaktojë me të dhe t’i pranojë çdo kërkesë që ai ka, përfshirë këtu edhe nëse do të flasë.

BEN BLUSHI: Ti nuk ke burrëri as deri te taka e këpucës.

EDI RAMA: Ti je një rrugaç, një vagabond

BLUSHI: Rrugac je vetë. Ruaj qetësinë. Shko vizitohu. Shko bëj testin e spirometrisë (për astmën). Qetësohu, Gjuan edhe me gotë pastaj . ti je demode.

Edi Rama: Unë nuk gjuajta me gotë. Unë e shtyva pa dashje dhe u derdh uji.

MIMI KODHELI: Ben  ti fole këtu dhe ke kohë që flet për kriminel;ë në grupin parlamentar në qeveri. Unë jam pjesë e kësaj qeverie dhe nuk mundem ta pranoj një akuzë të tillë.

BLUSHI: Mimi a quhet kriminel një njeri që mban armë pa leje, një njeri që plagos 4 persona?

A ishe ti që më the në fushatën e 2013-ës që të lutem mbushja mendjen Edit të heqë nga lista ARben Ndokën?

BLERINA GJYLAMETI: Në akuzat e tua ti na ke futur të gjithëve në një thes . Kjo është e papranueshme.

PJERIN NDREU: Ngjarja e Elbasanit nuk e nderon PS kjo duhet thënë.
Nga ana tjetër Blushi nuk ka të drejtë për debatin e zgjedhjes së kryetarit.
Nuk është ky problemi i socialistëve dhe popullit që pret shumë nga ne. Reformat janë të dhimbshme ka thënë Kryeministri, por në vete po i shtojmë dhimbjet. Kështu po riciklojmë Berishën.
I them Blushit që synimi për kryetar nuk duhet t'i errësojë arsyen e argumentin. Të thuash se ka banditë në një kohë kur ishe anëtar kryesie e s'the asgjë për 2 vjet, është amorale dhe e kompromenton qëllimin tënd. Armando Prengën me të cilin ti ke drekuar shumë herë, nuk e ka toleru askush por i është ashpërsu shumëfish pozita nga vete policia jonë.
Nuk të nderon kjo që thu.
PS I duhet me shumë unitet e jo thashetheme që duan t'i veshin këtij parlamenti gjithë zullumet e 25 viteve. Ka pasë parlament ku janë vrarë, qe ka prodhu 97, që ka sjellë amulli e korrupsion prej vitesh. Në mezi po i riparojmë e jo ti mbajmë në kurriz. Kjo rrugë na çon të Berisha. Kryekrimineli bën e imponon ligjin për dekriminizimi me tekat e veta ?!
Pra duhet të jeni një se kemi edhe një vit kohë deri në zgjedhje.
Del një deputet e sulmon me gazetë kryetarin e bashkisë Tirane për një drejtor që ju hoq ?! Ky është turp !!!
Kryetari i bashkisë është përsonalitet dhe duhet të mbeshtet .
 Së fundmi Partia e ka kryetarin, kur të mbarojë mandati hapim debat për tjetrin.

GRAMOZ RUCI: Ju lutem deputetë, ta mbyllim këtu këtë debat. Sigurisht, debate ka dhe do të ketë por jemi në mbledhjen e Grupit Parlamentar.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Veliaj: Dola nga shtëpia në 6 të mëngjesit, e gjithë administrata në punë. Kam shkuar të negocioj me Fatos Nanon
Reforma në Drejtësi: Lu dhe Vlahutin takojnë Fatmir Xhafën te Kryesia e Kuvendit »
Article Logic
Execution time: 0.037261962890625
array(1) { ["section"]=> string(107) "debati-i-plote-rama-rrezon-goten-vagabond-blushi-ti-nuk-ke-burreri-nderhyjne-ruci-dade-hafizi-e-balla-34525" }