Deflacioni ynë më i keq

Publikuar tek: ekonomi, më 13:11 12-03-2016 Deflacioni ynë më i keq

Nga Klodian Tomorri

Ngadalësimi i fortë rritjes së çmimeve në shkurt ka hapur një debat teorik mes ekspertëve mbi rrezikun që ekonomia të rrëshqasë në deflacion. Por teksa deflacioni i çmimeve nuk është një problem (ende), një tjetër deflacion është realitet. Ky është deflacioni i pagave dhe të ardhurave në tërësi.

Pas rënies dramatike të dërgesave nga emigrantët, tre vjet më parë ekonomia nisi të shfaqë shenjat e para të ngadalësimit edhe në rritjen e pagave, burimi kryesor i të ardhurave familjare. Zhvillimi fatal erdhi kur qeveria vendosi ngrirjen e përgjithshme të pagave në sektorin publik për një periudhë tre vjeçare. Që atëherë pagat reale kanë rënë duke përkeqësuar standardin e jetesës për pjesën dërrmuese të familjeve, të cilat kanë si burim të vetëm jetese të ardhurat nga puna. Dhe këto janë shumica.

Sipas INSTAT, krahasuar me fundin e vitit 2013 paga mesatare në sektorin shtetëror është rritur me 3.1 për qind në vlerë nominale.http://www.instat.gov.al/al/themes/tregu-i-pun%C3%ABs.aspx

Për të njëtën periudhë, çmimet e shportës, të matura sipas inflacionit, janë rritur me 3.7 për qind. Kjo do të thotë se mesatarisht pagat e atyre që punojnë në shtet kanë rënë me 0.6 për qind në terma realë. Por edhe ky tregues është i deformuar.

INSTAT e përllogarit pagën mesatare në shtet duke pjestuar fondin e pagave në buxhet me numrin total të punonjësve në shtet. Ajo që ka ndodhur gjatë tre viteve të fundit është se qeveria ka rritur fort pagat vetëm për një kategori punonjësish, që janë forcat e rendit dhe disa punonjës sipas saj të dalluar. Ndërsa për pjesën dërrmuese të administratës rrogat janë ngrirë që nga fundi i 2013-ës dhe çmimet kanë vazhduar të rriten duke bërë që krahasuar me tre vjet më parë, punonjësi mesatar i shtetit të jetë 3.7 për qind më i varfër.

Por edhe me këtë rënie, punonjësit e sektorit publik duhet të ndihen me fat. Kolegët e tyre në sektorin privat kanë pranuar ulje edhe më të fortë të pagave. Sipas Bankës së Shqipërisë, në vitin 2014, paga mesatare në sektorin privat ra me 5.6 për qind. Nëse shtohet dhe efekti i rritjes së çmimeve, rënia reale e rrogave shkon në 7.2 për qind, brenda një viti të vetëm.

Por rënia e pagave nuk është dimensioni i vetëm i pasojave dramatike të krizës në tregun e punës. Paralelisht, mijëra qytetarë kanë humbur vendet e punës teksa papunësia është rritur me ritme të shpejta duke kërcyer në gati 18 për qind. http://www.instat.gov.al/media/324272/atfp_t4_-_2015.pdf

Deflacioni i pagave është simptoma më e zakonshme e reçesioneve ekonomike. Teksa rrogat deflatohen, familjet e kanë gjithmonë e më të vështirë të përballojnë detyrimet, qofshin këto shpenzime korrente apo pagesat për borxhin. Ekonomistët e njohin këtë situatë si spiralja vicioze borxh-deflacion. Kjo është një nga arsyet kryesore se pse kreditë e këqija kërcyen në shifra dyshifrore, ndërsa vitin e kaluar familjet tkurrën dhe konsumin.

Shkalla e larta e papunësisë do të vazhdojë të bëjë presion për mos rritjen e rrogave. Për një punonjës është e vështirë të kërkojë rritje të pagës, kur shumë të tjerë si ai qëndrojnë në pritje për një punë, veçanërisht në një ekonomi, ku pjesa dërrmuese e tregut dominohet nga vendet e punës me aftësi të ulëta.

Në teori në duhet të trembemi nga rreziku i deflacionit të çmimeve. Por për momentin deflacioni ynë më i keq është ky; deflacioni i pagave ose shtrëngim i paprecedentë i buxheteve të familjare.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.037534952163696
array(1) { ["section"]=> string(29) "deflacioni-yne-me-i-keq-34900" }