Deformimi konsensual i sistemit të përfaqësimit politik

Publikuar tek: analiza-komente, më 10:28 11-07-2015 Deformimi konsensual i sistemit të përfaqësimit politik Rezultati real i votimit të qytetarëve

Nga Afrim Krasniqi

Reforma e re territoriale: u premtua se do u japë fund sistemeve feudale e fisnore lokale dhe pazarit me këshillat bashkiakë. Në fakt, produkti është i njëjtë, madje më i deformuar sesa më 2011 apo 2007. Mjafton kjo tabelë për të parë sesi në këshilla bashkiakë periferikë, me numër 15-31 këshilltarë janë përfaqësuar duke fituar mandate këshilltarësh....15-25 parti politike! Një absurd i votimit proporcional për këshilla dhe i marrëveshjeve klienteliste, fisnore dhe klanore lokale! Nëse deri dje këshillat fisnore/klientelistë kishin ndikim në komunitete të vogla, - komuna apo bashki, tani do kenë ndikim shumëfish më të madh, në territorin e një bashkie shumë më të madhe në kapacitete financiare, politike dhe sipërfaqe nën administrim.

Le të marrim një shembull ilustrues: si mund të ketë 23 parti politike në këshillin me 31 anëtarë në Kukës? Sa përfaqësues është ai Këshill? Po në një qytet të vogël si Gramsh apo Fush-Arrëz, si mund të ketë përkatësisht 18 dhe 14 parti politike në një këshill me 21 apo 15 anëtarë? Le të shohim një qytet me rëndësi turistike si Saranda: si mundet të ketë në Sarandë 17 parti politike në një këshill me 31 anëtarë? Si mund të merren vendime aty? Kush është e majta apo e djathta aty? Sa përfaqësues janë këshilltarët dhe sa do mundet këshilli të mbrojë politikat e mirëqeverisjes lokale përballë një individi të vetëm – kryetarit të bashkisë?

Një zhvillim absurd, dhe aq më keq, i realizuar me konsensus të gjerë politik midis të gjitha palëve, - të majtë, të djathtë, të qendrës dhe çdo forme tjetër biznesi që quhet parti politike! Merrni pak minuta kohë dhe shikoni emrat që kanë marrë parti të vogla me qira dhe kanë siguruar mandate këshilltari për vetën ose miqtë e tyre! Disa janë emra të njohur të botës së trafikut, - të gjitha llojeve të trafikut! Edhe në Tiranë gjenden individë që kanë qenë të dënuar, madje të penalizuar si simbole të suksesit anti-korrupsion! Dhe që sot do jenë vendimmarrës në një bashki me rreth 1 milion banorë, ku mandati i një këshilltari përfaqëson rreth 10,500 qytetarë.

Domethënës është edhe një fakt tjetër: asnjë palë politike nuk flet për këtë, nuk ankohet, nuk mban përgjegjësi dhe nuk pranon të bëjë analizën e sjelljes lokale të strukturës së saj. Si në një marrëdhënie biznesi, ku ai që shet dhe ai që blen nuk kanë kundërshti kur palët bien dakord! Mosmarrëveshjet lindin vetëm kur palët nuk bien dakord për çmimet, siç ndodhi me garën për kryetarë bashkish në disa qytete!

Kjo tabelë është një ilustrim i thjeshtë i deformimit konsensual të sistemit të përfaqësimit politik dhe i nevojës emergjente për kalimin në një sistem votimi me një votë, vetëm me një votë, ku qytetari nuk ka hapësirë për veprim të dyfishtë, - votim politik me një votë dhe biznes me votën tjetër, - dhe ku të bëhet e qartë rezultati real i votimit të qytetarëve për alternativat politike, nëse ka të tilla. Një votë vetëm për kryetarin dhe ajo lexohet dhe votë për këshillin, ose një votë për partinë politike/kandidatët e pavarur dhe më e votuara merr edhe kryetarin!

Zgjidhja ka sa të duash, praktika të tilla gjen në Slloveni e Kroaci dhe deri në demokracitë më të konsoliduara, - mjafton të ketë vullnet e dëshirë, - dy nocione që prej kohësh nuk kanë vlerë në Shqipërinë e vitit 2015, ku trafiku i votave vijon të bëhet nga të gjithë, me qetësi e me dashuri për pushtetin!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0069558620452881
array(1) { ["section"]=> string(61) "deformimi-konsensual-i-sistemit-te-perfaqesimit-politik-15889" }