Déjà vu e Edi Ramës dhe brekët e Violeta Manushit

Publikuar tek: analiza-komente, më 20:48 06-07-2015 Déjà vu e Edi Ramës dhe brekët e Violeta Manushit

Nga Anila Basha

Ju kujtohet të gjithëve, apo pjesës më të shëndoshë të shoqërisë, viti 2002. Ishte viti, kur Edi Rama e kishte mprehur shpatën për të rregulluar Tiranën. Ç’rëndësi ka , se nga do ta fillonte, nga fasadat, apo shembjen e godinave.

Dhe në kujtesë na rikthehet ideja e tij e madhe se do të duhet të shembte Teatrin Kombëtar. Në vend të saj, të ngrinte një godinë të madhe. Dy katet e para, të përdoreshin për Teatër Kombëtar, ndërsa pjesa tjetër, sipas konceptit të ish-kryebashkiakut, të ishte një partneritet mes publikut dhe privates, mes shtetit dhe privatit.

Deklarata e Edi Ramës atëkohë, për prishjen e godinës, shkaktoi një reaksion që rrallëherë kishte ndodhur për vizionin e kryebashkiakut që po ndryshonte Tiranën. Ai pranoi të ulej me artistët që ishin revoltuar nga nisma e tij, dhe aktorët e teatrit, nuk kishin ngjyrë, të kuq apo blu. Artistët i dalin kundër duke i kujtuar se godina jo vetëm nuk duhej të prishej, por të merrte pamjen, dhe mandej vizionin e një muzeu të madh të Teatrit.

Edi Rama u kthehet me batutën e famshme që ka mbetur gjatë në kujtesën e njerëzve: Po ç’do vini aty? Brekët e Violeta Manushit? Brekët e kuqe të Violeta Manushit, nuk janë brekët e Greta Garbos!!!

Arroganca e kryebashkiakut të dikurshëm, mori një shuplakë nga të gjithë anët. Shoqëria civile u ngrit në këmbë. I ndjeri Dan Klosi, ishte ndër flamurtarët e mosprishjes së Teatrit, duke u rreshtuar krah artistëve. Mandej, Fatos Lubonja, dhe ky mik i kryebashkiakut atë kohë, foli në konferenca shtypi e artikuloi një mori akuzash në televizione…Të gjithë ishin në të njëjtën mendje, me të njëjtin zë. Edi Rama, bëri “gabimin” e përballjes me intelektualët. E humbi betejën.

Ne sot, e gëzojmë Teatrin, jo vetëm atë, por edhe Teatrin Eksperimental, e mes tyre, një pishinë tashmë në ditët e sotme.

Jemi 13 vite më pas.

Edi Rama, na vjen me një tjetër projekt. Larg brekëve të Violeta Manushit, por shumë afër konceptit të partneritetit të privatit dhe shtetit. Konkursi ndërkombëtar për të “shkatërruar” hyrjen e parkut të Liqenit, duket se është “farsa” e radhës. Sot studiot e ndryshme na treguan sesi do të betonizojnë më tej, jo vetëm sheshin, por edhe një pjesë të parkut kombëtar të Liqenit Artificial.

Aty, në çdo lloj rasti, pavarësisht se cili projekt do të fitojë, do të ngrihet një godinë e lartë betoni. Një kat, apo dy kate të saj, do të jenë pronë e shtetit, në funksion të “One Stop Shop”. Dhe pasi shteti të marri kët koncesion, katet e sipërme, do të jenë dhurata për privation, bash, në qendër të Tiranës, e pse jo, duke gllabëruar parkun e liqenit artificial.

Trishtim ndërsa sheh ato projekte të realizuara në 3D dhe që duken të bukura për sytë e qytetarëve. Por madje, në rrjetet sociale, dhe vetë qytetarët janë të revoltuar.

Nuk është gjë tjetër veçse një déjà vu e Edi Ramës, ajo e para 13 viteve. E ndërsa atëherë ai nuk i rezistoi dot shoqërisë civile dhe argumentave të intelektualëve duke u tërhequr nga prishja e godinës së Teatrit Kombëtar, sot, na përplas në fytyrë 1 milionë votat që mori në zgjedhjet vendore të 21 qershorit.

Shoqëria civile hesht. Në rastin më të mirë është e tulatur dhe e paorganizuar. Në rastin më të keq është e shitur, tek tuk për projekte, e në ndonjë rast edhe për ndonjë lek të vogël bashkëpunimi me qeverinë.

Ca intelektualë të dikurshëm e kanë mbyllur gojën sepse sot nuk janë në pozicionin e opozitarit të Ramës që kanë qenë në 2002, por, me funksione brenda qeverisjes së tij.

Ca intelektualë të tjerë, si Dan Klosi, kanë ikur nga kjo jetë dhe nuk kanë zë të flasin më, përveçse të nxjerrim nga arkiva atë që kanë thënë dikur.

Dhe Edi Rama e qeveria na sfidon të gjithëve: intelektualët, shoqërinë civile, e publikun. Nëse nuk reagojmë sot, nesër do të jetë shumë vonë. “Kuçedra e ndërtimit” do të na e përpijë dhe atë pak gjelbërim që kemi në hyrje të liqenit.

*Autorja është anëtare e Forumit për Trashëgimninë Kulturore

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.022942066192627
array(1) { ["section"]=> string(55) "deja-vu-e-edi-rames-dhe-breket-e-violeta-manushit-15474" }