Dekriminalizimi, Basha: Gati t’i votojmë që nesër aktet nënligjore

Publikuar tek: politike, më 22:55 24-02-2016 Dekriminalizimi, Basha: Gati t’i votojmë që nesër aktet nënligjore

Kryetari i PD, Lulzim Basha në një intervistë për Top Channel, pas deklaratave të bëra nga eurodeputeti Knut Fleckenstein, ka deklaruar se opozita është e gatshme t’i votojë që nesër në Kuvend aktet nënligjore që do të vinin në funksion ligjin e dekriminalizimit.

Zoti Basha, Knut Fleckenstein i ka kërkuar qeverisë dhe opozitës që të miratojnë me shpejtësi aktet nënligjore për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit. A do të ofrojë nesër opozita nesër për ta bërë këtë?

Absolutisht po! Opozita ka propozuar miratimin nesër të aktit nënligjor për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, si dhe ndryshimin e ligjit të dekriminalizimit për të pezulluar në çdo rast funksionarët e arrestuar në flagrancë duke kryer vepra kundër jetës dhe shëndetit, pra vrasje ose plagosje me armë zjarri, deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë nga gjykata. Miratimi i këtij ndryshimi në ligjin e dekriminalizimit dhe miratimi i aktit nënligjor për të cilin shpreh mbështetjen e plotë për qëndrimin e zotit Fleckenstein janë në fakt dy nga kushtet e Partisë Demokratike.

A po e shtoni shumë “menynë” e dekriminalizimit?

Aspak!

Po qeveria do ta miratojë këtë?

Do ta shohim nesër, por mungesa e vullnetit për ta miratuar do të dëshmojë edhe një herë se qeveria dhe kryeministri Rama nuk janë seriozë për dekriminalizimin dhe kjo do të ketë pasoja të rënda për vendin.

A po e përdorni krizën “Prenga” si një mundësi për të penguar reformën në drejtësi?

Absolutisht jo! Absolutisht jo!  

Çfarë prove jepni për këtë?
E para, premisa nuk u krijua nga PD. Prenga nuk u kthye në atë sallë nga PD por nga presioni i paligjshëm i Edi Ramës nga gjyqësori për të ushtruar këtë standard të tmerrshëm, ku një njeri botërisht i kapur në flagrancë jo vetëm nga policia por edhe nga media duke përdorur një armë të paligjshme zjarri gjakosi disa qytetarë dhe në vend që të jetë sot në arrest, në vend që të jetë i dënuar në fakt në një proces të shpejtë dhe të drejtë gjyqësor, është rikthyer në Parlament si pjesë e vullnetit të mbrapshtë të Edi Ramës. E kundërta qëndron. Edi Rama ka nesër rastin të provojë që ky nuk është një skenar personal i tij dhe e vetmja rrugë për ta bërë këtë është miratimi i ndryshimit të ligjit të dekriminalizimit dhe i vendimit për të futjen në fuqi të ligjit të dekriminalizimit, menjëherë. Nga ana tjetër, aq sa absurd është pretendimi që PD përmes kësaj synon bllokimin e reformës në drejtësi, kur PD është ajo që ka investuar që nga dita e parë për reformën në drejtësi dhe ka qenë Edi Rama ai që edhe sot pengon dialogun politik dhe konsensusin për një reformë sipas parimeve të shpallura nga Venecia. Unë mund të them edhe të kundërtën, që nëse Edi Rama nuk vepron duke miratuar ndryshimin për ligjin e dekriminalizimit, duke miratuar vendimin që e fut këtë ligj në zbatim, atëherë është Rama ai që ka interes të pengojë Parlamentin dhe të pengojë reformën në drejtësi.

Por ju keni thënë se do të bllokoni Parlamentin, do të thotë se do të bllokoni edhe reformën në drejtësi nëse PS nuk vepron?

Absolutisht është e kundërta. PD ka qenë, është dhe mbetet e gatshme që të japë gjithë kontributin e saj për reformën në drejtësi. Edi Rama nuk mund të kushtëzojë reformën në drejtësi me mbrotjen e një personi që është arrestuar në flagrancë duke gjakosur qytetarët e tij me armë pa leje.  Nuk ka asnjë dilemë në këtë, nëse Edi Rama e bën këtë është ai penguesi i çdo hapi tjetërm, është ai që me veprimet e tij bëhet pengesë për të gjithë hapat e tjerë dhe reformat e rëndësishme që vendi do të ndërmarrë. Partia Demokratike mbetet e vendosur për reformën në drejtësi, por Partia Demokratike dhe qytetarët shqiptarë nuk mund të pranojnë asnjë çast që një person i kapur në flagrancë duke shtënë me armë të paligjshme mbi qytetarët të ulet në bankat e Parlamentit. Miratimi i ligjit për dekriminalizimin, miratimi i amendamenteve në këtë ligj nesër dhe miratimi i paketës, vendimit që fut ligjin në fuqi apo në zbatim është rruga e thjeshtë për të zgjidhur këtë problem të tmerrshëm që i është krijuar përsëri Shqipërisë dhe imazhit të saj në Europë. Mungesa e vullnetit politik për ta bërë këtë, që shpresoj të mos demonstrohet nesër, tregon qartë se Edi Rama nuk është serioz për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, për shpirtin dhe gërmën e këtij ligji. Dhe në raport me reformën në drejtësi tregon qartë se është gati të përdorë këtë kauzë kaq të rëndësishme, siç është dekriminalizimi, për të bllokuar më tej hapat që i shpërbejnë reformës në drejtësi. Por PD është e vendosur për reformën në drejtësi, sikundër mbetet e vendosur për zbatimin pa kushte të ligjit për dekriminalizmit dhe largimin e personave me rekorde kriminale dhe kriminelëve në hetim nga Parlamenti.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Protesta te liqeni, Veliaj kallëzim penal PD-së për vandalizëm
Majko tregon momentin me Anetën: I thashë se ka ndryshuar, u martua, u bë baba. Aneta: Ta dija që Edi do bëhej kaq i mirë, do ta fusja në PS që 14 vjeç »
Article Logic
Execution time: 0.0047531127929688
array(1) { ["section"]=> string(70) "dekriminalizimi-basha-gati-t-i-votojme-qe-neser-aktet-nenligjore-33460" }