Deputet në zero gravitet

Publikuar tek: analiza-komente, më 10:31 26-09-2016 Deputet në zero gravitet Nga e majta në të djathtë: Prof. Ervin Goci- deputeti Eduard Shalsi

*Nga prof.Ervin Goci- Newsbomb.al

Për publikun e gjerë “zero gravitet”, sipas fizikës,  kemi  atëhere kur ndaj një  trupi nuk ushtrohet  forcë e jashtme mekanike, ose kur përkundrejt kësaj force nuk ka rezistencë nga vetë trupi dhe kur graviteti  i  vetë peshës së trupit , është aq i vogël  sa bie pre e forcave të tjera centrifugale. Trupi fillon rrokulliset në rënie të lirë, pa sens, në mënyrë të çrregullt nëpër  hapësirë.

Më erdhi në mendje ky asosacion duke ndjekur me shumë kujdes debatin për importin e mbetjeve, ku një individ, në këtë rast një deputet , z.Shalsi , pa asnjë mbështetje - as nga firmëtarët e fillimit - ka humbur totalisht gravitetin me përkatësinë politike dhe endet përhumbshëm nëpër hapësirë - në rastin konkret në eterin televiziv -  duke tentuar t`i mbushë mendjen i vetëm të gjithë universit për utilitetin e importit  të mbetjeve nga  vende të “zhvilluara”.

Pra në këtë rast trupi me masë shumë herë më të madhe që tërheq një trup me një shpejtësi të caktuar në varësi të peshës së këtij të fundit, është kredoja politike e një partie dhe disa individëve, të cilët me peshën e platformës së tyre politike tërhoqën me mijëra trupa votuesish,  që ju lëshuan  fuqisë gravitacionale të projektit politik, ku një nga  premtimet ishte vendimi  për të  anulluar nenet  që lejonin  “Importin e Mbetjeve”,  që për nga dinamika dhe koha ishte akt pastërtisht politik - aspak teknik, siç na prezantohet sot.

Fiks tri vite  më vonë, në formë totalisht aventureske kemi një deputet që me një propulsion të  jashtëzakonshëm, që nuk dihet se me ç`karburant të mistershëm furnizohet,  është lëshuar  fuqishëm  dhe  i  është shkëputur forcës gravitacionale të projektit  të forcës së tij politike, dhe nga relator për kundërshtimin e  propozimit  të Partisë Demokratike, tani është kthyer në promotor të  të njëjtit ligj, me ca ndryshime për të cilat dhe ai vetë e pranon që nuk janë as të tijat.

Deputeti në fjalë endet gjithë kohës në  “Zero G”,  në distance  kilometrike nga premtimet dhe projekti i tij politik dhe ka marrë përsipër të shpëtojë të gjithë industrinë e ricikimit të mbetjeve, i  vetëm me shpatë në dorë, kur vetë industria nuk është ndjerë në tri  vite, ndërkohë që këto  tri vite ka punuar, dhe që për më tepër  nuk  ka një dalje publike për të mbrojtur këtë ligj - të cilit ia kanë  aq shumë nevojën.

I zgjedhuri në fjalë ka harruar krejtësisht që është zgjedhur nga qytetarët dhe jo nga industria, që si rol të parë ka shërbesën ndaj interesit qytetar, ndërkohë që  flet gjithë ditën për interesin e industrisë, që si rregull duhet ta përfaqësojnë vetë interesin e tyre, dhe  jo  nëpërmjët  ndërmjetësve që u janë besuar krejtësisht të tjera detyra.

Vetëm një i përhumbur në hapësirë( “lost in space”), mund të dalë dhe me një të shkrepur  të fillojë të flasë  njëkohësisht: për reformë administrative, për  laboratore, për dogana, për industri, duke e prezantuar shtetin si  paketë turistike, ndërkohë që gjithë këto aspekte të qeverisjes  janë  të ndara, të decentralizuara, dhe që do të kërkonte një analizë disa vjeçare të mundësive dhe kapaciteteve për  të përballuar një proçes të ndërlikuar me rreziqe  eminente.

Deputeti  në fjalë ka humbur kontakt me qendrën gravitacionale të statusit të tij, sa ka filluar të japë ekspertizë për gjithçka; kush i del përballë, i sulet duke i thenë se:  ti nuk di, ti tjetri nuk merr vesh, ti je sharlatan, ti tjetri je amator...dhe është mbyllur  në tautologjinë e marrëzisë së vet.

I pavarur nga graviteti i konsesusit me opinionin e gjerë, madje dhe me të ngjashmit brenda partisë,  i relativizuar në kokëfortësinë e tij,  kërkon të zgjidhë  një çështje të administrimit të brendshëm,  duke hapur  teleskopët se mos na vjen ndonjë zgjidhje nga jashtë. Kush e gjen nga ju se ç`lidhje  logjike ka mes problematikës se menaxhimit të plehrave në Shqipëri, për t`i kthyer në mbetje dhe për t`ia kaluar industrisë  për përpunim e riciklim, me importin e mbetjeve nga jashtë ?! Pra fajin neve këtu brenda, na e kanë ata jashtë. Dhe zgjidhjen zotëria, megjithësë partia e tij është në pushtet dhe ka ca detyrime, na e jep të kushtëzuar :  po doni që të zgjidhet çështja e plehrave në Shqipëri, duhet  të pranoni mbetjet nga jashtë.

Është e qartë se pesha e eksperiencës së tij politike nuk i mjafton që të prodhojë aq gravitet sa të tërheqë opinionin me vete, madje dhe 20 deputetë nga mazhoranca ku bën pjesë, nuk i janë përgjigjur, lëre pastaj opinionin publik që e ka humbur që në fillim,  dhe  kur ti humbet qendrën gravitacionale të projektit  tënd  politik dhe raportin me votuesin, transformohesh nga një aktor politik me peshë, në një tollumbace që të marrin forcat centrifugale të opinionit dhe të përplasin në  ndonjë kazan plehrash.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.023514986038208
array(1) { ["section"]=> string(30) "deputet-ne-zero-gravitet-54118" }