Deputeti i LSI: Unë këngëtar? Përvoja botërore ka treguar se ata janë bërë Presidentë

Publikuar tek: politike, më 12:41 20-09-2015 Deputeti i LSI: Unë këngëtar? Përvoja botërore ka treguar se ata janë bërë Presidentë

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Shehu në një intervistë për JavaNews.al rrëfehet në 360 gradë për të kaluarën e tij dhe pasionin për muzikën dhe tashmë karrierën e tij si deputet.

I vënë në qendër të vëmendjes nga mediat, për shkak të postimeve në rrjetet sociale, deputeti Shehu tregon raportin e tij kreun e PR Fatmir Mediu, dhe shkaqet që e bënë të largohet nga kjo forcë politike për t’u bërë pjesë e Grupit Parlamentar të LSI-së.

Në intervistën për JavaNews, Shehu u është përgjigjur edhe akuzave të fundit të mbërritura nga PR ku ai akuzohej për mos shlyerje të detyrimeve mediatike ndaj subjekteve private gjatë fushatës së tij elektorale.

Zoti Shehu, kohët e fundit jeni bërë pjesë e medieve për shkak të së kaluarës suaj përpara se të merrnit mandatin e deputetit. Na tregoni diçka në lidhje me raportin tuaj mes muzikës dhe karriges së deputetit?

Unë nuk mund të mos habitem kur konstatoj se dikush ulërinë, sikur kushedi ç’ka ndodhur kur një zyrtar, një politikan, një deputet a nëpunës paska prirje dhe dëshirë për t’iu kushtuar muzikës. Askush nuk ka pse habitet nëse dikush merret me muzikë, dikush me valle, dikush tjetër me sport, dikush tjetër me pikturë, skulpturë apo gjithëfarëlloje krijimtarish të tjera, qoftë për kënaqësinë e tij, apo për kënaqësinë e të tjerëve. Që në rini unë kam pasur dëshirë të këndoj, sepse më dukej se kam mundësi ta bëj këtë, se kjo gjë është e trashëguar dhe nga prindërit e mi. Por, asnjëherë s’më ka shkuar ndërmend që një ditë të bëhem këngëtar zijafetesh, ashtu si nuk më shkuar ndërmend që ndokush do të befasohet që Ylli Shehu na paska kënduar apo kënduaka. Unë nuk di asnjë lloj kufizimi ligjor a moral për njerëzit e lirë që të privohen nga e drejta universal për të bërë më të mirën e mundshme, qoftë dhe në art e në muzikë, pa i hyrë në hak askujt dhe pa cenuar të drejtat dhe liritë e të tjerëve.

Përvoja botërore ka treguar se aktor e muzikant janë bërë dhe president të shteteve më të fuqishme dhe kanë komanduar botën e askush nuk është çuditur. Në këtë rast, unë nuk dua të heq ndonjë paralele mes meje e tyre, se kjo është e pamundur, sepse unë jam i vogël para tyre, por për të sjell në vëmendje faktin se në një botë të qytetëruar askush nuk çuditet për këto gjera. Për fat të keq këto habi ndodhin në shoqëri të pa civilizuara, ose pak të civilizuara.

Kritika ndaj jush ka pasur edhe në postimet tuaja në Facebook, për shkak të disa gabimeve drejtshkrimore. Si i komentoni këto kritika?

Edhe nëse ka pasur gabime drejtshkrimore në Facebook, nuk e di përse miqtë e mi janë merakosur aq shumë sa kanë vënë kujën, madje mund të kenë bërë dhe anatemime të panevojshme dhe krejt të gabuara. Jo vetëm unë, por dhe të tjerë si unë, me keqardhje konstatojnë se drejtshkrimi i gjuhës shqipe nuk zbatohet as nga politikanët, as nga shtetarët, as nga nëpunësit e këtij shteti, as nga vetë gazetat dhe televizionet, as nga vetë gazetarët, si në të folmen e përditshme, ashtu dhe në komunikimin e tyre zyrtar e publik. Sa për gabimet në Facebook, unë s’jam as i pari e as i fundit që mund të ketë komunikuar me gabime. Kjo gjë ndodh rëndom dhe nga të gjithë, edhe nga ata që janë të fushës së gjuhës e të letërsisë. Kjo jo se ata nuk e dinë se si duhet shkruar drejt fjala shqipe nga ana gjuhësore, por kjo, për mendimin tim, ndodh për shkak të shpejtësisë së punës në tastierën kompjuterit ose të aparatit telefonik. Sidoqoftë unë pajtohem në parim me shqetësimin se gjuha shqipe duhet shkruar drejt e pa gabime, por mendoj se kjo është një sfidë e shoqërisë sonë të sotme dhe nuk është as sfidë e as dobësi e një apo dy personave.

Si është të jeni deputet i LSI dhe cili është ndryshimi i të qënurit pjesë e mazhorancës dhe atë të Grupit Parlamentar të PR?

Si në atë grup parlamentar, si në këtë grup parlamentar, unë jam deputet. Statusi i deputetit është i njëjtë. Dhe detyrat e përgjegjësitë e një deputeti janë të njëjta, si kur ai është anëtar i një grupi parlamentar, si edhe kur ai është i pavarur. Unë mendoj se nga rreshtimi që zgjedh ndryshon vetëm mënyra dhe mundësia për t’i shërbyer elektoratit që të ka votuar. Mendoj se nuk është e njëjta gjë si të jesh në opozitë dhe si të jesh në qeverisje. Në opozitë askush nuk rri me dëshirë, sepse mundësia për të mbajtur premtimet elektorale është shumë më e vogël. Kur je në pozitë, ndryshon puna; rritet ndjeshëm koeficienti i fjalës së mbajtur para zgjedhësve të tu, rritet disa herë mundësia për t’i kthyer fjalët në vepra. Kështu ka ndodhur.

Është folur për ju se kaluat me LSI-në për shkak se babai juaj, Vesel Shehu, nuk u kandidua për zgjedhjet lokale në Bashkinë e Kukësit. Sa e vërtetë është kjo?

Baza elektorale në qytetin e Kukësit ka propozuar babain tim për të qenë kandidat i koalicionit të Djathtë por, kandidatura e tij nuk është miratuar nga z.Basha. Pavarësisht kësaj, nuk mendoj se kjo është një arsye e fortë për pakënaqësi. Unë mendoj se në asnjë rast moskandidimet nuk duhet të kthehen në mospajtime, aq më keq në armiqësi. Edhe në këtë rast, kjo që pyesni nuk ka ndodhur, sepse kalimi im në radhët e Lëvizjes Socialiste për Intregim ka qenë një vendim im personal.

Si janë marrëdhëniet tuaja me kreun e LSI Ilir Meta?

Marrëdhëniet e mira me zotin Meta janë institucionale. Unë, tashmë, jam anëtar i grupit parlamentar të LSI-së, të kësaj force politike kryetar i së cilës është zoti Ilir Meta. Me zotin Meta kemi komunikim normal, mbi bazën e rregullave dhe parimeve demokratike dhe mbi bazën e ligjeve të shtetit tonë.

Po me Fatmir Mediun?

Me zotin Mehdiu jemi koleg të parlamentit shqiptar dhe që dy të u shërbejmë, pavarësisht mënyrave që mund të jenë të ndryshme, shqiptarëve, votuesve. Kush më njeh e di se nuk është në natyrën time gërricja dhe polemika, përjashto vetëm ato raste, kur ajo është e pashmangshme dhe e detyrueshme. Gjithsesi, unë e kam shprehur dhe herë të tjera se kam rezervat e mia ndaj opozitës, por agjenda ime politike ka gjera shumë më të rëndësishme se sa të merrem me opozitën. Mua, jo gjithmonë më intereson se ç’mendojnë të tjerët. Për mua shumë e rëndësishme është që të jem në rregull me moralin dhe bindjen time, me ligjet e shtetit dhe me zgjedhësit e mi.

Zoti Shehu, në një reagim publik për media lidhur me raportin e OSBE-së, Partia Republikane iu akuzon për mos shlyerjen e detyrimeve medietike ndaj subjekteve private gjatë fushatës tuaj elektorale. Si i komentoni këto akuza?

Lidhur me këtë pretendim, unë mund të them se nuk kam pasur asnjë kontratë apo marrëveshje me subjekte medietike apo subjekte reklamash. Nëse do të kisha pasur, sigurisht, do t’i kisha shlyer në kohën dhe në mënyrën e përcaktuar që më parë. Por, kur s’kam pasur marrëveshje të tilla, unë nuk kam se çfarë e kë të shlyej. Partia Republikane, nëse ka pasur ndonjë pretendim, fare lehtë mund të kishte komunikuar, sepse ka pasur kohë. Asnjëherë unë nuk i kam ndërprerë urat e komunikimet me këdo qoftë ai.

Ndërsa lidhur me raportin e OSBE-së, mendoj se është e nevojshme të shpjegoj se në këtë raport emri im është përmendur vetëm në një listë ku janë paraqitur emrat e disa deputetëve si biznesmen. Gjithsesi, nuk habitem aspak kur lexoj lajme të tilla sepse prej kohësh është konstatuar se një pjesë e gazetarisë është për t’u “vajtuar”, ashtu siç ka plotë gazetarë profesionist,të cilët nuk kanë asnjë lidhje me pjesën tjetër,për të cilën dyshoj se është shpirtshitës dhe puthador. Këtë e kuptoj te ndikimi “zero” i tyre te masa në shumë rrethana dhe situata që janë krijuar në shoqërinë tonë.

Misioni im i vetëm është t’i shërbej elektoratit në mënyrën më të mirë të mundshme dhe jo të merrem me thashetheme të turpshme, të cilat, ndonjëherë bëhen bajate dhe kalojnë çdo limit të fantazisë. E them këtë sepse disa portale me gazetarët e tyre shpifën, duke sajuar trillime për familjen. Babai im është një njeri i cili gjatë gjithë jetës ka punuar me ndershmëri dhe ato që e njohin familjen time e din shumë mirë se jemi familje humane dhe me tradita, siç janë të gjitha familjet shqiptare.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Majko: PD-ja kërkon ta bëjë “dekriminalizimin” jashtë sistemit të drejtësisë, si komunistët e ‘44-ës
Nard Ndoka: Edhe komisionerët e zgjedhjeve të verifikohen për të shkuarën e tyre »
Article Logic
Execution time: 0.031435012817383
array(1) { ["section"]=> string(89) "deputeti-i-lsi-une-kengetar-pervoja-boterore-ka-treguar-se-ata-jane-bere-presidente-21247" }