Deputetja e PD tregon pse aeroporti i Vlorës i hap rrugë një afere të madhe korruptive

Publikuar tek: ekonomi, më 21:00 01-02-2018 Deputetja e PD tregon pse aeroporti i Vlorës i hap rrugë një afere të madhe korruptive

Ditën e sotme në parlament Mazhoranca kaloi në parlament ligjin për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, ku Opozita nuk mori pjesë.

Por lidhur me këtë temë ka ardhur reagimi i deputetes demokrate, Jorida Tabaku.

Përmes një postimi në rrjetet soociale, Tabaku shprehet se ndërtimi kësaj vepre në Vlorë, është hapi i parë një afere të madhe korruptive.

“Ky projektligj i votuar nga mazhoranca i jep një super pushtet negociues dy super ministrave të qeverisë dhe njëkohësisht është një kosto e lartë për buxhetin e shtetit”,- shkruan Jorida Tabaku ndër të tjera në facebook.

Më poshtë reagimi i plotë:

Projektligji që i hap rrugën procedurës korruptive për aeroportin e Vlorës!

Ditën e sotme kuvendi i Shqipërisë miratoi me votat e mazhorancës një projektligj që i hap rrugë dhe ligjëron procedurat korruptive dhe jo ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Fatkeqësisht mazhoranca i dha sot çelësat e negocimit për një procedurë të paligjshme dhe të shpikur ministrit Ahmetaj dhe Gjiknuri. Që të jenë ata dhe kryeministri që të ulen në tavolinën negociuese për të firmosur një kontratë me shumë gjasa abuzive dhe në kurriz të shqiptarëve.

Projektligji i votuar tanimë nuk bazohet jo vetëm në asnjë prej ligjeve të cituara në relacion por as në Kushtetutën e vendit. Historia e këtij koncesioni nis që me vizitën e ministrit Gjiknuri në Turqi ditën kur kryeministri Rama urdhëroi votimin kundër SHBA në OKB. Atë ditë ministri Gjiknuri sipas mediave, ka qenë i pranishëm në një takim me një prej kompanive të konsorciumit (Kaylon Group). Nuk zgjati shumë kohë dhe qeverisë shqiptare i vjen një ofertë e pakërkuar nga një konsorcium turk (pjesë e të cilit qe edhe Kaylon Group) për ndërtimin e një aeroporti në Vlorë.

Qeveria në komisionin e Ekonomisë dhe Financave nuk paraqiti asnjë dokument nga oferta e dorëzuar madje në mënyrë antiligjore ministria e bekoi këtë konsorcium me titullin e “Investitorit Strategjik”, ndonëse qeveria nuk mblodhi asnjë nga strukturat që e mundësojnë emërtimin si të tillë. Akoma dhe më i errët bëhet ky projektligj kur qeveria në tetorin e vitit të shkuar i ka dhënë një prej miqve të ngushtë të kryeministrit Rama (Alban Efteimi, Seed Consulting) 250 mln lekë për një studim fizibilitetit për një aeroport në jug. Mirëpo ndonëse nga buxheti i shtetit janë shpenzuar këto para, qeveria nuk ka një studim të tillë por është mjaftuar me një studim të konsorciumit që kurrë nuk e dorëzoi në parlament.

Sakaq, kontrata e nënshkruar me koncesionarin e aeroportit të Rinasit përveç shtyrjes deri në prill 2027 të koncesionit është caktuar se nëse do të ndërtohet një tjetër aeroport në rrezen e 100 kilometrave nga ai i “Nënë Terezës” kontrata koncesionare do të zgjatet me 0.5 vjet për çdo vit të operimit të aeroportit të ri. Me një aritmetikë të thjeshtë kontrata me koncesionarin e Aeroportit të Rinasit do të shkojë deri në 2030.

Sikur kjo të mos mjaftonte, në rastin e një mbështetje financiare nga shteti shqiptar, rrezikohet të thyhet Marrëveshja për Zonën e Përbashkët Europiane të Aviacionit ECAA, sipas të cilës shteti nuk duhet të ndërhyjë me subvencione për të deformuar konkurrencën midis aeroporteve jo vetëm brenda vendit por edhe me aeroportet e tjera te rajonit. Sipas udhëzimeve të Komunitetit për Ndihmën Shtetërore për Aeroportet 2014/c 99/03 çdo ndihmë financiare do të jetë subjekt investigimi sidomos në rastet kur distancat janë më pak se 100km dhe kur konkurrohen nga lloje të tjera transporti siç është rasti i Vlorës me transportin detar.

Ky projektligj i votuar nga mazhoranca i jep një super pushtet negociues dy super ministrave të qeverisë dhe njëkohësisht është një kosto e lartë për buxhetin e shtetit. Kuvendi i vendit po përdoret si një mburojë përmes të cilit kjo qeveri dhe mazhorancë të keqpërdorin paratë e shqiptarëve për të gënjyer se kanë arritur premtimet e tyre. Për aq kohë sa kjo mazhorancë dhe kjo qeveri do të drejtojë vendin, parlamenti do të jetë noteri i të gjitha abuzimeve të një qeverie që fsheh të inkriminuarit, largon të penduarit dhe mbron me imunitet fajtorët.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Aeroporti i Vlorës merr një mesazh nga rivali në Tiranë: Urojmë sukses për çdo investim në fushën e aviacionit
Çmimi i ujit, paralajmërohen rritje tarifash në gjithë vendin »
Article Logic
Execution time: 0.0043830871582031
array(1) { ["section"]=> string(93) "deputetja-e-pd-tregon-pse-aeroporti-i-vlores-i-hap-rruge-nje-afere-te-madhe-korruptive-108778" }