Dhuratat e veçanta dhe të detajuara që kërkon Prokuroria, ndër to një hartë me gurë nga Trepça

Publikuar tek: politike, më 14:05 07-02-2016 Dhuratat e veçanta dhe të detajuara që kërkon Prokuroria, ndër to një hartë me gurë nga Trepça

Prokuroria është ankuar shpeshherë për mungesë fondesh, të cilat kanë paralizuar punën në disa akuza të rretheve, si pasojë e mungesës në stafe apo mjete të punës.

Madje, pak ditë më parë, kreu i akuzës qendrore, Adriatik Llalla, gjatë intervistës në “Top Story”, tha se kërkon më shumë para nga qeveria, me qëllim për të përballuar fluksin e madh të procedimeve penale.

Gazeta “Shqip” ka bërë një vëzhgim të tenderëve apo prokurimeve të akuzës qendrore. Në Agjencinë e Prokurimit Publik janë disa oferta të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, e cila kërkon të blejë me tender disa dhurata, të cilat mund të përdoren gjatë vizitave jashtë vendit.

Kërkohen të blihen harta të Shqipërisë me gurë të Trepçës, shishe me konjak, stilolaps të larë me ar etj.

Gjatë këtij viti, akuza qendrore ka planifikuar të shpenzojë 80 milionë lekë bileta avioni. Megjithatë, nga vëzhgimi duket se akuza qendrore është e limituar në buxhet, ndryshe nga disa institucione të tjera qendrore, që kanë më shumë “dorë të lirë”.

Paratë janë kursyer edhe për aktet e ekspertimeve, kryesisht ato automobilistike, apo të tjera, që në total shkojnë në qindra mijë euro.

Padyshim, zëri më i madh në shpenzimet janë pagat për punonjësit, dhe rikonstruksionet e disa godinave të prokurorive në rrethe.

Harta me gurë dhe konjaku “Skënderbeu”

Dy ditë më parë, akuza qendrore ka bërë edhe prokurimin me një fond të vogël, për “blerje dhurata”. Sipas dokumenteve që disponon gazeta “Shqip”, është kërkuar një hartë e Republikës së Shqipërisë me gurë të Trepçës, një shishe konjak “Skënderbeu” me 6 gota e veshur me dru pishe. Janë kërkuar edhe katër shishe konjak “Skënderbeu” e veshur me dru pishe. Në dokument janë edhe specifikimet teknike. Kështu, harta me gurë të Trepçës duhet të jetë e vendosur në një pllakë druri me ngjyrë të zezë, me përmasa lartësi 22 cm, gjerësi 15 cm dhe në fund djathtas të ketë të shkruar në një pllakë metali me ngjyrë të artë emrin Shqipëria.

Harta duhet të jetë e mbushur me gurë të Trepçës dhe duhet të jetë e paketuar me kuti kartoni si dhe e vendosur në çantë dhuratash, kartoni të trashë me ngjyrë të kuqe pa asnjë logo apo shkrim.

Akuza ka kërkuar edhe një shishe konjak “Skënderbeu” me 6 gota, e veshur me dru pishe. Ajo duhet të jetë një shishe e mbushur me konjak të “Skënderbeut” 500 ml.

Shishja duhet të jetë e veshur me dru (boçe) pishe dhe të jenë vendosur 6 gota të veshura gjithashtu me boçe pishe, me mundësinë e heqjes së gotave nga shishja.

Shishja duhet të jetë e paketuar me kuti kartoni si dhe e vendosur në çantë dhuratash kartoni të trashë me ngjyrë të kuqe pa asnjë logo apo shkrim. Janë kërkuar edhe 4 shishe të tjera konjak “Skënderbeu”, me të njëjtën veshje (boce pishe), por pa gotat.

Në dokument, akuza ka paraqitur edhe modele orientuese të hartës me gurë të Trepçës dhe shishe konjak “Skënderbeu”. Mësohet se prokurimi është rreth 80 mijë lekë.

Medaljonet, pjatat, stilolapsat etj.

Akuza qendrore ka bërë edhe një prokurim tjetër për “blerje dhuratash”. Janë kërkuar 20 copë medaljone të prokurorisë, 10 pjata të vogla të ndryshme (Tirana, Kruja, Durrësi, Berati, Korça), 5 copë Sahat të Tiranës (i vogël), 10 stilolapsa të personalizuar të larë me ar, me kuti lëkure ngjyrë okër, 8 opinga filigran me gazmend kristal dhe 2 copë jelekë me filigran në kornizë.

Në dokument janë parashikuar edhe specifikimet teknike. Mësohet se medaljoni duhet të jetë me material bakri dhe në dy faqet të jetë e gdhendur në reliev logoja e Prokurorisë së Përgjithshme dhe arkitektura e saj, e personalizuar me mbishkrimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ambalazhi të jetë kuti druri. Pjata e vogël, duhet të jetë prej materiali të argjenduar, me diametër 12.5 cm. Ambalazhi duhet të jetë kuti me material prej kadifeje. Sahati i Tiranës të jetë i realizuar në Rezinëtë të argjenduar, me dimension 22 cm i lartë.

Stilolapsi i personalizuar të jetë i larë në ar dhe ambalazhi duhet të jetë material lëkure, ngjyrë okër. Ndërkohë, opinga filigrani me bazament kristali, duhet të jetë e realizuar në teknikën e filigranit, e mbivendosur në bazament kristali. Ambalazhi duhet të jetë kuti prej materiali kadife. Jelek filigrani i kompozuar, duhet të jetë në kornizë. Ambalazhi duhet të jetë kuti prej materiali kadife. Ky prokurim ka qenë me një fond prej 4 milionë e 25 mijë lekësh të vjetra.

Biletat e avionit, kartolinat dhe uji

Në fund të vitit të kaluar, akuza qendrore ka bërë edhe një tender me objekt “blerje bileta të transportit ajror ndërkombëtar”. Fondi limit ka qenë 80 milionë lekë të vjetra, duke filluar nga nënshkrimi i marrëveshjes kuadër deri më 31 dhjetor 2016. Në tender kanë marrë pjesë katër firma, ndërsa një është kualifikuar. Mësohet se akuza qendrore ka shpallur edhe firmën fituese.

Në fund të vitit të kaluar, akuza zhvilloi procedurën e prokurimit me vlerë të vogël 333,333 lekë (të reja) për blerje kartolinash me logon e prokurorisë, zarfeve dhe pullave. Janë marrë nga 1000 kartolina, zarfe dhe pulla. Sivjet, akuza qendrore ka organizuar edhe një prokurim me fond rreth 300 mijë lekë të vjetra. Është kërkuar blerja e 360 shisheve të ujit qelqi 250 ml, 30 shishe ujë plastike 2.5 litra dhe 240 shishe ujë 0.5 litër. Prokuroria thotë se të gjithë artikujt duhet të kenë datë skadence jo më pak se 3 muaj, nga momenti i lëvrimit të mallit.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « PD, Zhupa: E turpshme, Rama nuk mban qëndrim për deputetin e kërcënuar me jetë, Prokuroria të hetojë
“Dekriminalizimi”, eurodeputetët Fleckenstein dhe Kukan të hënën në Tiranë »
Article Logic
Execution time: 0.02116584777832
array(1) { ["section"]=> string(99) "dhuratat-e-vecanta-dhe-te-detajuara-qe-kerkon-prokuroria-nder-to-nje-harte-me-gure-nga-trepca-31970" }