Dija, shteti dhe privatët

Publikuar tek: analiza-komente, më 20:26 08-09-2016 Dija, shteti dhe privatët

Nga Klodian Tomorri

Nëse ka një politikë, vendim, apo akt, për të cilin Sali Berisha ka të gjithë të drejtën të jetë krenar në 8 vitet e qeverisjes së tij, ai është liberalizimi i arsimit. Privimi i njerëzve nga e drejta për të mësuar është politika më kriminale dhe antikombëtare që një qeveri mund të bëjë për vendin e saj. Qeveritë shqiptare e kanë bërë për 60 vjet, nga 1944 deri më 2006-ën. Ajo që ka ndodhur këtu është një çmenduri e paimagjinueshme. Shqipëria ka asfiksuar talentin për 3 breza.

Statistikat e Bankës Botërore tregojnë se ende sot Shqipëria është vendi më i paarsimuar në Europë, pasi vuan akoma boshllëkun që i është krijuar në 60 vjet. Ende në këtë vend, pjesa e popullsisë me arsim të lartë është më pak se 15 për qind, kur në vendet fqinje të ngjashme është minimalisht mbi 30 për qind.

Hapja e dyerve të universiteve publike ishte parakushti kritik i domosdoshëm për zhvillimin e arsimit. Lindja dhe fuqizimi i sektorit privat ishte kushti i dytë. Por që skema të funksionojë ka një kusht të panegociueshem. Sektori publik dhe ai privat duhet të jenë në të njejtën kohë komplementar dhe konkurrentë me njëri tjetrin.

Dyert e universiteteve publike duhet të jenë të hapura për këdo që dëshiron të mësojë. Privatët duhet të konkurrojnë sektorin publik përmes cilësisë. Kjo është e vemja skemë që maksimizon përfitimet për shoqërinë.

Shumë mund të thonë se nuk funksion. Por shikoni pak shkollat fillore e madje dhe kopshtet. Si ka mundësi që në treg ekzistojnë shkolla apo kopshte shtetërore, që ofrojnë arsim falas dhe ato private në të cilat prindërit paguajnë deri në 500 dollarë e ndoshta më shumë në muaj? Teorikisht shkollat private duhet të kishin falimentuar. Por ato konkurrojnë përmes cilësisë dhe janë shumë të sukseshme. Si rezultat shoqëria merr përfitimet maksimale. Shkollon të gjithë fëmijët që nuk kanë mundësi përmes arsimit publik falas, dhe i jep mundësinë atyre që duan një arsim më cilësor ta kenë atë.

Ky ishte roli që duhej të bënin universitet private. Por në vend që të konkurrojnë sektorin publik me cilësi, ata tentojnë të kapin sistemin dhe ta menjanojnë fushën e lojës nga ana e tyre.

Qeveria ka vetëm një rrugë. Duhet të qëndrojë para çdo tentative për kapje. Nëse universitetet private do të arrijnë të kapin sistemin, arsimi në Shqipëri do të degradojë në një paçavure, që do prodhojë gjithçka përveçse dijes. Për një arsye shumë të thjeshtë. Sepse nuk do të ketë më incentivën për t'u përmirësuar. Ajo që privatet tentojnë përmes kapjes së qeverisë nuk është asgjë tjetër vetëm të vrasin tregun. Sepse tregu është kërcënim për ta. U thotë përmirësohuni ose dilni nga loja. Liberalët duhet ta dinë mirë këtë.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.029302835464478
array(1) { ["section"]=> string(30) "dija-shteti-dhe-privatet-52342" }