Diplomacia ekonomike vdiq, rroftë ajo ‘patriotike’

Publikuar tek: analiza-komente, më 22:05 10-01-2019 Diplomacia ekonomike vdiq, rroftë ajo ‘patriotike’

Nga Arben Rrozhani

Në dy takime me ambasadorët e Shqipërisë të akredituar nëpër botë, në gusht dhe në nëntor 2017, kryeministri Edi Rama dhe ministri i MEPJ-së, ende në detyrë, Ditmir Bushati, apo ai i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, përsëritën shumë herë togfjalëshin ‘diplomaci ekonomike’.  

Rama shprehej: Ekonomia e vendit është një fushë që MPJ nuk mund ta konsiderojë jashtë sferës së përgjegjësive dhe detyrimeve personale. Nuk i laj duart para jush në lidhje me këtë përgjegjësi. Mbaj përgjegjësi për një dobësi kaq të rëndë të trashëguar për kaq shume vite. Nuk duhet të jetë më kështu, përgjegjësinë për këtë kthesë do ta mbaj për aq sa më takon. Puna e shefit të diplomacisë do të matet se si dhe sa do te përmirësohet roli i shërbimit të jashtëm në dobi të ekonomisë së vendit tonë.... Në harkun kohor të katër viteve e kam të vështirë të gjej dhe e pyes veten pse ju keni qenë kaq të avashtë për të ndjerë urgjencën e dhe domosdoshmërinë për të hartuar platforma. Shija që të lë kjo situatë nuk është aspak e këndshme.... Nuk na duhen të dërguar fuqiplotë në letër dhe as diplomatë të rraskapitur nga gjumi....

Ministri i jashtëm, ende në detyrë, Bushati, thoshte: Shembulli më i mirë është Bashkimi Europian ku mirëqënia e bashkëpunimi mes vendeve në funksion të zhvillimit ekonomik ka siguruar jetëgjatësinë më të madhe të paqes e sigurisë në historinë e kontinentit tonë.

Paradën qeveritare e mbyllte ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj që u kërkoi ambasadorëve që të ofrojnë investitorë ne sektorin e turizmit, pasi Shqipëria kishte, sipas tij, paketën më të favorshme ligjore, krahasuar me vende si Kroacia apo Mali i Zi. dhe kritikonte përfaqësuesit diplomatikë të Shqipërisë në botë se nuk sollën investitorë në Shqipëri.

Sot, debati është për ‘diplomacinë patriotike’, sepse ‘diplomacia ekonomike’ vdiq, pa lindur. Kandidatura e Gent Cakajt nga Kosova është mbrojtur nga kryeministri si një djalë shumë i ditur dhe që bashkon kombin e ndarë nga kufijtë. Ndërsa kundërshtarët thonë se ai është vetëm 28 vjeç, nuk është kandidaturë e përshtatshme, e pasigurtë dhe nuk ofron asgjë për diplomacinë shqiptare.

Ky debat nuk sjell asgjë për Shqipërinë, as për investimet e huaja, as për shkëmbimet tregtare Shqipëri-Kosovë që kanë mbetur në epokën e tarifave për pataten dhe çimenton.

Gent Cakaj mund të bëhet ministër i MEPJ-së, me ose pa dekretimin e presidentit, ashtu siç Rama e zgjidhi ngërçin për ministrin e brendshëm, Sandër Lleshaj. Ashtu si në këtë rast, Cakaj do të marrë certifikatë sigurie, do të heqë ‘spaletat’ e patriotit që kërkon ndryshim kufijsh Kosovë-Serbi, por nuk do të fitojë kurrë postin e kryediplomatit të ‘ekonomisë’. Atë duhet t’ia japë kryeministri i vendit, për të cilin ekonomia është andej nga fundi...në mos nuk është fare. Ndryshe nuk do të merreshim me CV-në e një 28-vjeçari, por me bilancet tragjike të qeverive të 28 viteve të fundit që lëvrojnë në këtë vend të vetmin biznes fitimprurës për ta, jo për vendin: politikën tribale.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0075409412384033
array(1) { ["section"]=> string(54) "diplomacia-ekonomike-vdiq-rrofte-ajo-patriotike-148289" }