Ditari i një vrasjeje të paralajmëruar

Publikuar tek: fcb-bomb, më 13:31 06-12-2016 Ditari i një vrasjeje të paralajmëruar

*Nga Denis Dyrnjaja

Ne jemi 6 fëmijë, unë jam i katërti në rradhe pas një motre dhe dy vëllezërve më të mëdhenj e pas kam edhe dy motra. Plaku punonte këpucar,, kishte trashëguar zanatin e gjyshit, kurse plaka ishte shtëpiake, kishte punuar ca kohë rrobaqepëse. Të dy mezi kishin arritur të mbaronin të mesmen, plaku atë profesionale. Në shtëpi ishim shumë frymë dhe megjithëse se plaku përpiqej të na plotësonte nevojat shpesh gjendeshim ngushtë. Në kushtet kur herë hanim, herë jo, instikti i zhdërvjelltësisë të zhvillohet. Të gjithë ne fëmijët e kishim rrugën si shtëpi. Për shkollë se kishte askush mendjen prej nesh. Përjashto motrat që donin, por ngaqë s'kishin mundësi edhe ato e lanë shkollën. Nata na mblidhte të gjithëve në shtëpi, pas ditës që kishim lënë pas të gjithë prapësitë tona. Plaku punonte por edhe pinte. Kjo ja lëshonte shpesh durimin por edhe dorën që e shëtiste shpesh nga plaka te ne fëmijët. Kur lodhej përdorte një rrip lëkure që të bënte për vdekje. Ditët e netët kalonin me të njëjtin ritual.

Shpejt u gjeta adoleshent, vetes i gjeta ose më gjetën edhe ca shokë sikur të ishim rritur në të njëjtën shtëpi. Pinim cigare, alkool kur gjenim ndonjë lek, duke bërë ndonjë vjedhje të shpejtë nëpër lagje. Rrihnin këdo që na dukesh se nuk na pëlqente ose na kishte inat, fundja edhe nëse na shihte keq, po të na dukej ashtu. Një herë bëmë sherr dhe unë përveç se plagosa me thikë dy nga ata mora dhe nja dy goditje vetë dhe pas spitalit ku më çuan për të kuruar plagët përfundova në burg. 5 vjet e gjysmë l të jetës sime i kalova aty. S'kisha nevojë për shkollë, aq më shumë për universitet. Në burg mbarova "doktoraturën" , vetëm se për vese. Mësova se gruaja nuk mbahej ndryshe veç se më dajak dhe se punë mund të jetosh, por s'bën dot lekë për qejf. Kur dola isha zjarr. Doja të bëja lekë dhe të kisha një dashnore të bukur. Të parat si gjeta dot por të dytën arrita. Ishte një lokal nate tallava ku shkonim me çunat dhe ajo ishte balerinë. Biondet ishin fiksimi im. Ajo u bë menjëherë fiksimi konkret. Shkoja çdo natë në lokal. Nuk iu desh shumë asaj që të kuptonte se kisha rënë brenda. Një natë e prita derisa mbaroi dhe isha shumë i pirë. Kur doli i thashë jam këtu për ty. Pa gjendjen time dhe tha lëre makinën këtu e të çoj unë me makinë. Unë s'kisha makinë fare por kisha dëshirën e saj me vete. Më futi shumë shpejt në jetën e saj. Kishte dhe një fëmijë nga martesa e mëparshme. Ajo ishte 30 vjeç, unë 27.

I thashë se e doja dhe do martoheshim. Kishte hallin e fëmijës që kishte. I thashë s'ka kurrfarë problemi. Nga kjo ajo ishte e gatshme për çdo gjë. Kohët kalonin. Ajo punonte çdo natë, fitonte para, unë pija dhe dhe kisha një adresë të re ku gjendesha pjesën më të madhe të kohës, cassino. Kishim bërë edhe dy fëmijë të tjerë dhe gjërat s'ishin më si më parë. Unë kërkoja më shumë para, ajo nuk përgjigjej më si në fillim. Mësimet e së shkuarës u shfaqën. Fillova ta rrah natë për natë. Edhe fëmijët, ata pa shkak. Mërzitesha që bëja këtë gjë dhe merrja inat veten dhe ushtroja edhe më shumë dhunë. Ajo më kishte thënë disa herë se do të merte fëmijët dhe do ikte. Më tërbonte kjo ide. Tashmë ishim larg ditëve të para të lidhjes. Më shumë grindeshim se rrinim bashkë. Fillova të bëhesha dhe xheloz dhe më dukej se dikush më kishte zënë vendin. Në shtëpi mbaja pistoletën e një shoku. Një natë kisha pirë aq shumë sa nuk rrija dot në këmbë. Ajo erdhi në orën 4 të mëngjesit. Kjo ishte e zakonshme por mua m'u duk se ishte hera e parë që e bënte. Ishte hera e parë që edhe unë gjendesha me pistoletë në dorë përballë saj, por dhe hera e fundit që pashë sytë e saj të hapur. Nuk shkëmbyem shumë fjalë. Vetëm i thashë që ti je një kurvë e pandreqshme dhe e qëllova 4 herë. Fëmijët u zgjuan dhe erdhën për të parë dhe ranë sipër të ëmës që nuk merrte frymë. Doja t'i vrisja dhe ata por pistoleta u bllokua. Policia mbërriti dhe sot jam në shtëpinë me hekura i dënuar për jetë, me 3 fëmijë lënë rrugëve jetim.

Kjo është prej qindra mijëra faqeve të ditarit të jetës social/shoqërore shqiptare, që këtë herë përveç se e dëgjuar vjen e shkruar si dëshmi e fortë se jetojmë në një periudhë moderne, por me mendësi postmesjetare. 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.033891916275024
array(1) { ["section"]=> string(44) "ditari-i-nje-vrasjeje-te-paralajmeruar-61754" }