Doing Business, shkelqimi i rremë i fukarenjve

Publikuar tek: analiza-komente, më 16:22 26-10-2016 Doing Business, shkelqimi i rremë i fukarenjve

Nga Klodian Tomorri

Qeveria shqiptare vendosi një rekord botëror dje. Ajo u bë qeveria e parë në botë që reagoi për raportin “Doing Business”. Vetëm 10 minuta pasi Banka Botërore e lëshoi raportin nga embargo për publikim, nga godina e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Milva Ekonomi shpalli suksesin historik. Shqipëria ishte një nga vendet me përmirësimin me të fortë të renditjes në klimën e biznesit.

Në fakt, pa dashje ministrja shqiptare e Ekonomisë nxorri në pah një nga cilësitë kryesore, të “Doing Business”. Që nga momenti i lançimit të tij 14 vjet më parë, raporti ka qenë një histori fenomenale suksesi e marrëdhënieve më publikun, kudo në botë. Këtë herë nuk ishte ndryshe.

Njerëzit e duan konkurrencën, mediat i dashurojnë renditjet të çfarëdolloji qofshin ato. Nga lista e njerëzve më të pasur në botë të Forbes deri tek mashkulli me seksi i globit tek revista Times. Por, kur vlerësimet nuk paraqesin realitetin dhe kur klasifikimi në vetvete bëhet më i rëndësishëm se sa problemet që tenton të zgjidhe, renditjet bëhen të rrezikshme.

"Mrekullia" gjeorgjiane

Për më shumë se një dekadë shembulli i përkryer i Doing Business ka qenë një surprizë: Gjeorgjia. Në dhjetë vitet e fundit, ish republika komuniste nën Bashkimin Sovjetik, ka qenë superstari i padiskutueshëm i "Doing Business". Në vitin 2005, Gjeorgjia renditej sipas Bankës Botërore si vendi i 100 në botë për klimën e biznesit. Dy vjet më vonë, në 2007, ajo tejkaloi Gjermaninë dhe në vitin 2013 arriti në vendin e 8 të renditjes së "Doing Business".

Për Bankën Botërore mesazhi ishte i qartë: Shembulli i Gjeorgjisë tregonte se nëse një qeveri ka vullnet dhe ndjek formulën, atëherë ajo mund të shndërrojë, në vetëm brenda një viti, vendin e saj në parajsën e biznesit global. Madje edhe vendi i dytë më i varfër në Europë.

Historia gjeorgjiane e suksesit inspiroi dhe shumë vende të tjera të varfëra. Të tjera histori mrekullie pasuan. Në këtë garë gjithkush mund të ishte fitues. Edhe vendet e varfëra të Ballkanit, të udhëhequra tërësisht nga liderë populistë. Maqedonia e Gruevskit prej vitesh qëndron në performuesit më të mirë. Këtë vit madje ajo u rendit si ekonomia e 10 më e mirë në botë nga klima e biznesit duke lënë pas thuajse të gjithë vendet e Bashkimit Europian dhe superfuqitë botërore të inovacionit. Sipas Bankës Botërore, Maqedonia me ekonominë e saj primitive është një vend më i mirë për të bërë biznes edhe se sa Zvicra.

Shkëlqimi i rremë i fukarenjve

Të krahasosh klimën e biznesit në Maqedoni apo Shqipëri me atë në Zvicër, që në fillim është problematike. Të thuash që Maqedonia është një vend më i mirë për të bërë biznes se Zvicra është lajthitje. Por Banka Botërore e thotë dhe madje e shet atë. Të hapësh një biznes, mund të jetë një procedurë disa ditë më e shpejtë në Maqedoni dhe Shqipëri se sa në Zvicër apo Gjermani.

Por kjo nuk ka pikë rëndësie.

"Doing Business" është një raport i ngushtë, që bazohet gjithsej në vetëm 10 tregues, shumica e të cilëve madje vlerësohen në letër dhe jo në terren. Për më tepër, renditja e tij lë jashtë shumë faktorë kyc në vendimin e një biznesi për të investuar. Ndërmjet tyre, siguria, madhësia e tregut, stabiliteti makroekonomik, aftësitë e forcës puntore, sistemi financiar etj.

Mbishitja e "Doing Business" mund të jetë e dëmshme. Për shumë arsye. Që nga lartësimi i udhëheqsve si Gruevski apo Putin, deri tek anashkalimi i problemeve të vërteta që kanë njerëzit dhe ekonomia. Kjo nuk ndihmon askënd. Aq më pak qytetarët e varfër të Ballkanit.

Ndaj kur shume shpejt të vijë koha që edhe Shqipëria të qëndrojë mbi Gjermaninë në renditje, mos provoni t'ja u thoni investitorëve gjermanë. Ah. As biznesmenit libanez Fadi Mitri, i cili erdhi në Shqipëri për të investuar 450 milionë euro, por u largua i masakruar nga bandat. Pikërisht këtu. Në vendin me përmirësimin e fortë të klimës së biznesit. Gjithmonë sipas Bankës Botërore.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.028231859207153
array(1) { ["section"]=> string(51) "doing-business-shkelqimi-i-rreme-i-fukarenjve-57465" }