‘Drejtësia’, Nishani me ambasadorët: Palët të dakordësojnë sa më parë paketën ligjore

Publikuar tek: politike, më 21:14 14-01-2016 ‘Drejtësia’, Nishani me ambasadorët: Palët të dakordësojnë sa më parë paketën ligjore

Presidenti i Republikës,  Bujar Nishani dha sonte pritjen tradicionale të Vitit të Ri për Trupin Diplomatik, në të cilën ishin të pranishëm ambasadorë dhe diplomatë të vendeve dhe organizatave ndërkombëtare të akredituara në vendin tonë.

Në këtë pritje të përvitshme morën pjesë gjithashtu edhe Konsujt e Nderit të vendeve të ndryshme të botës, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, Ministrja e Integrimit zonja Klajda Gjosha, Zëvendëskryetarja e Kuvendit zonja Valentina Leskaj, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë si dhe personalitete të shquara në fushën e diplomacisë.

Gjatë fjalës së tij, Nishani u ka bërë thirrje palëve politike që të dakortësojnë sa më parë paketën ligjore, bazuar në orientimet e Komisionit të Venecias.

“Plotësimi i 5 prioriteteve bazë, ku spikat e shumëkërkuara nga shqiptarët, reforma në sistemin e drejtësisë. Falë edhe angazhimit së partnerëve tanë, ky proces ka hyrë në një fazë kyçe, ku me gjithë defiçitet e panevojshme, procesi mund të rigjallërohet përmes bashkëpunimit të hapur e vullnetmirë në kornizën kuadër që ka ofruar Komisioni i Venecias. Përfitoj nga rasti, t’u bëj edhe një herë thirrje të gjitha palëve, politike dhe të shoqërisë civile, që me transparencën e nevojshme dhe duke i qëndruar besnikë angazhimit të parë për të përqafuar frymën dhe orientimet tashmë eksplicite të Komisionit të Venecias, të dakordësojnë sa më parë paketën ligjore. Në këtë frymë konstruktive do të vazhdoj të mbështes plotësisht dhe të lehtësoj, nëse nevojitet, çdo përpjekje e angazhim”, thë ndër të tjera Nishani.

Në vijim fjala e plotë e Kreut të Shtetit shqiptar:

“I nderuar Zoti Ministër i Punëve të Jashtme,

E nderuar zonja Ministre e Integrimit,

I nderuar Dekan i Trupit Diplomatik, Shkëlqesia Juaj, Nunci Apostolik

Shkëlqesi Ambasadorë, diplomatë, përfaqësues të Trupit Diplomatik,

E nderuara Zëvendëskryetare e Kuvendit të Shqipërisë,

Të nderuar Deputetë, Konsuj Nderi,

Zonja dhe zotërinj!

Në këtë takim tradicional të fillimvitit, dëshiroj t’ju uroj së pari: Gëzuar dhe punë të mbarë në vijimin e misionit tuaj në Shqipëri! Faleminderit i nderuar Nunc Apostolik, për përshëndetjet e ngrohta dhe të sinqerta që sollët në emër të Trupit Diplomatik për vendin dhe popullin tim.

Përfitoj nga rasti që nëpërmjet jush të përcjell urimet më të përzemërta e miqësore për vendet, popujt dhe organizatat që ju përfaqësoni, duke qenë i bindur se bashkëpunimi ndërmjet nesh do të vijojë të zgjerohet dhe thellohet kudo ku pikëprehet interesi ynë i ndërsjellë. Përmbi punët që kemi kryer, e të tjerat që na presin përpara, le të ndalojmë e reflektojmë për çfarë lamë pas, mbi ato ngjarje dhe zhvillime që na shoqëruan, nga më të dhimbshmet e deri tek ato më shpresëdhënëset.

Sulmet terroriste në Paris, që hapën e pothuaj mbyllën vitin 2015 si dhe aktet e tjera të rënda terroriste në Belgjikë, Liban, Egjipt, Turqi, Kuvajt, Tunizi, etj., tentuan të frikësojnë e gjunjëzojnë botën e lirë. Por, reagimet e mjaft prej vendeve dhe organizatave tona, në luftën kundër ISIS-it dhe terrorizmit ndërkombëtar, demonstruan mbizotërimin e solidaritetit njerëzor dhe vendosmërisë reaguese ndaj çdo kanosjeje të së keqes. Shqipëria vijoi të qëndrojë e të kontribuojë përkrah aleatëve dhe partnerëve të saj strategjikë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në këtë luftë, si dhe ka mbështetur iniciativën e vendeve të Ballkanit Perëndimor në luftën kundër terrorizmit, platformë e iniciuar gjatë Kryesisë shqiptare të SEECP-së.

Po ashtu, vijimi i zhvillimeve dramatike në Ukrainë, Siri, Irak, Jemen e Libi, kanë tërhequr vëmendjen e veçantë të diplomacisë botërore, përfshirë edhe atë shqiptare. Valët migruese të paprecedenta, kryesisht nga zonat në konflikt, si Siri dhe Irak, janë një sprovë që Evropa, dhe jo vetëm, kanë përpara. Ne shqiptarët e njohim mirë vuajtjen që e shkakton emigrimin, por edhe vështirësitë me të cilat të përballet e përballohet ky fenomen. Jo pa shqetësim, kam vërejtur se ky fenomen është rishfaqur edhe në vendin tonë, dhe kam kërkuar reagimin imediat të autoriteteve përkatëse, si në parandalimin e largimit të shqiptarëve ashtu edhe për marrjen e masave për përballimin e një vale të mundshëm emigrantësh në vendin tonë.

Zonja dhe zotërinj,

Viti që lamë pas u mbyll me dakordësimin historik të marrëveshjes universale për ndryshimet klimatike në Paris dhe i hapi rrugën marrjes së masave dhe angazhimeve konkrete për mbrojtjen e planetit tonë të përbashkët. “Një kthesë vendimtare në përpjekjen botërore për një të ardhme më të sigurt, të vazhdueshme e më të begatë.” – do ta quante Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon marrëveshjen e arritur. Optimizmi është legjitim, pasi u demonstrua një ndjenjë të lartë përgjegjësie e bashkëpunimi mes udhëheqësve botërore.

Viti 2015 qe një vit i përvjetorëve të rëndësishëm për Shqipërinë. 20-vjetori i anëtarësimit në Këshillin e Evropës, dhe 60-vjetori i anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara bashkëshoqëruan xhevahirin e kësaj kurore: kremtimin e 25-vjetorit të shembjes së diktaturës së egër staliniste në Shqipëri. 25-vjetori i Lëvizjes së studentëve të Dhjetorit 1990 bashkoi në një moment reflektues, në vetë të parë a përmes kujtimesh, protagonistët dhe dëshmitarët e drejtpërdrejtë të atyre ngjarjeve me peshë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët. E kësaj dite nuk mund t’i mungonte prezenca e fuqishme e miqve dhe partnerëve strategjikë të Shqipërisë, që sot i kemi edhe më të shumtë e krah për krah. Unë u jam mirënjohës Papa Françeskut, Kancelares gjermane Merkel dhe Sekretarit amerikan të shtetit Kerry, për mesazhet e fuqishme mbështetëse dhe shpresëdhënëse për përparimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në këtë 25-vjetor, objektivi më i rëndësishëm strategjik dhe projekti me i madh për shqiptarët është ai i integrimit në Bashkimin Evropian. Prej qershorit 2014, kur Shqipëria mori statusin e vendit kandidat, vendi ynë ka bërë përparim, por ai nuk ka qenë i mjaftueshëm për të hapur negociatat e anëtarësimit me Bashkimi Evropian. Arsyet janë të shumta, por edhe detyrat e përgjegjësitë mbeten të njëjtat: plotësimi i 5 prioriteteve bazë, ku spikat e shumëkërkuara nga shqiptarët, reforma në sistemin e drejtësisë. Falë edhe angazhimit së partnerëve tanë, ky proces ka hyrë në një fazë kyçe, ku me gjithë defiçitet e panevojshme, procesi mund të rigjallërohet përmes bashkëpunimit të hapur e vullnetmirë në kornizën kuadër që ka ofruar Komisioni i Venecias.

Përfitoj nga rasti, t’u bëj edhe një herë thirrje të gjitha palëve, politike dhe të shoqërisë civile, që me transparencën e nevojshme dhe duke i qëndruar besnikë angazhimit të parë për të përqafuar frymën dhe orientimet tashmë eksplicite të Komisionit të Venecias, të dakordësojnë sa më parë paketën ligjore. Në këtë frymë konstruktive do të vazhdoj të mbështes plotësisht dhe të lehtësoj, nëse nevojitet, çdo përpjekje e angazhim.

Të nderuar zonja dhe zotërinj!

Një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm për vendin tim mbetet bashkëpunimi rajonal, ku Shqipëria kontribuon qartësisht dhe në mënyrë të qenësishme për rritjen e forcimin e paqes, sigurisë dhe të prosperitetit të tij. Gjatë viteve të fundit, rajoni i Ballkanit Perëndimor ka bërë një progres të dukshëm duke lënë të shkuarën konfliktuale. Agjendat e të gjitha vendeve janë orientuar drejt pajtimit, bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët dhe në këtë kuadër ka pasur një agjendë intensive rajonale. Në muajin maj, Shqipëria mbylli me sukses Kryesinë e saj vjetore të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP-së), ku për herë të parë Kosova mori pjesë me të drejta të plota e kësaj organizate, si dhe u ritheksua rëndësia e përmirësimit të bashkëpunimit rajonal. Samiti i Vjenës për Ballkanin Perëndimor në muajin gusht të vitit të shkuar, si një vijimësi e procesit të Berlinit, u dha një impuls të ri projekteve zhvillimore dhe të ndërlidhjes infrastrukturore e energjetike të vendeve të rajonit.

Procesi i Brdo-Brijunit, nën lidershipin e Presidentëve të Sllovenisë dhe Kroacisë, përmes dy Samiteve të organizuara gjatë vitit 2015, kanë krijuar një frymë të mirë dialogu të hapur por edhe kanë mbajtur në vëmendje të strukturave evropiane, rajonin e Ballkanit Perëndimor Gjithashtu, falë kësaj fryme të re bashkëpunimi, vendet e Ballkanit Perëndimor, nën eksperiencën e Grupit të Vishegradit, ranë dakord në nëntor të vitit të shkuar për krijimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor, synimi i të cilit është promovimi i vlerave të përbashkëta dhe zhvillimi i bashkëpunimit mes qytetarëve, shoqërisë civile dhe institucioneve të rajonit.

Shqipëria, ka mbështetur fuqimisht e pa rezerva dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga Shtete e Bashkuara të Amerikës, si dhe ka përshëndetur të gjitha marrëveshjet e arritura, duke apeluar për zbatimin e plotë të tyre. Shqipëria, si pjesë e një grupi prej 48 vendesh bashkësponsorizoi anëtarësimin e Republikës së Kosovës në UNESCO, e bindur se kjo do t’i shërbente klimës së paqes, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit mes vendeve të rajonit. Po kështu, Shqipëria ka mbështetur politikën e dyerve të hapura të NATO-s për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë anëtarësimin në këtë Aleancë dhe ka mbështetur dhe përshëndetur marrjen e ftesës për anëtarësim nga ana e Malit të Zi.

Shkëlqesi Ambasadorë,

Gjatë vitit 2015, kam pasur kënaqësinë t’u uroj mirëseardhjen në Tiranë disa krerëve shtetesh dhe entitetesh sovrane si: Mjeshtrit të Madh të Urdhrit Sovran të Maltës; Presidentit të Maqedonisë; Mbretit të Jordanisë; Presidentit të Turqisë; Presidentes së Kosovës; Babait Emir të Katarit; si dhe të mirëpres në takime të veçanta: Kancelaren e Gjermanisë, Presidentin e Parlamentit Evropian, Sekretarët e Përgjithshëm të OSBE-së dhe NATO-s, Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, si dhe Kryetarët e Parlamenteve të Suedisë, Serbisë dhe Turqisë.

Por të një rëndësie dhe kënaqësie të veçantë kanë qenë edhe vizitat zyrtare dhe të punës që kam zhvilluar në vende të ndryshme të botës, si në: Katar, Mal të Zi, Bullgari, por edhe pjesëmarrja në inaugurimin e Presidentes së re të Kroacisë si dhe kam marrë pjesë në disa takime apo Samite ndërkombëtare e rajonale. Në të gjitha këto vizita e takime, tre kanë qenë mesazhet kryesore: shprehja e dëshirës dhe vullnetit për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe e shumëpalëshe të Shqipërisë me këto vende e organizata; demonstrimi i vendosmërisë për të kontribuar dhe bashkëpunuar në luftën kundër terrorizmit dhe krimit ndërkombëtar; dhe rëndësia që ka për Shqipërinë e shqiptarët procesi i integrimit evropian.

Të nderuar të ftuar,

Zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe, përbën një shtyllë qendrore në politikën e jashtme të vendit tim dhe Shqipëria i kushton një vëmendje të veçantë zhvillimit të marrëdhënieve me të gjitha vendet mike e partnere, duke synuar intensifikimin e tyre, përmes nxitjes dhe eksplorimin të të gjitha mundësive, ku sigurisht një komponent shumë i rëndësishme mbetet bashkëpunimi ekonomiko-tregtar. Marrëdhëniet me partnerin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës hynë në një fazë të re, pas nënshkrimit të Deklaratës së Përbashkët për Partneritet Strategjik, në muajin prill 2015. Ky dokument shumë i rëndësishëm do t’i forcojë më tej marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe do të intensifikojë dialogun politik në të gjitha çështjet me interes strategjik.

Gjithashtu, marrëdhëniet strategjike, shumëplanëshe, tradicionale e të fqinjësisë së mirë me Italinë, Greqinë dhe Turqinë kanë zënë një vend shumë të rëndësishëm dhe objektivi ynë është zhvillimi i mëtejshëm i tyre. Por të një rëndësie të veçantë janë marrëdhëniet me Republikën Federale të Gjermanisë, si dhe me vende të tjera të Bashkimit Evropian. Përfitoj nga rasti t’i uroj Kryesisë gjermane të OSBE-së suksese në përmbushjen e agjendës së saj shumë ambicioze, veçanërisht në këto momente sfidash dhe krizash të mëdha e të paprecedenta.

Por, Shqipëria i ka kushtuar dhe i kushton vëmendje të rëndësishme edhe marrëdhënieve me Vendet Arabe të Gjirit, të cilat vijojnë të mbështesin projekte të veçanta zhvillimore të vendit tim, por që ndikojnë edhe në nxitjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe të shkëmbimeve kulturore.

Me këtë rast, në kuadër të 25-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shtetin e Izraelit, dëshiroj të vë në dukje se kemi arritur të thellojmë e të zgjerojmë më tepër marrëdhëniet dypalëshe duke promovuar vlerat tona kombëtare dhe duke u shërbyer interesave reciproke shtetërore. Intensifikimi gjatë kohëve të fundit i vizitave zyrtare respektive të nivele më të larta politike, është një tregues domethënës i vullnetit dhe dëshirës së përbashkët që bashkëpunimi dhe dialogu mes Shqipërisë dhe Izraelit të vijë gjithnjë e në rritje, në vazhdën e suksesshme të marrëdhënieve tradicionale dhe historike mes dy kombeve.

Dhe sigurisht, në kuadrin e agjendës diplomatike dhe forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, marrëdhënie intensive janë zhvilluar gjithashtu me Japoninë, Kinën, Kanadanë e shumë vende të tjera, me të cilat ndajmë interesa dypalëshe por edhe shumëpalëshe.

Në kuadrin e marrëdhënieve shumëpalëshe, Shqipëria vjet kremtoi 60-vjetorin e anëtarësimit të saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, me një stok pozitiv të kontributit të saj për paqen dhe sigurinë. Dedikimi i politikës së jashtme të Shqipërisë për paqen dhe sigurinë është demonstruar dhe do të vijojë të demonstrohet pa hezitim edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare e rajonale, veçanërisht në Këshillin e Evropës, OSBE, NATO, etj. Të një rëndësie të veçantë janë dhe linjëzimi permanent i qëndrimeve të Shqipërisë me ato të Bashkimit Evropian për çështje të politikës së jashtme e të sigurisë.

Edhe për vitin 2016, pritet të jetë një agjendë ambicioze si në aspektin e zhvillimeve të brendshme, ashtu edhe në politikën e jashtme të Shqipërisë. Pritshmëria kryesore është e lidhur me reformën në drejtësi dhe hapjen e negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian. Shqiptarët presin me padurim, shenjtërimin e bashkëkombëses së tyre, Nënë Terezës nga Papa Françesku, në muajin shtator të vitit të ardhshëm. Gjithashtu, një sërë përvjetorësh të rëndësishëm në marrëdhëniet diplomatike me vende të veçanta, si dhe vizita zyrtare pritet të realizohen në vitin e ardhshëm, për të cilat jam më se i bindur se nuk do të mungojë bashkëpunimi juaj.

Të nderuar Shkëlqesi Ambasadorë,

Të nderuar zonja dhe zotërinj!

Duke ju falënderuar për vëmendjen, dëshiroj që në fillim të këtij Viti të Ri, t’ju siguroj se do të jetë një kënaqësi e veçantë të vijojmë bashkëpunimin dhe njëkohësisht t’ju uroj juve, familjeve dhe bashkëpunëtorëve tuaj, dhe nëpërmjet jush, edhe vendet e popujt tuaj miq:

Gëzuar dhe për shumë vjet si dhe sa më shumë lumturi e suksese në 2016-n!”

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Forumi Rinor i PS-së mbush 24 vjeç, ja urimi i veçantë i Elisa Spiropalit
LSI, Caka: Nesër dorëzojmë propozimet tona për draftin »
Article Logic
Execution time: 0.023723840713501
array(1) { ["section"]=> string(87) "drejtesia-nishani-me-ambasadoret-palet-te-dakordesojne-sa-me-pare-paketen-ligjore-30018" }