“Durana”, modeli i një rajoni të ri

Publikuar tek: ekonomi, më 17:28 15-05-2016 “Durana”, modeli i një rajoni të ri

Flet Den Klosi, koordinator i grupit të punës për projektin Tiranë – Durrës (Durana)

Rajoni ekonomik Tiranë–Durrës synon të kthehet në një hapësirë e cila mbështetet në konkurrueshmërinë, në krijimin e klasterave ekonomikë, te parimi i ciklit të mbyllur, ku mbetjet e një procesi përdoren si lënda e parë e një procesi tjetër. Krijimi i këtij rajoni do të mbështesë bizneset dhe industrinë kreative, që të jenë konkurruese në hapësirën e Ballkanit Perëndimor.

Në planin zhvillimor Tiranë–Durrës, cili është fokusi ekonomik, çfarë parashikohet?

Strategjia e zhvillimit të rajonit metropolitan është parë kryesisht me fokus konkurrueshmërinë rajonale. Kjo është zhvilluar mbi dy baza: E para është konkurrueshmëria e rajonit në raport me metropolet e Europës Juglindore dhe e dyta me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vetë rajonit. Këto janë dy politikat strategjike që ne kemi ndjekur dhe i kemi përkthyer në mënyrë më të detajuar. Jemi përpjekur që ta shikojmë jo vetëm sesi ndërveprohet mes qyteteve, por edhe sesi do të jetë kontributi i biznesit, i mbështetur nga institucionet shtetërore dhe ato kërkimore. Synimi është arritja e një produkti final më të shpejtë, më i diversifikuar, pasi aktualisht zhvillimi ekonomik ka qenë i ndërvarur kryesisht nga avantazhi i forcës së lirë të punës, por në afatgjatë (10–15 vite) kjo nuk mjafton. Është e nevojshme që të dalin në pah se cilat janë pikat e forta të rajonit në aspektin territorial, në kontekstin e sektorit privat dhe atë të aglomerimeve urbane.

Vlejnë për t’u theksuar dy faktorë bazë: eficienca e produktit rajonal dhe sesi kontribuojnë bizneset e mbështetura nga institucionet shtetërore dhe aftësia për të tërhequr krah pune të specializuar dhe Investime të Huaja Direkte. Një nga kushtet kryesore që nevojitet për të krijuar inovacion (falë kësaj ne mund të kemi një produkt të qëndrueshëm dhe të diversifikuar) është punësimi i specializuar. Që kjo të ndodhë jemi përpjekur që të realizojmë të gjithë ndërlidhjen mes institucioneve që do të bëjnë certifikimin e produkteve, pa hyrë në aspektet sektoriale që u takojnë ministrive të linjës. Për këtë janë nxjerrë 4 tipologji për mundësi klasterizimi.

Që janë…?

Ne kemi identifikuar disa pole: Një prej tyre është ai i Autostradës që parashikon zhvillimin nga Kashari deri në Vorë, që ka në fokus shërbime, industri e lehtë dhe show room-e; Poli i dytë është ai Vorë-Maminas, i fokusuar në logjistikë, materiale ndërtimi, agroindustri dhe përpunim; Poli i Kinostudios (është marrë në konsideratë edhe nga plani zhvillimor i Bashkisë së Tiranës) është një pol i ri i quajtur ndryshe edhe i Kreativitetit, që do të përpiqet të zhvillojë këtë industri si media, studiot grafike, industritë fashion në mënyrë që të gjenerojnë inovacione. Klasteri në vetvete ka këtë funksion primar. Asnjë sipërmarrje nuk do të mund të gjeneronte inovacion e vetme pa qenë pjesë e një zinxhiri të vazhdueshëm. Një pol tjetër është ai Kombinat–Kashar–Vaqarr, i cili ka në qendër zhvillimin e logjistikës, shërbimeve për industrinë e lehtë dhe hapësira magazinimi dhe përpunimi.

Këto pole nuk duhen parë vetëm si gjeneruese të inovacionit, që s’kanë mundësi të mbështeten nga logjistika, pra nga rrugët e shpërndarjes. Këtu kemi të bëjmë me dy zona prioritare që janë; ajo aeroportuale dhe Shkozet–Durrës.

Pol tjetër i identifikuar është Sukth–Shijak–Durrës. Zona Sukth–Shijak shikohet si një mundësi për zhvillimin e banesave me kosto të ulët, por edhe për mbështetjen e shërbimeve agrare, fason dhe rekreacion.

Spitalla është përcaktuar si zonë ekonomike, por ne po përpiqemi që ta ndërlidhin sa më mirë me rajonin në logjistikë.

Cilat janë mundësitë e klasterizimit?

Është studiuar mundësia për klasterizime në aksin Aeroport–Vorë (Bërxullë) që është zona elitare e zhvillimit të biznesit.

Është gjithashtu klasteri i fason-tekstile, që është poli Kombinat–Vaqarr; klasteri i industrisë kreative që i përket polit të Kinostudios dhe ai i logjistikës që i përket zonës mes Durrësit dhe Shkozetit. Këto janë katër klasterat që ne propozojmë që të zhvillohen.

Një nga politikat përbërëse të planit, përveç klasterave, është edhe shpërndarja e inovacionit. Këtë mund të bëjnë sipërmarrësit e rinj që mund të përdorin inkubatorët e biznesit. Janë propozuar disa të tillë, që mund të jenë Partneritet Publik–Privat, tërësisht privat ose të mbështetur nga biznesi dhe universiteti. Këto mund të krijojnë kushtet bazë që sipërmarrësit e rinj të dalin me një produkt të qëndrueshëm, pas periudhës së inkubimit që mund të zgjasë dy deri në tre vjet. Inkubatori do të shërbejë si një mundësi për të krijuar biznese të qëndrueshme dhe me rrezik të ulët në moment që do të dalin në treg.

Cilit është modeli që i jeni referuar?

Ne i jemi përqasur konceptit të Kokurrueshmërisë Rajonale. Kemi parë disa shembuj, duke iu referuar edhe analizave të prof. Michael Porter, i cili është mjaft i njohur në këtë fushë, por kemi ndjekur edhe raste studimore në Boston, Itali, Kroaci si dhe Irlandë. I gjithë procesi është mbështetur edhe nga ekspertët e fushës të Komisionit Europian.

Në rastin e klasterave është për t’u theksuar se kjo metodologji zhvillimi i sjell frytet me ndikim në territor për një periudhë 10-15-vjeçare. Në vende me stadin tonë të zhvillimit, kjo periudhë mund të zgjasë, duke qenë se po tentojmë të zhvillojmë ekonominë e shërbimit. Deri më sot, institucionet arsimore kanë zhvilluar politika teorike, pa u bazuar mbi njohjen dhe zhvillimin territorial. Ne synojmë që të orientojmë mundësitë që institucionet e edukimit dhe kërkimit të mund të nxjerrin produkte kërkimore të bazuara mbi kërkesat rajonale të biznesit.

Sa e vështirë do të jetë ngritja e klasterave në terren?

Sfida kryesore e ngritjes së klasterave ka të bëjë kryesisht me ndërlidhjen institucionale për krijimin e klimës së besimit. Nga të gjithë partnerët është theksuar se procesi i klasterizimit nuk krijohet nga qeveria (qendrore apo lokale), por ajo mund të mbështesë në krijimin e kushteve për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Klasteri në vetvete është edhe konkurrueshmëri. Rajoni, pas një periudhe 10-15-vjeçare, do të jetë shumë i lidhur me Europën Juglindore, duke qenë se kemi mundësi qoftë rrugore dhe portuale, kemi Korridorin 8 dhe aksesin e shpejtë me dalje në Maqedoni përmes Rrugës së Arbërit, drejt Kosovës me Rrugën e Kombit dhe drejt Malit të Zi me Korridorin Veri – Jug. Këto janë mundësitë e korridoreve strategjike që ne kemi dhe duke grupuar funksionet së bashku te klasterat do të bëjnë të mundur që të kemi eficiencë më të lartë të produkteve. Nga ana tjetër, është parë si më ekonomike edhe futja e transportit hekurudhor të mallrave dhe njerëzve.

Distanca e rajonit Tiranë–Durrës është favorizuese pasi ka shtrirje deri në 40-50 km, që në teori përkojnë edhe me shtrirjen e zonave të klasterizimeve. E përkthyer në kohë do të thotë 45-50 minuta e që nënkupton distanca efikase.

Ne jemi përpjekur që të parashikojmë edhe qarkullimin me mjete të tjera, veç atyre personale me ato publike. Kësaj logjike do t’i shërbejë edhe ndërtimi i aksit të ri hekurudhor Tiranë-Rinas dhe rikonstruksioni i Durrës–Tiranë.

Gjithsesi, sfidë do të mbetet ndërlidhja mes institucioneve, por edhe bordeve të biznesit, dhomave të tregtisë, atyre të kërkimit shkencor. Të gjitha këto duhet të krijojnë një bord që duhet të jetë mbështetës.

Sa u përket sfidave mbi territor ato janë disa, por nuk janë të parealizueshme.

Hapi i parë do të duhet të jetë ndërtimi i planeve strategjike. Bashkitë janë duke zhvilluar planet e tyre vendore dhe këto mundësi do të mund t’i përkthejnë në territor me përmasa e distanca konkrete, për të tërhequr investime të brendshme ose të huaja.

Çfarë mundësish ka për krijimin e klasterave të fasonerisë dhe kreativitetit?

Janë dy pole, ai Kombinat–Vaqarr, që nxit krijimin e klasterave të fasonit dhe ai kreativ–industrial, që nuk duhet të shihen të veçuara. Duhet të shikojmë potencialin. Ne aktualisht kemi fuqi punëtore, por mungon mbështetja e universiteteve. Kjo do të thotë që të krijohet një platformë unike për nxjerrjen e produktit final. Ne duhet të përpiqemi që të shesim një produkt të branduar dhe mund të arrihet nëse mbështeten disa sektorë. Më konkretisht: Përveç fasonit, duhet të mbështetet Universiteti i Arteve të Bukura që ka një departament për Fashion-Modë dhe ky duhet të stimulohet që të krijohen produkte që më pas mund të hidhet në treg, falë edhe një fushate marketingu dhe promovimi (poli kreativ). Të gjitha këto duhet të jenë në funksion të një produkti, i cili mund të shitet brenda vendit, por edhe jashtë tij, për të marrë vlerë të shtuar, por kjo nuk është e mundur pa inovacionin dhe pa mundësitë e financimeve.

(Revista Monitor)

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.02512788772583
array(1) { ["section"]=> string(38) "durana-modeli-i-nje-rajoni-te-ri-40521" }