Dy fjalë rreth mjerimit të shtypit shqiptar

Publikuar tek: analiza-komente, më 16:18 18-01-2017 Dy fjalë rreth mjerimit të shtypit shqiptar

Nga Ardian Ndreca

Javën që shkoi u hap e u mbyll me shpejtësi rrufeje e pa lanë asnji gjurmë, si shumica e fenomeneve tek ne, çështja e lirisë së shtypit dhe kontrollit që po merrka qeveria mbi mediat.

Me largimin nga drejtimi i gazetës Mapo, besoj se A. Lela e hipotekoi nji vend në listën për deputet të zgjedhjeve të ardhshme. Dhe tue e dijtë se çfarë figurash ka sot ajo parti – përfshi kryetarin e saj butaforik – them se asht diçka pozitive që Lela të militojë aty.

Lexova edhe reagimet e sikletosuna të pronarit të Mapo-së. Sa për Çilin ideolog, njeri me vizion, akullthyesin e mendimit liberal, gjithçka asht qesharake deri ne trishtim. Çili asht nji individ me nuhatje të mprehtë qe ka ditë me përfitue prej rrymave të momentit.

Çili përban nji fenomen, jo në kuptimin natyror, por në atë social, prandaj si të gjitha fenomenet sociale mund të studiohet ma mirë në distancë. Pra, të presim kur ta shkarpërcejë rishtas kaluçin për me pa a ka me i teprue gja për ekzaminim!

Të punosh për Çilin apo për ata si ai do të thotë thjesht t’u shërbesh atyne.

Ka shumë që e përbuzin jo pse katundar apo pse ka ndërrue emnin, por arsyeja asht thjesht pse ai ka mbërrijtë me vu në shërbim të tijin njerëz që vlejnë ose që mendojnë se vlejnë ma shumë se ai.

Pse, si janë të tjerët që kanë në dorë mediat shqiptare? Ku janë ata parimorët buzëhollë që i shërbejnë Frangajt, Fanes apo Ndroqit dhe rrudhin buzët për Çilin!

E vetmja gja që të acaron tek Çili janë veleitetet e tija, për të tjerat ai asht në linjë me kohën që e ka prodhue.

Veleitetet e Çilit janë idetë liberale, liberalizmi, klubi i filozifisë, 350 doktoratura në UET etj.

Ec e mbushja mendjen Çilit se liberalizmi nuk asht sipërmarrje por mendim dhe se nuk ka asnji sipërmarrje që të prodhojë mendim të pastër. Mbushja mendjen se aq doktoratura sa jep ai s’mund t’i japin as gjithë Ballkani perëndimor marrë së bashkut.

Që mtimet e masipërme të mos degradonin detyrimisht në budallalleqe të damshme do të duhej punë e mirëfilltë shkencore, moral, shtyllë kurrizore, kulturë, ndershmëni, dije. Por mbi të gjitha do të duheshin vlera të vërteta, pse nuk mjafton logjika e qëllimeve për t’u arritë me çdo mjet.

Ku kanë ide dhe linjë politike gazetarët dhe mediat tona? Provoni me i pyet kush i frymzon si të majtë, si të djathtë, si liberalë? Përpiquni mandej me gjetë tek ata ndonji shkëndi të mentorëve të tyne, diçka koherente, diçka trashendentale – pra, të papërdhosun prej interesave të ditës! Mediat tona janë funksionale për mbrojtjen e bizneseve, interesave të ndryshme, përfshi ato politike, për shkatrrime kundërshtarësh, për mbështetje e promovime por jo për me ndriçue e me përhapë idena filozofike

Ndërsa të famshmit analista janë thjesht argatë tregut që kanë gjetë rrugën me u pasunue, marrin inpute me sms dhe shkarravisin apo ngrejnë panele, por s’kanë as ide dhe as ideale.

Shumica e gazetave dhe televizioneve shqiptare janë indeksi topografik i rrenës dhe i mashtrimit, i kopuksisë dhe i banalitetit që na ka pushtue.

Mendoni se çka mund të shkruenin për FAZ, NYT apo për “Corriere della Sera” gazetarë si Shkullaku, Zheji, Fevziu, Xhunga, Bushati, Çani e shumë tjerë. As seksionin e lajmërimeve për qentë e macet e humbuna nuk do t’ia besonte kush.

Tek ne kjo lloj gazetarie ka ecë përpara tue ju lëpi nji banditi të neveritshëm si Berisha, njii mafiozi me bllok në dorë si Meta apo nji megallomani të paaftë si Rama.

Problemi i shtypit shqiptar nuk qendron tek militantizmi, pse askush s’po pretendon me pasë tash për tash nji gazetari të vërtetë, por tek mënyra sesi financohet shtypi.

Kur të zgjidhet kjo çështje atëherë shumica e këtyne teveqelave do të zhduken vedit, pse asnji prej tyne nuk e ban atë punë për pasion.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.023766994476318
array(1) { ["section"]=> string(49) "dy-fjale-rreth-mjerimit-te-shtypit-shqiptar-65909" }