Dy Nëna

Publikuar tek: analiza-komente, më 13:20 05-09-2016 Dy Nëna

Nga Edison Ypi

Na ishin dy Nëna shqiptare. Nuk ndjeheshin as fatlume as fatkeqe, thjesht jetonin. Njëra ishte nga Jugu, tjetra nga Veriu. Të dyja fshatarka. Të dyja të urta. Të dyja të bukura. Të dyja të ëmbla. Por edhe të vrënjtura dhe të hidhura, dhe me rrudha, sepse të gjalla. Ajo nga jugu ishte e zakonëshme nga jashtë, e jashtëzakonëshme nga brenda. Tjetra nga veriu, e jashtëzakonëshme nga jashtë, normale nga brenda. Këto dy Nëna lindën secila në katundin e vet. Ku, pa kërthiza përjashta, pa rroba të shtrenjta, pa parukerira, dëgjuan përralla me perrira që krihen mbi ujëra si pasqyra, zana të zbehta që dalldisin trimat, princesha të bardha që presin princin e kaltër në dritare të kthehet nga lufta, kuçedra që thajnë çezmat, vampirë që vijnë natën fikin kandilin, magjistarë që në çast të shndrrojnë në gur.

Kur u rritën, të dy Nënat, i lanë ëndërrat, nisën punërat. S’ngritën Ato biznese dhe grataçiela. As gjëra të tjera të tilla. Ato bënë punë më të vështira. Punë femrash; Uruan, bekuan, zbutën, edukuan. Nga gojët e tyre s’dolën kurrë broçkulla, por vetëm mjaltra, melhemra që shërojnë shpirtëra. Dy nënat edhe udhëtuan. Pa u ndalur e pa u lodhur; E para udhëtoi sa më thellë brënda vetes. E dyta udhëtoi sa më larg jashtë vetes. Të dyja jo për vete. Për mirën e të tjerëve.

E para u martua dhe bëri katër fëmijë; dy djem dy vajza në Shqipëri.

E dyta, nuk u martua. Por fëmijë pati shumë, miliona djem e vajza në të gjithë botën.

Preokupimet e së parës ishin; Mëshira, Krenaria, serioziteti, dinjiteti.

Hallet e së dytës; Mbijetesa, Lutja, Nënështrimi, Lëmosha.

E para ishte e shenjtë.

E dyta u shenjtërua.

E para ishte Nëna ime, Hasia.

E dyta Nënë Tereza.

Ah këto dy Nëna. Këto dy kreshta. Këto dy drita.

O nëna ime. O Nënë Tereza. O të dyja.

O Ju që e dinit se,

Gjëja më e kollajshme në këtë botë është të gabosh.

Pengesa më e vështirë për t’u përballuar është frika.

Rreziku më i madh është dekurajimi.

Dita më e bukur e Jetës është, sot.

Çasti më i bukur i ditës është, tani.

Ajo që më tepër na lipset është, pajtimi.

Dhurata më e bukur që mund t’i bëjmë tjetrit është falja.

Ilaçi çudibërës është, guximi.

Gjëja më e bukur është, Dashuria.

Forca që mposht gjithçka është, besimi.

A e dini si e kam hallin o të zeza ? Dua t’ju pyes për nja dy gjëra;

A e dini se në Shqipëri, përveç ju të vdekurave, nuk kanë mbetur as të rinj, as të reja, as gra, as burra, por vetëm burra-lavira ?

A j’u ka rënë gjë në vesh se Kisha dhe Xhamia e shqiptarit sot është bërë kafeneja ?

Të këqinjtë e përrallave, bajlozat e zinj me topuza, shtrigat që thajnë krojet, vampirët që fikin kandilët, magjistarë që të ngurtësojnë në çast, a e dini se paskëshin qënë të vërtetë dhe tani kanë dalë sheshit ?

Ngrihuni o Nëna me rrudha. Ngjalluni o të vdekura. Ejani o të zeza. Mirardhçi o Nëna.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.027888059616089
array(1) { ["section"]=> string(13) "dy-nena-51944" }