Dy të rinjtë shqiptarë që do ulin smogun me anë të shkencës

Publikuar tek: kulture-art, më 22:23 01-03-2015 Dy të rinjtë shqiptarë që do ulin smogun me anë të shkencës

Janë dy maturantë shkodranë, të cilët i mban bashkë pasioni për shkencën dhe ëndrra që në një të ardhme të bëhen mjekë. 18 vjeçarët Sheri Tuzi dhe Drini Draçini u shpallën fitues të një konkursi mes kolegjeve turke në Shqipëri. Ata prezantuan një projekt i cili mund të implementohet lehtësisht në infrastrukturën e qytetit dhe nëpërmjet reaksioneve kimike mund të ulë smogun. Ky konkurs organizohet çdo vit nga disa kolegje private.

Ky ishte edicioni i tetë. “Dëshira për të thelluar informacionet tona në shkence si dhe dëshira për të bërë diçka më të mirë për ambientin ku jetojmë ishte ajo që na frymëzoi të bëheshim pjesë. Gjithashtu vendosem ta bënim projektin bashkë sepse menduam se do të ishte një kombinim i suksesshëm”, tregojnë ata. Projektet u vlerësuan në dy stade nga një juri profesioniste. Të gjithë pjesëtarët e jurisë ishin profesorë dhe pedagogë në kolegjet turke, universitetin e Tiranes, Shkodrës dhe një universiteti privat . Të gjithë anëtarët ishin persona që kishin lidhje me shkencën dhe përkatësisht kiminë, me të cilën kishe më së shumti lidhje projekti i prezantuar nga të rinjtë shkodranë. “Ne kishim si synim të jepnim një mundësi efikase për pastrimin e ajrit nëpërmjet reduktimit të niveleve te smogut, një problem madhor i ditëve të sotme. Në projekt ne kemi paraqitur zhvillimin e disa reaksioneve kimike, nëpërmjet të cilave realizohet konvertimi i oksideve të azotit dhe karbonit, që janë faktorët kryesorë të ndotjes dhe përbërës të rrezikshëm të smogut, në substanca krejtësisht të padëmshme për mjedisin. Kjo realizohet duke përdorur dioksidin e titanit (TiO2) si element përbërës i materialeve të ndryshme: asfaltit, çimentos, tullave apo edhe si spërkatës. Qëllimi ishte që kjo zgjidhje të mos ishte shumë e kushtueshme dhe të ishte e aplikueshme në jetën e përditshme”, u shprehën ata. Sipas tyre aplikimi i këtij projekti është mjaft i thjeshtë. Nuk duhet asgjë tjetër përveç se inkorporimit të TiO2 (dyoksidit të titanit) në bojën, asfaltin, çimenton apo çfarëdo që të jetë duke u përdorur. Gjithë masës së asaj çfarë përpunohet i shtohet dioksidi i titanit si 5 për qind e masës. Më pak fjalë nëse kemi 100 kilogram çimento apo asfalt, 5 kilogram shtohen si TiO2. Ata shpjegojnë se i gjithë procesi realizohet në bazë të vetive fotokatilitike të TiO2, pra veti të cilat i mundësojnë të veprojë si katalist për reaksione të caktuara kur ekspozohet ndaj dritës së diellit. Këto veti e bëjnë të mundur shpërbërjen e smogun dhe mikroorganizmave të dëmshme. “Vlerësimin në pikë saktësisht nuk e dimë, por mund të themi se piket dhe vlerësimet kanë qenë shumë të mira përderisa në kategorinë e shkencës, ku ishin pjesëmarrëse 130 projekte, ne ishim grupi me piket maksimale”, tregon Sheri Tuzi. “Nga reagimet e jurisë arritëm të kuptonim se prezantimi luajti një rol mjaft të rëndësishëm. Përveç tij, u vlerësua shumë edhe aplikueshmëria dhe prakticiteti. Sigurisht, mbi të gjitha ishte potenciali i këtij projekti për të kontribuar në pakësimin e ndotjes në qytetet ku do të aplikohet dhe rrjedhimisht për të përmirësuat jetën e përditshme të njerëzve. Fakti që smogu është një problem aktual e bëri projektin tonë të veçohet prej të tjerëve, duke qenë se ne po ofronim një zgjidhje konkrete”, vazhdoi Drini.

Ideja

Vetitë fotokatilitike të TiO2 janë provuar në disa kërkime eksperimentale në Amerikë. Por këto kërkime nuk janë zhvilluar në këtë prizëm që propozojnë të rinjtë shkodranë. Këto kërkime kanë propozuar përdorimin e TiO2 si komponent të tullave apo tjegullave, dhe jo implementimin e tij gjerësisht në infrastrukturën e qytetit, siç propozojmë Sheri dhe Drini, pra në asfaltin e rrugëve dhe në sipërfaqet e jashtme të ndërtesave. Madje, duke u bazuar në eksperimentet dhe matjet që zhvilluan, ata arritën në konkluzionin se përdorimi i tij në shkallë të gjerë nuk është i kushtueshëm në raport me përfitimet që sjell për jetën në qytet. “Është edhe vetë kohëzgjatja që ka përfshirja e TiO2 në asfalt apo çimento ajo që e bën shumë të leverdishme përdorimin e tij. Dioksidi i titanit mund të durojë deri në 10 vite pa patur nevojë të riaplikohet”, u shprehën ata.

Shkodranët në konkursin e shkencës në SHBA

Projekti i propozuar nga dy gjimnazistët shkodranë në konkursin e shkencës të prezantuar në Tiranë u vlerësua si më i miri për impaktin që sillte në jetën e qytetit dhe në aplikueshmërinë e tij. Kjo medalje nuk ishte përfitimi i vetëm që dy të rinjtë e talentuar morën. Ata do të kenë mundësinë ta prezantojnë veten mes 70 shteteve të tjera në një konkurs ndërkombëtar që do të mbahet në Teksas, ShBA në maj të këtij viti. “Çmimi ose shpërblimi më emocionues nuk ishte thjesht medalja e arit që në morëm, por e drejta për ta përfaqësuar Shqipërinë në konkursin ISËSEEEP që zhvillohet në Texas, ShBA. Në këtë konkurs do të marrin pjesë rreth 70 shtete ndër të cilat bën pjesë edhe Shqipëria. Është vërtet një ndër dhe privilegj fakti që në jemi të përzgjedhurit e këtij viti. Normalisht që për ta prezantuar veten, shkollën dhe vendin sa më mirë do të punojmë akoma më shumë me projektin dhe do ta përmirësojmë deri në detaj, pasi gjithmonë ka vend për përmirësim. Konkurrenca atje do të jetë e fortë sigurisht, por kjo gjë nuk na ndalon që të synojmë për një medalje edhe në ShBA”, u shprehën ata.Konkursi do të mbahet më 7 deri më 11 maj kështu që dy të rinjtë do të kenë kohë që të punojmë me projektin për ta përmirësuar atë. “Unë dhe Drini kemi rreth 4 vite që njihemi. Megjithëse nuk jemi në një klasë, disa lëndë i bëjmë bashkë dhe kështu me kalimin e kohës vumë re se kishim shumë pasione të përbashkëta, sidomos kur behej fjalë për shkencën dhe dëshirën për të studiuar mjekësi. Që në qershor të vitit të kaluar ne vendosem të realizonim një projekt së bashku, edhe pse nuk kishim gjetur një temë akoma. Menduam se do të ishim një skuadër mjaft e fortë me dëshirën dhe pasionin që na ndjekin gjithmonë”, tregon Sheri.

Drini dhe Sheri tregojnë se puna për këtë projekt ka nisur rreth tre muaj më parë. Megjithatë, javët e fundit ishin më intensive, pasi gjatë këtyre javëve përfunduam eksperimentin dhe kryem të gjitha llogaritjet. Pra, pjesa kryesore e projektit u zhvillua afërsisht në tri javët e fundit. E gjithë ideja e këtij projekti është që të mos mbetet thjesht një eksperiment dhe projekt i bërë në teori, por një projekt i aplikueshëm edhe në jetën e përditshme jashtë laboratorit. Pse jo një ditë këtë projekt ta ndërmarrin edhe bashkitë e qyteteve të ndryshme në Shqipëri. “Miqtë na kanë suportuar që në fillim, sapo e kanë marrë vesh temën e projektit. Pas fitores normalisht që janë entuziasmuar nga suksesi jonë dhe na kanë përgëzuar për fitoren. Edhe ne u ndjemë shumë mirë nga gjithë kjo atmosferë. Është gjithmonë mirë të kesh mbështetjen e shokëve për nisma të tilla”, tregojnë ata. Prindërit kanë qenë gjithmonë mbështetja më e madhe e tyre si për t’i ndihmuar ashtu edhe për t’iu mështetur ëndrrat, ku kryeson ajo e të bërit mjek. “Është vetë kënaqësia që të jep profesioni duke ndihmuar njerëz, si dhe pafundësia e të mësuarit për njeriun dhe trupin e tij gjatë gjithë jetës ajo e cila na beri të ëndërrojmë mjekësinë një ditë”, tregojnë ata.

Burimi: National Albania

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Xhevahir Spahiu feston 70 vjetorin e lindjes
571 vjetori i Besëlidhjes së Lezhës, peticion për shpalljen festë kombëtare »
Article Logic
Execution time: 0.0047500133514404
array(1) { ["section"]=> string(64) "dy-te-rinjte-shqiptare-qe-do-ulin-smogun-me-ane-te-shkences-4727" }