E harruan gjakun derdhur në shesh...

Publikuar tek: analiza-komente, më 14:43 21-01-2016 E harruan gjakun derdhur në shesh...

Nga Diana Ndrenika

Eshtë një shesh në Tiranë që mban emrin “21 Dhjetori”.  Sheshet te ne rrallë marrin emërtime datash, më shpesh marrin emra personalitetesh e ngjarjesh. Po për çudi ky shesh me emer date është shumë i  njohur.  Nuk gjen njeri që nuk e njeh. Nuk e di me saktësi nëse fillimisht është emërtuar kështu për të shënuar datën e diellndalimit dimëror, ditëlindjen e Josif Stalinit apo vendimin e po kësaj date të vitit 1990 për të hequr të gjithë shtatoret e tij në Shqipëri kudo që ndodheshin. Ajo që di me siguri është se ky shesh e mbante këtë emër edhe gjatë periudhës komuniste, por ka shumë  të ngjarë që pikërisht për arsyen e fundit ky emër  ka rezistuar deri më sot.

Eshtë një tjetër shesh në Tiranë, shumë qendror, në zemër të bulevardit Dëshmorët e Kombit midis Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit Popullor që nuk ka ndonjë emërtesë të veçantë. Para ca ditësh ky shesh u zbukurua me slitën e drerëve të vitit të ri, e nën tingujt e muzikës muret e dritareve të Kryeministrit u shndërruan në ekranin e urimeve për festa. Askush për asnjë moment nuk kujtoi që nga ato dritare, në 21 Janar të 2011-ës, me urdhër të një tjetër kryeministri u qëlluan për vdekje katër jetë të pafajshme dhe u plagosën shumë të tjerë.

Sot bëhen plot 5 vjet që nga ajo ditë, nga revolta e madhe e popullit kryesisht të majtë kundër korrupsionit, kundër padrejtësisë, kundër pabarazisë. Më vjen e gjallë ndërmend  sesi  disa nga kolegët , arkeologë e specialistë të trashëgimisë kulturore në OJF-në që drejtoja më vunë në sedër atë mëngjes: Unë nuk dua t’i rris fëmijët duke i mësuar të vjedhin me bllok në dorë më tha Valbona Hysa,  do dal patjetër në demostratë sot. – Kjo nuk është demokracia e liria të cilën kanë ëndërruar  prindërit tanë dhe ne - më tha Edvin Lamce. Edhe unë do dal aty të protestoj.

Jo se nuk do të shkoja, por e kisha në plan t’i bashkohesha turmës së qytetatëve e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare te PS-së; duke u nisur qysh nga selia e partisë, sic bënim gjithnjë në të tilla raste, e pa e patur në natyrë për të dalë në ballë të demostratave, siç rrodhën ngjarjet shumë shumë nuk do kisha  arritur  më tej urës së madhe pranë hotel Dajtit.  Përpos kësaj askurrë gjatë punës sime në atë OJF, nuk isha përpjekur të  influencoja në bindjet e tyre politike. Duke qenë se venddodhja e zyrës në rrugën Ismail Qemali, 34 nuk e shmangte daljen direkt në sheshin kryesor përpara kryeministrisë ne u nisëm për aty. Disi në faj për rolin tim si drejtuese e një organizate të shoqërisë civile dhe njëkohësisht anëtare e asamblesë kombëtare të PS-së, doja të sigurohesha që ata nuk e bënin këtë për të lajkatuar parapëlqimet e mia(çka nuk e kisha inkurajuar kurrë) u thashë me insistim se nuk kishin asnjë detyrim të dilnin e të shkëputeshin nga zyra. Insistimi dhe reagimi i tyre më vuri në pozitë sa gati gati u duk se unë vetë isha pro qëndrimeve me bllok, gjobvënëse të Ilir Metës e qeverisë së Sali Berishës e nuk besoja në shpirtin e qëllimin e protestës. Ose në rastin më të mirë për t’i marxhinalizuar e lënë ata jashtë një jetë aktive politike, që ndërkaq ishte një e drejtë e tyre gjithashtu.

Kështu, të gjendur nga të parët në shesh 3 kolegë dhe unë u vendosëm në rradhët e para të njerëzve pranë Kryeministrisë. Devocioni  i tyre ia kishte dalë mbanë të na nxirrte në ballë. Atë ditë ne u bëmë dëshmitarë të asaj masakre që ndodhi aty. Pa kuptuar se si ne  përjetuam asfiksinë e gazit lotsjellës, panikun e turmës, shtypjen e shtyrjen prej saj, frikën, llahtarën dhe tmerrin nën krismat e plumbave të një sistemi që godet qorrazi këdo, për të çimentuar të drejtat e fuqitë e tij.

Sot, mbas 5 vitesh 21 Janari nuk po njeh drejtësi. U morën 4 jetë qytetarësh të thjeshtë. Familjet e tyre humbën përjetë njerëzit e dashur vetëm se ata në mënyrë të sinqertë, iu përgjigjën thirrjes së forcës politike të cilës i besonin. Askush nuk u gjend fajtor. U fol për kompensim- ata janë më të varfër, me të rënduar e më shpresëhumbur se më parë.

 Dhjetrave të tjerë të plagosur, keqtrajtuar, e poshtëruar me shkopinj gome e gaz lotsjellës iu është vrarë  përgjithnjë guximi për të protestuar nga shoku i përjetuar aty si dhe nga terrori psikologjik që vijoi më pas.   

Unë vetë përveç tmerrit të asfiksisë së gazit lotsjellës dhe kalvarit  disaorësh që pasoi në Kullat Binjake nën terrorin e krismave u përballa më pas me një kritikë nga drejtuesi anglez i projektit Brian Ayers, i cili më përcolli mendimin e donatorit  David Packard, se unë mbështesja projekte komuniste.  Ca muaj më vonë, në Kongresin e Ps-së, në nëntor të po atij viti pa shkak e pa shpjegim, gjë që se kam kuptuar as sot, unë u përjashtova nga Asambleja e Partisë Socialiste. 

Sot nga dritaret mbi sheshin e 21 Janarit Rama dhe Meta kundrojnë të qetë përkundruall njëri- tjetrit nga godinat përkatëse. E kanë harruar gjakun e pafajshëm derdhur në atë shesh nga lufta e tyre për pushtet. Askush nuk ua cënon për momentin koalicionin. Po qeverisin në harmoni të plotë e shpesh nën maskën e pseudo-konflikteve. E kjo, po të jesh përdorur si popull në 21 Janar të ngjall veç nauze.

Sheshi vazhdon të shtrihet aty i qetë, i përjetshëm sic cdo shesh qëndror në botë. Po ndërkohë nga gjaku i pafajshëm i derdhur mbi të ka vetëfituar një emër. Sheshi “21 Janari”.  Ashtu si sheshi “ 21 Dhjetori ” që të kujton rënien e diktatorëve ky emërtim vlen për të na kujtuar ato 4 jetë; për t’u dhënë guxim qytetarëve në të drejtën e tyre të protestës, dhe për t’u ndalur duart tiraneve të çdo kohe.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0068788528442383
array(1) { ["section"]=> string(39) "e-harruan-gjakun-derdhur-ne-shesh-30599" }