E shembën barbarisht gjatë natës, rindërtohet Shtëpia e Flamurit në Korçë (FOTO)

Publikuar tek: kulture-art, më 17:11 25-11-2017 E shembën barbarisht gjatë natës, rindërtohet Shtëpia e Flamurit në Korçë (FOTO)

Ajo është një nga ato objekte që përbëjnë themelin e identitetit tonë kombëtar. Shtëpia e Flamurit në Korçë bashkë me atë ku u shpall pavarsisa në Vlorë, ndërtesa e Kongresit të Lushnjes dhe Pallati i Brigadave janë konsideruar si 4 godinat më të rëndësishme në Shqipëri, gjatë shekullit të kaluar, pasi kanë qenë vendimtare për krijimin e shtetit shqiptar.

Por nga këto katër godina të rëndësishme për historinë dhe kulturën shqiptare deri më tani origjinale janë ruajtur vetëm 2, ndërtesa e Kongresit të Lushnjes dhe Pallati i Brigadave në Tiranë.

24093941_1739178479487814_1817317708_o_copy.jpg
Nëse shtëpia e flamurit në Vlorë ka kohë që është shembur, ajo në Korçë u rrënua vetëm disa vite më parë.
Në shtëpinë e flamurit në Korçë në vitin 1916 u ngrit flamuri kombëtar nga patrioti Themistokli Gërmenji duke e shpallur rajonin e Korçës një krahinë autonome që e shpëtoi atë nga një aneksim i mundshëm nga vendet fqinje, fat të cilin e patën disa qytete të tjera shqiptare që aktualisht janë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Në vitin 1986 për herë të parë ajo u rikonstruktua dhe u shpall muze. Por në periudhën e tranzicionit shtëpia e flamurit në Korçë do të pësonte disa ndryshime tejet negative.

Ajo përgjatë këtyre viteve do të përdorej herë si bar dhe herë si bilardo, duke i'a zhvlerësuar të gjitha ato vlera që ajo mbart. Por pika më e errët për këtë godinë historike do të ishte viti 2012, kur ajo tinzarisht gjatë natës u shemb me mjete të rënda.

Por në këtë moment vendimtar u desh ndërhyja e Bashkisë Korçë dhe instancave të tjera shtetërore që godina të mund t'i rikthehej qytetit.
Ndërsa tashmë është e përfunduar totalisht dhe pritet të vihet në funksion sa më shpejt të jetë e mundur, shtëpia e flamurit ka marrë hijen që i takon dhe në çdo detaj, të treja katet janë të ndërtuara me kujdes që të ruhet sa më shumë forma që ndërtesa ka pasur para se të shkatërrohej.

24007872_1739179646154364_2049931951_o.jpg


Në një intervistë për newsbomb.al, drejtori i monumenteve të Kulturës në Korçë, Gjergji Koki u shpreh se godina është identike në pamje me ndërtesën historike, pasi mjeshtrat që kanë punuar aty janë kujdesur për këtë gjë.

Ngjashmëria në fakt është fare lehtë e dallueshme edhe me sy të lirë, pasi te ndërtesa që ne shohim sot nuk mundemi dot të gjejmë shumë dallime me godinën monument kulture që u shemb. Ai tregon se për ta sjellë në këtë gjendje godinën janë shpenzuar 24, 340, 648 milion lekë. Për rindërtimin e shtëpisë së flamurit janë përdrur materialet më cilësore dhe rezistente.

24093903_1739177709487891_257021919_o.jpg
Dëshira për ta bërë sa më te ngjashme Shtëpinë e Flamurit ku Themistokli Gërmenji valviti flamurin kombëtar shihet tek shkallët e drurit që janë shumë të ngjashme me ato të vjetrat, mund të dallohet tek ngjyra e ndërtesës, që është ruajtur si ajo e vitit 1985. Por edhe në disa detaje më të vogla si parmakët e dritareve, apo edhe ulluqet të cilët janë shumë pranë identikes me ato të godinës historike.


Z.Koki na tregon gjithashtu edhe për një projekt që është hapat e parë, për ta kthyer shtëpinë e flamurit në Korçë në një muze të flamurit kombëtar.
Por deri sa ky projekt të marrë jetë, Korça dhe gjithë Shqipëria mund t'i gëzohen sërish shtëpisë ku Themistokli Gërmenji shpalli autonominë e kësaj krahine.

24007875_1739179636154365_469661368_o.jpg

Tashmë kjo godinë që i është rikthyer qytetit të Korçës i shton atij një diamant më shumë në gjerdanin e madh të vlerave historike dhe kulturore që ky qytet ka.
Nga: Ardit HOXHA

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0044519901275635
array(1) { ["section"]=> string(84) "e-shemben-barbarisht-gjate-nates-rindertohet-shtepia-e-flamurit-ne-korce-foto-100707" }