Ecuria e Reformës në Drejtësi, Xhafaj: Të angazhuar për një proces gjithëpërfshirës dhe transparent

Publikuar tek: politike, më 20:17 10-01-2016 Ecuria e Reformës në Drejtësi, Xhafaj: Të angazhuar për një proces gjithëpërfshirës dhe transparent

Kryetari i Komisionit për Reformën në Drejtësi, tashmë eksperti i Partisë Socialiste në diskutimet lidhur me këtë reformë, Fatmir Xhafaj, ka shpjeguar rëndësinë dhe ecurinë e kësaj reforme.

Xhafaj falënderon të gjithë ata që e kanë mbështetur këtë projekt, ndërsa shprehet se kjo është një nga reformat më të rëndësishme për ngritjen e institucioneve të qëndrueshme dhe të pavarura.

“Në vlerësimin tim dhe të gjithë atyre që e mbështesin këtë projekt, besoj edhe të gjithë atyre që e shohin në mënyrë kritike, por realiste projektin kushtetues, reforma në drejtësi është reforma që do të mbështesë, vlerësojë dhe inkurajojë fort në ushtrimin e detyrës së tyre të nderuar gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe noterët e ndershëm në Shqipëri. Reforma në drejtësi ka si qëllim parësor të saj ngritjen e institucioneve të qëndrueshme, të pavarura, të ndershme dhe efiçente të sistemit që garantojnë interesat e qytetarëve dhe respektimin e zbatimin e ligjit në mënyrë të drejtë dhe pa diskriminim”, shprehet Xhafaj.

Eksperti i PS-së tregon më tej edhe për ecurinë e kësaj Reforme dhe atë çka parashikohet të ndodhë në vijim.

“Siç jeni në dijeni, më datë 21 dhjetor Komisioni i Venecias bëri publik raportin e tij paraprak me vlerësimet përkatëse. Në vlerësimin tim, Komisioni i Venecias i ka dhënë mbështetje projektit kushtetues të hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë (vendas e ndërkombëtarë) pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar si dhe ka parashtruar disa rekomandime e sugjerime konkrete për përmirësimin e mëtejshëm të tij.

Është pozitiv fakti se të gjitha forcat politike në vend si dhe institucionet e sistemit të drejtësisë kanë vlerësuar raportin paraprak të Komisionit të Venecias dhe i kanë pranuar rekomandimet e tij si korniza ku do të duhet të orientohet e zhvillohet debati rreth projektit kushtetues të paraqitur nga ekspertët.

Dëshiroj t’ju informoj se, në përputhje me mandatin e dhënë nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar, Ekspertët e Nivelit të Lartë (vendas dhe ndërkombëtarë) pranë këtij komisioni, në një proces pune intensive gjatë fundit të muajit dhjetor, përfunduan rishikimin e projektit kushtetues, të hartuar prej tyre, mbështetur në rekomandimet e Opinionit Paraprak të Komisionit si dhe në reflektimet përkatëse të dala nga konsultimi publik i zhvilluar gjatë muajit nëntor me grupet e interesit dhe komunitetin e profesionistëve ne vend. Për të qënë sa më transparent, për t’ju dhënë juve mundësi të gjykoni vetë mbi reflektimin e bërë nga ekspertët, bashkëngjitur do të gjeni projektin e dërguar në Venecia (1 tetor 2015) dhe projektin e rishikuar pas ardhjes së opinionit të Komisionit të Venecias (29 dhjetor 2015.

Projekti i rishikuar, më datë 29 dhjetor i’u është dhënë për njohje edhe ekspertëve të grupeve politike parlamentare dhe atyre të institucioneve të sistemit të drejtësisë. Kjo edhe me qëllimin për të ndihmuar hapat e mëtejshme të procesit konsultues dhe debatit përkatës, për ta bërë atë sa më konkret dhe sa më efiçent.

Më datë 4 janar filloi diskutimi me ekspertë të grupeve politike parlamentare, kryesisht atyre të opozitës, për të vlerësuar mundësinë edhe të reflektimit të opinioneve të tyre dhe me synimin e hartimit të një dokumenti sa më konsensual. Procesi fillimisht eci mirë në dy ditët e para të tij. U shqyrtuan bashkërisht 22 nenet e para të projektit dhe u reflektuan disa sugjerime konkrete të bëra nga ekspertët e opozitës dhe ata të Ministrisë së Drejtësisë. Më datë 6 janar procesi u ndërpre, për shkak të largimit të ekspertëve të opozitës nga tryeza e punës.

Në përgjigje të ftesës publike të bërë nga Kryetari i Kuvendit dje paradite dhe me negocimin e Ambasadores së BE znj.Romana Vlahutin dhe Ambasadorit të SHBA, z.Doland Lu po dje pasdite, ekspertët e opozitës vendosën të rikthehen në tryezën e punës. Sot procesi ka filluar atje ku është ndërprerë duke rënë dakort që vazhdimi i tij të mbështetet tek rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe duke u fokusuar veçanërisht te çështjet për të cilat ka këndvështrime e pozicione ligjore të ndryshme.

Jemi të ndërgjegjshëm se ky proces nuk është i lehtë për tu realizuar, por shpresojmë që të ecë normalisht dhe të kemi një produkt të dakortësuar në nivel ekspertësh për ti hapur rrugë pastaj procesit të vendimmarrjes politike të Komisionit të Posaçëm Parlamentar, brenda datës 12 janar, mbështetur në produktin e ekspertizës vendase dhe ndërkombëtare.

Pasi të shqyrtohet dhe miratohet në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, projekti kushtetues do t’i dërgohet Komisionit të Venecias për tu vënë në dispozicion të reporterëve që do të vizitojnë së afërmi Tiranën, në pritje të opinionit final të tyre mbi reflektimet e bëra dhe zgjidhjet e dhëna.

Siç mund të jeni në dijeni, krahas punës për përfundimin e projektit kushtetues, ekspertët po vazhdojnë në mënyrë intensive procesin për hartimin dhe konsultimin e një sërë projektligjesh të cilat janë të rëndësishme për reflektimin e ndryshimeve kushtetuese dhe riorganizimin e mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë, me synimin që menjëherë me miratimin e ndryshimeve kushtetuese të fillojë procesi i zbatimit të tyre dhe funksionimi normal i sistemit në të gjitha hallkat e tij. Pranë grupeve të ekspertëve, për çdo projektligj janë ngritur grupe think-tank, me përbërje gjyqtarë, prokurorë, avokatë, noterë, pedagogë të së drejtës etj për të kontribuar në konsultimin dhe përmirësimin projekteve me zgjidhje sa më më të mira bazuar edhe në përvojën pozitive të sistemit.

Kuvendi i Shqipërisë do të vazhdojë të mbetet i angazhuar për të përmbushur me sukses sfidën e reformimit të sistemit të drejtësisë, përmes një procesi sa më gjithpërfshirës e transparent, konsultimit publik me të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë, profesionistët e fushës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit. “

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Berisha thotë se policia mashtron me deklaratat për të dizinformuar publikun
Reforma në Drejtësi, përfundon tryeza me ekspertët e PS: Nesër afati i fundit »
Article Logic
Execution time: 0.025926828384399
array(1) { ["section"]=> string(103) "ecuria-e-reformes-ne-drejtesi-xhafaj-te-angazhuar-per-nje-proces-gjitheperfshires-dhe-transparent-29632" }