Edi Rama si Jose Mourinho!

Publikuar tek: fcb-bomb, më 10:23 26-10-2017 Edi Rama si Jose Mourinho!

Nga Denis Dyrnjaja

Në ditët më të sikletshme të skuadrës socialiste, Edi Rama duket se ka gjetur ose të paktën rastësia e ka afruar me sjelljen, taktikat dhe veprimet e njërit prej trajnerëve më të famshëm të futbollit sot për sot, Jose Mourinho.

Meqë Kryeministri shpesh i referohet futbollit kur bën krahasime në politikë ose qeverisje, duket sikur edhe këtë rast ka zgjedhur një taktikë të njërit prej strategëve të kësaj loje, teknikut portugez që përveç se në fushë "luan" fort edhe jashtë saj, në salla konferencash për shtyp apo gjetkë. Para ndeshjesh të vështira Mourinho stis ngjarje dhe rrethana të ndryshme për të përqendruar vëmendjen te vetja ose të ajo çka ai thotë dhe për të larguar presionin nga skuadra. Në këtë mënyrë veproi edhe Rama dje kur doli dhe bëri atë që gazetarët dhe mediat e cilësuan një sulm ndaj tyre, por që në fakt nuk është gjë tjetër vetëm se një tërheqje e fortë vëmendjeje nga çështja e ditës. Dhe ia arriti. E mori vëmendjen dhe e çoi pikërisht atje ku kishte menduar te vetvetja, duke u futur në lojë artificialisht në një sektor që as nuk i takon ta kritikojë apo ta sulmojë e për më shumë ta rregullojë. Gazetarët edhe ata prej vërteti edhe ata në tentativë po merren prej dje, si na denigroi Rama, gjuha e palejueshme, fyerjet apo ofezat e Kryeministrit ndaj Medias etj etj.

Dikush e cilësoi edhe përçartje të Edi Ramës që pa shkak doli dhe iu përvesh gazetarëve. Në fakt lëvizja e tij rezultoi një taktikë e mirë dhe që duket se dha efekt. Mori vëmendjen e duhur nga çështja e ditës. Rama si mjeshtër i fjalës dhe provokimit e çoi ujin në burimin që deshi dhe fatkeqësisht ndryshe nga shumica e kolegëve të mi mendoj se këtë e bëri përmes një te vërtete dhe jo spekulimi. Duhet ta pranojmë se media sot është realisht ashtu sikurse Kryeministri e përshkroi dje. Rama luajti me një të vërtetë që preku në sedër dhe të aftët dhe të paaftët e sojit tonë por sidomos këta të fundit. Në fjalët e Ramës për gazetarët nuk ka asgjë për të hequr nga fillimi deri në fund sepse realisht ashtu jemi katandisur si tel bakri përcjellës dhe përçues mekanikë mesazhesh shpesh në mënyrë të gabuar nga paaftësia dhe padija.

Por a di Rama që s'duhet të merret me median dhe gazetarët?! Sigurisht që po. Ai thjeshtë zgjodhi momentin e duhur për të tërhequr vëmendjen dhe ja arriti. Trajnerët e mëdhenj dinë kur dhe si të luajnë në situata të vështira dhe presioni. Dhe në mos qoftë vetë trajner i mirë sikurse mund të mendojë shumëkush, ka ndihmës të mirë që zgjedhin momentin e duhur për të bërë veprimin e duhur edhe kur ai duket i gabuar, në fund varet kush ka fituar.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.13354396820068
array(1) { ["section"]=> string(31) "edi-rama-si-jose-mourinho-97267" }