Ekonomi: Të lehtësojmë barrierat dhe forcojmë shkëmbimet tregtare Shqipëri-Kosovë

Publikuar tek: ekonomi, më 20:29 03-04-2017 Ekonomi: Të lehtësojmë barrierat dhe forcojmë shkëmbimet tregtare Shqipëri-Kosovë

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit Tregtisë dhe Sipërmarrjes Milva Ekonomi mori pjesë sot në Konferencën “Aspirata për një treg të përbashkët Shqipëri-Kosovë”, e organizuar nga Dhomat Amerikane të Tregtisë në Shqipëri e Kosovë (AMCHAM Albania dhe AMCHAM Kosova) në bashkëpunim me revistën Monitor.

Në këtë konferencë u paraqitën dy raporte lidhur me nivelin e tregtisë mes dy vendeve parë nga këndvështrimi i Shqipërisë dhe i Kosovës.  Diskutimet në konferencë u zhvilluan në tre panele, ku në panelin e parë u diskutua për “Tregtinë mes dy vendeve, situata, potenciali dhe problematikat”; në panelin e dytë u diskutua mbi “Investimet reciproke në dy vendet” në të cilin mes folësve ishte dhe Ministri i zhvillimit Ekonomik të Kosovës Blerand Stavileci; dhe paneli i tretë me titull: Biznesi përballë politikëbërësve, ku morën pjesë edhe Ministrja e zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi si dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë Hykmete Bajrami.

Në fjalën e saj, Ministrja Ekonomi theksoi se mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës po bëhet gjithçka është e mundur për të lehtësuar barrierat tregtare por dhe për të adresuar problemet konkrete që hasen herë pas herë mes dy vendeve.  

“Kemi disa marrëveshje që datojnë në kohë të ndryshme, të cilat janë riparë, sepse ndryshimet e gjithë kuadrit ligjor që pëson Shqipëria apo Kosova kanë nevojë të reflektohen edhe në këto lloj marrëveshjesh. Veç kësaj dy vendet tona marrin pjesë në takimet periodike që zhvillon CEFTA dhe si Shqipëria ashtu dhe Kosova në mënyrë të koordinuar, kërkojnë që në CEFTA të bëhen rregullime që t’u shërbejnë shkëmbimeve tregtare”, tha Ministrja Ekonomi.

 Ajo shtoi se komunikimi me Kosovën është jo vetëm në nivel Ministror por dhe në nivel teknikësh dhe ekspertësh me qëllim përmirësimin dhe rishikimin e marrëveshjeve aktuale të bashkëpunimit.

Fjala e plotë e Ministres Ekonomi në panelin e tretë:

Pyetje: Qeveritë e të dy vendeve kanë bërë disa mbledhje të përbashkëta, mes dy vendeve janë nënshkruar një numër i madh marrëveshjesh që synojnë lehtësimin dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik, por diçka janë gjërat në letër, dhe diçka tjetër t’i zbatosh ato. Sa janë zbatuar këto marrëveshje dhe a janë parashikuar nisma të tjera në të ardhmen e afërt?

Faleminderit për pyetjen. Në tre mbledhjet e përbashkëta të qeverive që janë zhvilluar, kanë dalë detyra që kanë qenë të lidhura përgjithësisht me krijimin e një hapësire më bashkëpunuese midis dy vendeve tona përsa i takon fushës së energjisë, transportit dhe të tregtisë. Së bashku me ministren Bajrami, ne jemi përpjekur që, në këtë periudhë kohe, të krijojmë disa mundësi për bashkëpunim më të gjerë midis vendeve tona. Kemi disa marrëveshje që datojnë në kohë të ndryshme, marrëveshje që janë riparë, sepse ndryshimet e gjithë kuadrit ligjor që pëson Shqipëria apo Kosova kanë nevojë të reflektohen edhe në këto lloj marrëveshjesh. Një nga gjërat më të rëndësishme që dy vendet kanë arritur me anën e marrëveshjeve është koordinimi në bashkëpunimin që kemi edhe nëpërmjet CEFTA-s për lehtësimin e barrierave tregtare, duke dhënë kontributin tonë në përmirësimin e gjithë klimës së bashkëpunimit dhe lehtësimit tregtar  që vjen nga CEFTA.

Dy vendet tona marrin pjesë në takimet periodike që zhvillon CEFTA dhe të dy vendet në mënyrë të koordinuar, kërkojnë që në CEFTA të bëhen rregullime që t’i shërbejnë shkëmbimeve tregtare. Takimet nuk janë vetëm në nivel ministror, pasi në këto takime ne shoqërohemi nga grupe teknike dhe jemi përpjekur që, në harkun kohor të periudhës që unë drejtoj MZHETTS, përveç mbledhjes së qeverive, të zhvillojmë minimalisht edhe dy takime të tjera mes nesh, që të nxisim bizneset të vijnë pranë njëri-tjetrit si dhe të nxisim komunikimin biznes-ministri për të lehtësuar disa nga procedurat që paraqesin probleme.  

Duhet të kemi parasysh se në takimet që zhvillojmë kemi pjesëmarrje edhe të teknikëve përkatës, në mënyrë që të kuptojmë dhe të lehtësojmë situatat. Ajo çka del si problematikë në këto takime raportohet si tek Agjencia Kombëtare e Ushqimit, apo tek Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, tek Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, tek dhomat përkatëse të Tregtisë, tek Unioni i Dhomave apo tek të tjera institucione që lidhen me çështje të caktuara.

Një nga çështjet që ka dalë së fundmi dhe që po rishikohet nga ana e Shqipërisë ka të bëjë me standardet. Deri më sot, Drejtoria e Përgjithshme e Standardeve në Shqipëri, e cila merr përsipër të përkthejë në gjuhën shqipe standarde që vijnë nga Agjencia Evropiane, disa standarde të caktuara ia ka kaluar edhe Kosovës përkundrejt tarifës zero. Në momentin që Kosova njihet nga Agjencia Europiane, ne duhet të rishikojmë marrëveshjen e bashkëpunimit që kemi midis dy Drejtorive tona të Standardeve. Ndërkohë, nevojitet të rishikojmë edhe mënyrën se si operojmë me Agjencinë Europiane të Standardeve. Prandaj, kërkohet edhe më shumë angazhim për ta parë këtë mënyrë operimi.

Kemi dhe një situatë tjetër që është e rëndësishme për t’u ndarë. Në momentin që ne flasim për lehtësimin e barrierave doganore, duhet të kemi parasysh që një deklaratë e përbashkët doganore me një formë të unifikuar  është e rëndësishme. Por, në vetvete nuk është ndonjë gjë aq e jashtëzakonshme edhe sikur të jenë dy forma të ndryshme. Ajo që është e rëndësishme është lehtësia që ne i krijojmë produkteve kur lëvizin midis territoreve tona tonë dhe produkti që të lëvizë më lehtë ka nevojë për një vlerësim laboratorik.

Për këtë arsye, testet laboratorike që ne prodhojmë duhet të jenë të barabarta ose të ngjashme me njëri-tjetrin. Këtu kemi një lloj ngërçi institucional sepse, në qoftë se Agjencia e Akreditimit të Shqipërisë është e njohur tashmë nga Agjencia Europiane e Akreditimit, kjo situatë nuk është e njëjtë edhe për Kosovën. Kosova po përpiqet që të fitojë këtë status. Në momentin që Kosova fiton këtë status, natyrisht që çdo laborator testues që ka Kosova do të jetë i njohur, siç vepron Agjencia e Akreditimit në Shqipëri, që njeh një laborator testues. Dhe, kjo do t’i japë edhe më shumë hapësirë shkëmbimit të mallrave.

Përsa i takon komunikimit që kemi me bizneset, aktivitetet e përbashkëta që kemi organizuar deri tani kanë nxitur edhe ngritjen e disa shoqatave apo nxitur bashkëpunime,  të nënshkruara midis Dhomave të Tregtisë dhe të Industrisë.

Pak kohë më parë u krijua edhe Forumi i Prodhuesve nga zonat shqipfolëse, ku aderojnë prodhues që vijnë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Shoqata themeloi të shtunën edhe kryesinë dhe ne dy ministret në panel ishim së bashku edhe me ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë, ku morëm përsipër të mbështesim, këtë iniciativë bashkëpunimi.

Përveç hapave ligjorë që janë përcaktuar, përveç takimeve G2G që janë bërë deri më sot, ndjekur edhe nga takimet B2B duhet të mos harrojmë edhe shkëmbimet P2P, që praktikisht  me Kosovën ecin shumë mirë. Mund t’ju përmend vetëm një shifër që vjen nga sektori i turizmit: numrin kryesor të turistëve që kanë vizituar Shqipërinë gjatë vitit 2016 e zënë padyshim turistët që vijnë nga Kosova me rreth 2,1 milionë turistë. Gjithashtu, është nënshkruar dhe një marrëveshje mes Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë me atë të Kosovës, për të vendosur një kalendar aktivitetesh të përbashkëta për vitin 2017. Kjo e bën dhe më të fortë komunikimin P2P që kemi me Kosovën.

Me ministren Bajrami kemi rënë dakord që përveçse të zgjerojmë kuadrin e bashkëpunimit institucional, të përpiqemi ta zgjerojmë atë edhe mes bizneseve dhe personave, por nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që të analizojmë here pas here ecurinë e këtyre marrëveshje. Pra, nuk duhet që vetëm ministritë e linjës të ndjekin se hap pas hapi se ku kemi arritur, por edhe grupet e interesuara të informojnë mbi ecurinë dhe pengesat, me synim që të ecim përpara për lehtësimin tregtar mes dy vendeve tona. Faleminderit!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.018773078918457
array(1) { ["section"]=> string(86) "ekonomi-te-lehtesojme-barrierat-dhe-forcojme-shkembimet-tregtare-shqiperi-kosove-73987" }