Ekonomi: Zonat e Mbrojtura të shihen të lidhura me zhvillimin ekonomik

Publikuar tek: ekonomi, më 16:46 06-12-2016 Ekonomi: Zonat e Mbrojtura të shihen të lidhura me zhvillimin ekonomik

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi mori pjesë sot Forumin Koordinues “Rrjeti i Zonave të Mbrojtura:  Modeli i ardhshëm i zhvillimit të qëndrueshëm hapat e mëtejshëm për një menaxhim më të mirë”, organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.

Në këtë forum të pranishëm ishin Lefter Koka, Ministri i Mjedisit, Edmond Panariti, Ministër i Bujqësisë, Eglantina Gjermeni, Ministër i Zhvillimit Urban si dhe përfaqësuesit më të lartë të organizatave partnere e donatore UNDP, Delegacioni Evropian, GIZ.

Në këtë takim u paraqitën arritjet e deritanishme në menaxhimin e zonave të mbrojtura.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, të dhënat e vitit që po mbyllet regjistrojnë trefishim të numrit të turistëve në Zonat e Mbrojtura, nga 400 mijë vizitorë në 2015, në mbi 1,56 milionë në 2016. 

Një tjetër arritje gjatë këtij viti është realizimi për herë të parë me standarde i inventarizimit të florës dhe faunës së egër në Shqipëri.

Sipas Ministrisë së Mjedisit, gjatë vitit 2016 janë investuar rreth 6 milionë euro (nga qeveria dhe nga donator të huaj në vendin tonë) ndërsa vitin e ardhshëm do të vijojnë investime dhe deri më tani janë parashikuar rreth 3 milionë euro.

Në forum u prezantuan disa nga investimet e fundit, brenda zonave të mbrojtura, si dhe u theksuan sfidat e së ardhmes brenda zonave të mbrojtura me qëllim trajtimin e rrjetit të zonave të mbrojtura si një model i ardhshëm i zhvillimit të qëndrueshëm.

Ekonomi theksoi se zonat e mbrojtura nuk duhet të trajtohen thjesht si zona të rrethuara dhe të veçuara, por të shihen në këndvështrimin e zhvillimit ekonomik.

Fjala e Ministres Ekonomi në forum:

“Si Ministre e zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, më takon të them dy gjëra për këtë çështje: çfarë kemi menduar ne për përdorimin e zonave të mbrojtura dhe se çfarë kemi menduar për zhvillimin e zonave të mbrojtura.

Në këtë këndvështrim, sot në Shqipëri funksionojnë dy ligje të reja: ligji “Për turizmin” i vitit 2015 dhe ligji “Për investimet strategjike”, i cili daton në vitin 2015, por është bërë i aplikueshëm që nga janari i këtij viti. Dëshira jonë e madhe është që vazhdimisht të tregojmë Shqipërinë autentike dhe bukuritë natyrore të vendit tonë. Gjatë vitit që po lëmë pas, përdorimi i të gjithë parqeve natyrore në vendin tonë u rrit, kjo nga dëshira për të parë se çfarë ofronte Shqipëria turistike.

Numri i vizitorëve që vizituan parqet kombëtare të vendit tonë për këtë vit ishte 3.3 herë më shumë se sa në vitin e kaluar. Kështu që, është meritë e gjithë atyre që punojnë në parqet e zonave të mbrojtura, të cilët kanë bërë të mundur mirëmbajtjen dhe promovimin e këtyre zonave në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Këto parqe jo vetëm që u vizituan nga vizitorë të huaj, por u vizituan dhe nga ata vendas, një risi turistike  e këtij viti.

Në diskutimet tona interministeriale kemi kuptuar që zona e mbrojtur nuk mund të jetë tabu, por ka nevojë që përdorimi i saj të lidhet dhe të shihet në këndvështrimin e zhvillimit ekonomik. Në fakt një zonë e tillë, në qoftë se lihet thjesht e mbrojtur dhe rrethohet nga asgjëja, është një zonë që fillon dhe humb vlerat e veta natyrore. Natyrisht që humbet dhe atë për çka përfaqëson në një territor të caktuar.

Kështu që, iniciativat që duhet të ndërmerren kërkojnë të shkallëzojnë dhe mënyrën se si ne trajtojmë zonat e mbrojtura dhe çfarë synojmë të arrijnë në këndvështrimin e zhvillimit ekonomik të këtyre zonave. Në përgjithësi, zonat e mbrojtura, kur bëhet fjalë për investimet strategjike, lidhen më shumë me ato investime që kanë në fokus turizmin.

Dhe sa herë që ka një iniciativë të këtij lloji, grupet ndër-ministeriale të punës operojnë me njëri-tjetrin dhe siç e përmendi  Koka, Panariti apo Gjermeni, në përgjithësi këto aksione janë të koordinuara dhe asnjëherë këto aksione nuk ndodhin pa koordinim e një grupi teknikësh që e kuptojnë nga afër situatën e një zone të mbrojtur. Ndaj dhe ligji i investimeve strategjike kërkon që propozimet të kalojnë nga një dritare e vetme unike, që është AIDA, dhe po kjo po bëhet një procedurë e zakonshme pune.

Unë besoj që iniciativat për ta parë në një këndvështrim zhvillimor zonën e mbrojtur, si ta përmirësojmë dhe ta shndërrojmë atë në një burim të zhvillimit ekonomik, janë iniciativa që i shërbejnë ardhmërisë së vendit dhe natyrisht i shërbejnë dhe ardhmërisë së përmirësimit të legjislacionit tonë, i cili duhet të shkojë në linjë me gjithë rekomandimet që japin direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Europian.

Unë besoj që kjo do të jetë dhe drita juaj e të parit sot të zonave të mbrojtura dhe ndryshimeve që do të sillni gjatë këtij seminari. Teksa po lexoja për një zonë të mbrojtur në Shqipëri, vura re që datimi i parë i krijimit të konceptit të zonave të mbrojtura në Shqipëri është viti 1940. Ky fakt tregon se Shqipëria ka histori të gjatë të trajtimit me kujdes të zonës së mbrojtur prej shumë vitesh eksperiencë tashmë. Suksese ne takimin e sotëm!”

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.020321846008301
array(1) { ["section"]=> string(75) "ekonomi-zonat-e-mbrojtura-te-shihen-te-lidhura-me-zhvillimin-ekonomik-61777" }