EKSKLUZIVE/ Njihni Lolitën, vajzën misterioze që po çmend rrjetet sociale

Publikuar tek: fcb-bomb, më 09:39 12-10-2015 EKSKLUZIVE/ Njihni Lolitën, vajzën misterioze që po çmend rrjetet sociale Majtas aktorja e filmit ''Lolita'', djathtas Lolita e vërtetë shqiptare-Loren

INTERVISTË - EKSKLUZIVE / Kush është Loren, administratorja e faqes "Lolita."? Rrëfimi i detajuar si lindi faqja në ‘’Facebook’’. Pse ka zgjedhur të mbrojë identitetin dhe të mbajë një maskë. Çfarë mendon ajo për femrat, meshkujt, gazetarët, martesën, kafshët dhe për një dyqan byrekësh në Tiranë.  Pse faqja e saj "Lolita" mori këtë famë dhe çfarë fshihet pas identitetit misterioz që kontrollon faqen.

Për herë të parë një foto origjinale e Lolitës dhe një bisedë që nuk duhet humbur. Synuam një intervistë serioze, me një vajzë që dhuron shumë të qeshura.

 *****

Është faqja shqiptare në ‘’Facebook’’ më e diskutuar e momentit. ‘’Lolita’’. Duket si një faqe pa një mision të caktuar, por në fakt prej kohësh konsiderohet si një oaz, sidomos për femrat shqiptare, një oaz ku ironizohet mentaliteti shqiptar, injoranca dhe ku shpesh herë flitet aq hapur sa duket sikur flet zëri i ndërgjegjes. 

‘’Lolita’’ është një 23-vjeçare e cila jeton në Tiranë, quhet Loren. Ajo nuk ofron më tepër të dhëna për veten e saj, anonimatin e ka kusht të panegociueshëm në komunikim. Intervista me Loren/Lolitën është zhvilluar në ‘’chat’’, ndërsa janë shmangur pyetjet që synojnë zbulimin e identitetit të vajzës, për shkak se ajo e bëri të ditur se cilado pyetje që do synonte zbulimin e identitetit të saj do të injorohej nga ajo vetë.

Në dakordësi me kushtet, Lolita tha se për cilëndo pyetje tjetër do thoshte të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, ndërsa për herë të parë vajza 23-vjeçare ofroi dhe një foto të vetën. E para foto origjinale e vajzës misterioze që prej muajsh po intrigon rrjetet sociale.

Të ka ndodhur më parë të japësh një intervistë Lolitë? 

Vetëm para mamit dhe babit kur më kanë zënë në "faj".

Nga ndryshon kjo intervistë me ato që jepje para mamit dhe babit?

Eshte me e rehatshme kjo.

Në fakt është intervistë në ‘’chat’’. Sepse kështu ti garanton anonimatin. Më thuaj pak, çfarë është anonimati për ty?

Anonimati eshte komoditet. Larg syrit të hallës, tezes, gocës së tezes. Larg komenteve "jemi fis i bukur ne". Larg atyre që këputen në byçë duke më uruar për datëlindje "edhe 100". Dhe larg shumë kokëçarjeve të tjera, kush ishte ai që të komentoi etj. Por mbi të gjitha e lirë për të thënë atë që dua, kur të dua dhe si te dua pa më interesuar nëse të tjerët qeshin, mërziten, inatosen apo qajnë.

Është thjesht komoditet apo dhe taktikë për t’i kuriozuar njerëzit me misterin e identitetit tënd për t'i tërhequr më shumë pas vetes?

Në fillim ishte thjesht komoditet, pastaj e kuptova që sa më shume fshihesha aq më kuriozë bëheshin. Një lojë që na shijon të gjithëve. Si hapa-dollapa në virtualitet, vetëm se unë jam gjithmonë në avantazh. :)

Por mund te jetë dhe disavantazh anonimati...  njerëzit nuk të marrin dhe aq seriozisht në thelb, apo jo?

Ndonjëherë më marrin më seriozisht seç duhet...

Dakord, le të flasim pak për gjëra serioze tani. Si nisi Lolita?

Kisha krijuar një rreth të vogël miqsh në ‘’Facebook’’. Postoja ndonjë status herë pas here, nga nevoja për t’u shprehur por dhe për të ngacmuar kuriozitetin e atyre. Dhe njërit prej tyre i kishin bërë përshtypje, më tha: "Pse nuk hap një faqe?". Por nuk doja. E para sepse e kaloja kohën në faqe të tjera dhe zihesha me të gjithë, e dyta sepse ato që shkruaja nuk më dukeshin në lartësinë e duhur për tu ndarë me shumë njerëz. Por ai e hapi faqen gjithsesi dhe më tha përdore tani. Nga Gerdi e kam peshqesh. Nja 1 vit nuk e përdora fare. Pastaj postoja ndonjë gjë, kisha nja 2-3 like, e tmerrshme. :)

Pastaj filluan te shtoheshin fansat çdo ditë e më shumë dhe unë fillova ta dashuroj Lolitën, u bë pjesë e pandashme e imja.

Gerdi? Çfarë është Gerdi?

Gerdi është një çun me pamjen e Jezusit, fotograf, shkruan poezi dhe është e pamundur të mos e kesh xhan një njeri si ai.

Emrin "Lolita" e kemi dhuratë nga fotografi i bie?

Po. Fotografi më njeh më shumë nga sa e njoh unë veten, sepse e dinte që Lolita jam unë.

Kur daton kjo histori? Në çfarë viti e hapi Gerdi atë faqe?

Se mbaj mend fare, por më duket sikur ishte dje. Për Lolitën kujtimet nuk mund të jenë më të rëndësisshme se endrrat, sepse do quhej Ludmilla pastaj.

Më trego pak si vijoi, si u ngrit faqja, thirre dhe disa bashkëpunëtore në mos gaboj? Si i njohe ata dhe si funksiononi mes jush?

Në fillim erdhi Hank. I kishte pëlqyer faqja dhe donte të ishte pjese e saj. M’u duk e çuditshme që një çun donte të ishte "Lolitë"(megjithëse ai ka arritur të krijojë imazhin e vet prej mashkulli karizmatik dhe inteligjent). Pranova direkt. Pastaj ftova Kiar sepse më dukej interesante dhe ajo pranoi. Pastaj erdhën të tjerë..

Por ama Lolita je ti dhe vetëm ti?

Unë po, por jo vetëm unë. Çdo femër e ka një "Lolitë" brenda vetes. Disa e vrasin nga frika e paragjykimeve, mua po më vret ajo më duket. Po, Lolita është një zuskë e pamëshirshme!

Lolita është një ngacmim i ëmbël i imagjinatës tënde nga Nabokovi, apo një fabul që ti ja ke ndjerë shijen dhe në jetën reale?

Ndonjëherë e ngatërroj fantazinë me realitetin. Me duket sikur Nabokovi e ka shkruar për mua.

Sa vjeçe je Loren?

Për pak bëj 23.

Dhe si ndihesh kur femra të njohura në këtë vend i ke fanse të faqes që ti drejton?

Të them të drejtën kjo fjala "fanse" nuk më rri dhe aq mirë, por ndihem shumë mirë kur marr vëmendjen e tyre.

Shijon më tepër vëmendja që merr kur shfaqesh me maskë, pa një fytyrë dhe identitet të njohur? 

Unë e shoh veten çdo ditë në pasqyrë, por nuk e di a ju shijojnë atyre batutat pa imazhin tim?

Pak më lart u shprehe se ndonjëherë të ngatërrohet fantazia me realitetin. Ky shartim a të ka sjellë shqetësime në jetën reale? Kam parasysh një vendimin tënd para disa javësh për ta mbyllur faqen ‘’Lolita’’. Pse doje ta mbyllje?

Fantazia nuk më sjell kurrë shqetësim, përkundrazi më bën të shijoj gjëra që në realitet nuk mundem. Ajo që më shqetëson, është koha që më merr faqja. E mbylla sepse kisha për të mësuar dhe e hapa pas gjithë asaj rrëmuje që ishte krijuar. Kishin filluar teoritë konspirative: "e mbylli LSI-ja"; "Lolita u fejua" etj etj.

Me çfarë  aparature e kontrollon faqen, me telefon, PC, laptop, I-Pad? Jam kurioz ta di...

Me telefon. E para sepse më kanë thënë që është më i sigurtë, e dyta sepse jam në lëvizje gjatë gjithë kohës.

Sa telefona mban?

Dy. Me këto kohë që kanë ardhur duhen Dy. Një ta çash, një ta mbash. :)

Çfarë marke i ke?

Kam një ‘’iPhone 5’’ dhe një ‘’Samsung Galxy S2.’’

E kuptova. Më trego pak, cilat janë gjërat apo njerëzit që do më shumë në këtë vend?

Njerëzit që dua më shumë? Dua veten time në radhë të parë, mamin, babin, gjyshet etj. 

Gjërat që dua? Atë zhurmën e qepenave te dyqaneve që hapen në mëngjes, erën e gjellës që vjen nga komshia, erën e byrekëve që vjen tek ai dyqani i vogël te sheshi Wilson. Dhe urrej shumë atë pronarin e dyqanit të kafshëve ngjitur me byrektoren, që mbajnë ato kafshë të gjora në kushte skandaloze, mes pluhurit dhe zhurmave. Apo nuk më pyete për këtë të fundit?

Ke dobësi për kafshët Loren?

Nuk kam mundur kurrë të mbaj një kafshë në shtëpi sepse nuk ma kanë lejuar prindërit dhe jam munduar ta kompesoj disi këtë "peng" duke përkedhelur macen e shokut, qenin e shoqes.

Do e përkedhelje një kotele të vockël edhe po ta dije se është në pronësi të Luana Vjollcës?

Do ta përkëdhelja akoma më shumë, duke patur parasysh çfarë i është dashur të dëgjojë koteles së gjorë..

Më fol pak për Teftën, personazhin që unë dashuroj në faqen Lolita. Si lindi Tefta?

Tefta është një personazh miks i krijuar nga kujtimet e gjyshes, imagjinata ime dhe politika e sotme.

Imagjinata jote duket se e ka bërë pakëz të shthurur atë heroinë të punës socialiste. Çne?

Mbase heroina socialiste ka qenë më e çthurur nga ç'mund ta imagjinoj unë...

Të ndihmon imagjinata të vrasësh vetminë?

Imagjinata me ndihmon të vras dhe të ngjall shumë gjëra por jo vetminë, sepse më pëlqen vetmia.

Çfarë shijon më tepër tek komentet në faqe?

Komentet e bukura. Dhe kur them të bukura nuk e kam fjalën për ato që më komplimentojnë mua, por ato që janë shkruar pa gabime drejtshkrimore. Bie direkt në dashuri me ata/ato që shkruajnë me "ë" dhe "ç" aq sa bëhem kurioze t'iu kontrolloj profilet. Dhe flirtoj me këta gjatë gjithë kohës.

Me pedonalen e Fierit pse je fiksuar?

E si mund të mos fiksohesh me pedonalen e Fierit? Është i vetmi ndryshim që është bërë në atë qytet, kuptohet, pas vepres së artit atij globit të madh.

Të ka ndodhur që ke dëgjuar batuta të huazuara nga faqja jote në kafe a gjetkë?

Më ndodh shpesh dhe më pushtojnë ca ndjenja kontradiktore njëkohësisht. Me vjen mirë që janë kaq të vëmendshëm, që i pëlqejnë ato që shkruaj, gjithashtu më vjen inat kur nuk më ruajnë autorësinë se më duket sikur m’i vjedhin.

Është fatura e anonimatit që duhet ta paguash apo jo?

Do paguaja më shumë nëse s'do isha në anonimat, më beso.

Çfarë e bën interesante një femër?

Të qenit femër është shumë interesante. Pastaj janë veprimet ose mosveprimet që e bëjnë më pak interesante.

Po një mashkull?

Një mashkull e bën interesant X6-a, se zemër kanë të gjithë. :)

Përtej shakasë, të rrallë janë meshkujt interesantë. Ata që janë inteligjentë nuk janë të bukur. Ata që janë të bukur, nuk janë inteligjentë. Njëherë njoha njërin që ishte edhe i bukur, edhe inteligjent, por atë ma mori Joni Peçi  :).

Çfarë është martesa?

Është ajo që shoh tek prindërit e mi. Duhen, zihen, pajtohen dhe prapë bashkë, jo se s'mund të rrinë pa njëri-tjetrin, por sepse s'duan të rrinë.

Nëse Lolita do ishte martuar dhe do ishte bërë nënë me fëmijë, mund të ndodhte pas disa vitesh, që një tjetër vogëlushe e njomë të rrëmbente zemrën e bashkëshortit te saj?

Do ta denoncoja për pedofili bashkëshortin. :)

Nicole Kidman është më interesante në "Eyes Wide Shut" në versionin artistik të Kubrick, me maskën e saj, apo të pëlqen më tepër në jetën reale, ku i ndodhi që u nda me Tom Cruiz dhe nuk bënë dot fëmijë bashkë?

Më duket më interesante si Martha Gellhorn, e dashura e Ernest Hemingway-it.

Nëse do zgjidhje të jetoje diku tjetër, cili do ishte vendi?

Në Amerikë dhe mendoj ta bëj së shpejti.

Çne?

Për t'iu shitur mend amerikanëve që jam nga i njëjti vend me Bleona Qeretin. :) Në të vërtetë mendoj që është vendi i duhur për shkollim cilësor dhe për të bërë karrierë. Për meritokracinë, një fjalë që në fjalorin shqip-shqip nuk gjendet.

Mendon se talenti është një bimë që nuk mbijeton dot në këtë vend?

Unë kam parë të mbijnë talente, por sa fillojnë të rriten i hanë dhitë.

Dukesh pakëz e lënduar?

Mos ma vër gishtin në plagë...

Nuk të ngushëllojnë fare Gëzim Abazi dhe Landi Fier? 

Ditën që do kem nevojë për ngushëllim më vrisni!

Çfarë mendove kur pe reagimet e fansave ditën që mbylle faqen?

Nuk i prisja, sidomos nga disa njerëz që as nuk i kisha parë fare në faqe. Këta na paskan dashur në heshtje. Pastaj m’u kujtuan fjalët e një shokut tim socialist: "ky popull nuk ka halle të tjera..."

Dua ta lidh me atë që the për talentin pak më lart. Në një farë mënyre e kishe nënvlerësuar efektin e talentit tënd me Lolitën apo jo?

Nuk e di a është talenti im apo thjesht jam bërë zëri i ndërgjegjes së tyre...

Si të duket media shqiptare?

Media shqiptare është e lirë. E lirë, sepse blihet me pak para'.

Mund t’i jap pak "lajk" kësaj që sapo the?

Bëji dhe "share" që ta shohin shokët e tu gazetarë.

Po kaloj tek pyetja e fundit. Mendon se një ditë s'do kesh më nevojë për një maskë që të garanton anonimatin?

Mbase… por kam frikë se kur të dua ta heq, maska do më ketë zënë rrënjë dhe do jetë bërë njësh me fytyrën time.

Intervistoi: "Hashtag-Boy" 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Këto VIP-set të trashin fare...
Përpara jush...Fatmir Mediu! »
Article Logic
Execution time: 0.0051858425140381
array(1) { ["section"]=> string(77) "ekskluzive-njihni-loliten-vajzen-misterioze-qe-po-cmend-rrjetet-sociale-22929" }