Ekskluzive/ Presidenti i Federatës shqiptare Armand Duka u përgjigjet tifozëve Kuq e Zi për letrën e hapur

Publikuar tek: sport, më 19:41 02-10-2015 Ekskluzive/ Presidenti i Federatës shqiptare Armand Duka u përgjigjet tifozëve Kuq e Zi për letrën e hapur

Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, në një reagim ekskluziv për Newsbomb.al sqaron tifozët Kuq e Zi për shqetësimet e ngritura në një letër të hapur duke kërkuar mirëkuptim, jo shtrembërim të fakteve që dalin në media dhe mbështetje të fuqishme për Kombëtaren Shqiptare, për të arritur synimin që ka ekipi, fitoren e ndeshjes.

“Po, u informova për letrën dhe zhurmën që po bëhet. Më duhet të them se kemi qenë gjithmonë në kontakt jo vetëm me tifozat Kuq e Zi, por edhe me të gjithë drejtuesit e grupimeve të ndryshme. Dhe duket se ka një keqkuptim sepse Federata Shqiptare e Futbollit është organizatore për ndeshjen, dhe në asnjë rast, nuk mund të merret me verifikimin e personave që është detyrë e institucioneve të specializuara të shtetit shqiptar.

Për rastin e Ballist Morinës kam dëgjuar shumë informacione sot për mosprezencën e tij në stadium. Më duhet të them se kjo është vetë një dëshirë e tij, i cili ka kontaktuar me drejtues të Federatës, dhe u ka thënë se do të ishte më mirë, ta shihte ndeshjen diku tjetër e jo në stadium, kjo edhe për shkak të sensibilitetit që do të kishte pala kundërshtare për të, por edhe sepse ai vetë nuk do të jetë objekt e subjekt i debateve që nuk do t’i vinin në ndihmë ekipit. Unë personalisht, dhe drejtuesit e Federatës, e kemi vlerësuar këtë gjest të tij në mbështetje të Kombëtares shqiptare” tha Duka për Newsbomb.

Presidenti Duka flet edhe për çështjen e biletave dhe prezencën e një delegacioni të palës serbe në stadium. “E dimë shumë mirë se ka mijëra kërkesa për bileta, ashtu sikurse jemi të qartë se kapaciteti i stadiumit është 12 mijë vende.  Ne kemi bërë një ndarje të barazpeshuar në shpërndarjen e biletave në të gjithë grupimet e tifozëve në trevat shqiptare në bazë të kapacitetit që kemi pasur për bileta. Sa u përket biletave që janë dhënë për mysafirët, ato janë të njëjta në numër me biletat që kemi pasur ne si delegacion shqiptar kur kemi qenë vitin e kaluar në Beograd. Dhe këtu, jemi në marrëdhënie reciprociteti” sqaron Presidenti Duka.

Ndërkaq, kreu i Federatës u njoh edhe me deklaratën e zv.presidentit të Federatës Serbe se do të ketë incidente apo se autobuzi i futbollistëve do të sulmohet.

“E theksoj edhe njëherë, ne jemi një Federatë që organizojmë ndeshjen. Megjithatë, dua të garantoj edhe ekipin mysafir, se në kontaktet që kemi pasur me policinë shqiptare, kemi marrë garancinë maksimale për angazhimin e tyre të plotë, jo vetëm për delegacionin e futbollistët serbë, por edhe për vetë mbarëvajtjen e lojës” thotë Duka për Newsbomb.

Dhe një mesazh të fundit, Presidenti e ka për të gjithë shqiptarët që duan të shohin Kombëtaren në Euro2016.

“Jemi pak ditë para kësaj sfide. Do të doja, të gjithë bashkë, tifozët, mediat, organizatorët, të angazhohemi maksimalisht që të fitojmë lojën në 90 minutat në fushë. Kjo do na bënte krenarë dhe do të na çonte të sigurt drejt Francës. Tensionet, debatet, presionet e gjithçka tjetër, në asnjë moment nuk do të shkonin në favor të Shqipërisë. Ndaj kërkoj mirëkuptimin e të gjithëve për të shmangur tensionet e për të pritur me një tifozeri të shkëlqyer, jo vetëm fitoren në datën 8 tetor, por edhe festën që do të bëjmë pas saj”.

Lexo edhe: “Po i hidhni benzinë zjarrit”, Tifozat Kuq e Zi paralajmërojnë Ramën dhe Dukën

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Pas Rey Manajt një tjetër shqiptar i Interit në Kombëtaren shqiptare
Reagon Skenderbeu: Rusët nuk mund t’ia hedhin me një ndjesë publike, UEFA me dy standarde »
Article Logic
Execution time: 0.018850088119507
array(1) { ["section"]=> string(111) "ekskluzive-presidenti-i-federates-shqiptare-armand-duka-u-pergjigjet-tifozeve-kuq-e-zi-per-letren-e-hapur-22207" }